Home»Histori»PERSONAZH / Nikola Tesla, historia e një gjeniu te mashtruar

PERSONAZH / Nikola Tesla, historia e një gjeniu te mashtruar

Screen Shot 2015-07-12 at 22.14.55

Ishte një nga shpikësit më të mëdhenj të të gjitha kohërave. Nikola Tesla, shkencëtari serbo-kroat, që emigroi në Shtetet e Bashkuara në vitin 1884, regjistroi po aq patenta shpikjesh, sa edhe rivali i tij Tomas Alva Edison. Por nuk mundi ndërkohë të përfitojë nga idetë e tij: në çdo rast u privua nga të ardhurat e fituara. Pikërisht për këtë arsye, figura e tij ngjall sot shumë simpati dhe konsideratë. Shpikjet e mëdha, rivaliteti me Edisonin, dhe “lojërat e pista” të këtij të fundit. “Në rast se do ta privonim botën industriale nga gjithçka që ka lindur nga puna e Teslas, rrotat tona do të ndaleshin së ecuri, makinat elektrike dhe trenat do të ndalonin, qytetet do të ishin të zhytura në errësirë dhe fabrikat do rrënoheshin”. Të gjitha merita të një njeriu, që vdiq i varfër në një Hotel të Nju Jorkut

Një përplasje duarsh dhe shfaqja fillon:është një mbrëmje e vitit 1891, dhe në skenë ndodhet Nikola Tesla, shkencëtari serbo-kroat që emigroi në SHBA. Për një çast, ai mbante në dorë një top të zjarrtë. Me kujdes, burri shumë i gjatë, lejoi që flakët t’i rrëshqisnin mbi frakun e bardhë, pastaj mbi flokët e zinj. Së fundmi, magjistari për habinë e publikut doli tërësisht i padëmtuar, duke e vendosur zjarrin misterioz në një kuti druri.

“Tani do të bëj dritë, si të ishte ditë”- tha Tesla. Dhe ja ku skena e shfaqjeve të tij, laboratori në “South Fifth Avenue” në Nju Jork, shkëlqeu nën një dritë jashtëzakonisht të qartë. Atëherë shpikësi u hodh mbi një platform, të lidhur me një gjenerator tensioni elektrik.

Gradualisht shkencëtari e ngriti rregullatorin, derisa trupi i tij u ekspozua ndaj një tensioni prej dy milionë volt. Shkarkesat elektrike kërcitën rreth trupit të tij. Rrufetë dhe flakët i shigjetuan duart. Kur Tesla e fiku gjeneratorin, do të dëshmonin spektatorët, rreth tij pati një shkëlqim kaltërosh.

“Zbutësi” i elektroneve

“Magjistari i elektricitetit”, kishte qejf të magjepste shoqërinë e lartë të Nju Jorkut me shpikjet e tij. Dhe t’u tregonte gazetarëve fuqinë dhe sigurinë e sistemit të energjisë elektrike, të krijuar nga ai vetë. Shfaqjet spektakolare, ishin pjesë e propagandës së tij në luftën për elektrifikimin e botës.

Ishte një luftë që Tesla (edhe pse kundër dëshirës së tij) e zhvilloi përballë një tjetër shpikësi, po aq të famshëm. Një njeri aq i ndryshëm, sa të mishëronte pikërisht të kundërtën e Teslas:Alva Edison.

I ftohtë, i zgjuar dhe i aftë në biznes. Për amerikanët, Tesla ishte e kundërta, një “poet i shkencës”,

një teoricien dhe një gjeni fatkeq, idetë e të cilit ishin “të mëdha, por krejtësisht të padobishme”.

Edisoni e maste vlerën e një zbulimi, nga sasia e dollarëve që grumbullonte kompania e tij. Përkundrazi, për Teslën nuk bëhej fjalë vetëm për paratë:qëllimi i një shpikje, argumentonte ai, qëndron kryesisht tek shfrytëzimi i forcave të natyrorës për nevojat njerëzore.

Fituesi humbës

Përfundimisht do të jetë pikërisht Tesla, ai që do të fitojë betejën për rrymën elekrike. E megjithatë – siç ka ndodhur shpesh në jetën e tij – ai do të dalë humbës. Dhe pikërisht si humbës u rikthye të kënaqë publikun:numri i librave dhe faqet e internetit që lidhen me të, është në rritje, edhe në YouTube ka video dedikuar atij, si dhe grup muzokor rock që ka zgjedhur emrin e tij. Dhe një makinë e financuar nga themeluesit e Google u emërtua Tesla Motor.

Forca misterioze e energjisë elektrike, e hipnotizoi Teslan që në fëmijëri. I lindur në 10 korrik 1856 nga prindër serbë në fshatin kroat Smiljan, ai shihte që fëmijë dritën e rrufeve. “Në disa raste ajri rreth meje mbushej me gjuhët e zjarrit të animuar”-kujton Tesla në autobiografinë e tij.

Zakonisht këto vizione, shoqëroheshin me imazhe të brendshme. Me sytë e mendjes, Tesla shikonte mjedise dhe objekte në mënyrë të qartë, aq sa realisht nuk mund të dallonte dot realitetin nga imagjinata.

Mendje gjeniale

Me kalimin e kohës, ai mësoi t’i kontrollojë këto sugjestione:udhëtonte përmes mendimit në qytete dhe vende të huaja, duke u takuar me njerëz dhe bërë miq. Forca e imagjinatës së tij u shfaq në moshën 17-vjeçare, kur fillon të “merret seriozisht me shpikje”.

Nuk kishte ka nevojë për asnjë model apo eksperiment për të krijuar pajisje:i gjithë procesi krijues, u zhvillua në mendjen e tij. I ndërtonte pajisjet e tij, korrigjonte gabimet, i vinte më pas në veprim. “Për mua është krejtësisht pa rëndësi ndërtimi i një turbinë në kokën time ose në ofiçinë”-shkroi ai “Unë arrij madje ta vë re se kur ka probleme”.

Në vitin 1875, Nikola 19 vjeçar, fiton një bursë studimi në Universitetin Politeknik të Grazit, në Austri. Përkushtimi i tij ndaj librave ishte i jashtëzakonshëm, nganjëherë nga ora 3 e mëngjësit deri në 11 të natës, dhe në vitin e parë i mori të 9 provimet me notën maksimale.

“Isha i pushtuar nga një mani e vërtetë:duhej të përfundoja gjithçka kisha nisur”-kujton ai. Kur iu caktua të lexonte Volterin, ai mësoi me druajtje se ai “përbindësh” kishte shkruar 100 libra. Por gjithësesi, ai u përball me ndërmarrjen vigane.

Mani obsesive

I riu vazhdoi të ishte subjekt i sjelljeve të pandreqshme. Kishte neveri të madhe ndaj perlave dhe vathëve, dhe gjithashtu edhe ndaj flokëve të njerëzve të tjerë. Përsëriste disa veprime, në mënyrë përsëritja të ishte e ndashme në 3 pjesë. Numëronte hapat që hidhte, llogariste vëllimin e kafes në filxhan, pjatave, ushqimit.

“Në rast se nuk ë bëja, ushqimi nuk më pëlqente”- vinte në dukje ai. Në Graz, Tesla në fund u njoh me një objekt misterioz studimi, që do ta shoqëronte në pjesën tjetër të jetës:energjia elektrike. Asokohe, shumica e njerëzve e cilësonin energjinë elektrike një lëndë misterioze, që rridhte përgjatë telave me anë të ndërhyrjes së një dore fantazmë. Tesla kërkoi të zotëronte ligjet e këtij lëngu.

Dhe instinktivisht u bind, se e ardhmja i përkiste një sistemi, që ende nuk ishte aplikuar:rryma alternative. Një gjenerator prodhon energji, falë një magneti të përhershëm dhe një spiraleje, e cila rrotullohet në brendësi të aparatit. Ndërkohë në rastin e një gjeneratori të rrymës alternative, magneti rrrotullohet në qendër dhe prodhon energjinë në bobinat e vendosura nga jashtë.

Përparësia qëndron tek fakti, se nuk është e nevojshme ta nxjerrësh energjinë elektrike nga një bobinë rrotulluese, duke përdorur kontakte me rrëshqitje që shpërndajnë shkëndija. Ajo formohet ndërkaq nga pjesa e jashtme, statike e gjeneratorit. Në atë kohë, të gjitha pajisjet elektrike ushqeheshin vazhdimisht me energjinë që shkon vazhdimisht në të njëjtin drejtim.

Shkencëtarët e kohës, i gjykonin si diçka të pamendueshme motorët elektrike të ushqyer nga rryma alternative. Por Tesla i besonte intuitës së tij. Në mendjen e tij, eksperimentonte njëra pas tjetrës motorë me rrymë alternative. Përmes mendimit, ndiqte lëvizjen e shpejtë dhe të alternuar të energjisë elektrike, që përplasej në qarqe, në fillim pa sukses.

Intuita e rrufeshme

U deshën 7 vjet para se Tesla, i punësuar në një kompani telefonike në Budapest, të arrinte në një pikë kthese. Në një mbrëmje të vitit 1882, gjatë një shëtitje në parkun e qytetit, zgjidhja iu faneps në mendje “si një rrufe”. Tesla mori një shkop, dhe vizatoi në pluhurin e rrugës një motor absolutisht të ri, në të cilin bobinat e jashtme, të përshkruara nga rrjedha e rrymës alternative, gjeneronte një fushë magnetike rrotulluese.

Në këtë mënyrë, krijoheshin forcat që vënin në lëvizje motorin e brendshëm. Si në jerm, në javët që pasuan, Tesla zhvilloi motorë të tjerë, gjeneratorë dhe transformatorë;të gjithë kishin nevojë për rrymë të alternuar ose e prodhonin vetë atë. “Një gjendje shpirtërore e një lumturie të plotë, që nuk e kisha provuar kurrë më parë”- shkroi ai. “Idetë më shfaqeshin në një rrjedhë të pandërprerë. Vështirësia e vetme, ishte si të arrija t’i sistemoja ato”.

Tesla e kuptoi se rryma altermative ofronte një avantazh vendimtar, në krahasim me atë të vazhdueshme:falë vetive të saj fizike, ajo mund të transportohej nëpërmjet kabllove për qindra kilometra, me thuajse asnjë humbje. Në një kohë që rryma e vazhdueshme, mund të kryente

vetëm për distanca të shkurtra.

Në Amerikë

Dy vjet më vonë, në 1884, ai dha dorëheqjen nga kompania, dhe mori rrugën për në Nju Jork, i pajisur me një letër rekomandim. Ai donte të punonte me të madhin Tomas Alva Edison, dhe ta bindte mbi vlerën e zbulimit të tij pionier.

Manjati i llambave, kishte ndërtuar centralin e parë në botë të energjisë në qendër të Manhatanit. Por prodhimi fillestar, ishte në gjendje të furnizonte vetëm llambat elektrike, në një rreze prej disa qindra metrash. Për këtë arsye, Edisoni planifikoi ta mbulojë qytetin me një rrjet gjeneratorësh.

Letra e rekomandimit, i garantoi Teslës mundësinë për t’u takuar personalisht me Edisonin. Megjithatë që nga takimi i parw, mbeti i zhgënjyer:kur ai prezantoi tiparet e sistemit të tij elektrik, amerikani ndërhyri i zemëruar, duke i thënë t’i jepte fund asaj çmendurie. “Njerëzit duan rrymë të vazhdueshme, dhe është e vetmja gjë me të cilën kam ndërmend të merrem”

Vjedhja e Edisonit

Gjithsesi, Edisoni e njohu talentin teknik të të riut serb dhe e mori atë në punë, duke i premtuar një çmim prej 50 mijë dollarësh, nëse ai mund të përmirësonte rendimentin e dinamos me rrymën e vazhdueshme. Tesla e pranoi ofertën. Pas gati një viti të vështirë pune, ishte në gjendje t’i bënte me dije shefit të tij suksesin e arritur:ndryshimet në dinamot “Edison” kishin përfunduar, efikasiteti ishte rritur ndjeshëm.

Por paratë e premtuara nuk iu dhanë. Edison refuzoi që t’ia paguajë çmimin:”Tesla, ju nuk e kuptoni humorin amerikan”- u justifikua ai. I zemëruar, Tesla dha dorëheqjen. Më vonë ai shkroi mbi gjeniun (e supozuar) të shekullit:”Në qoftë se Edisoni do të kërkonte gjilpërën në kashtë, do të shqyrtonte si një bletë fije pas fije, derisa të gjente objektin e kërkuar. Me dhimbje kam dëshmuar mënyrën e tij të të punuarit, i vetëdijshëm se pak teori pak dhe llogaritje, do t’i kishin kursyer 90 përqind të punës”.

Më mirë vetëm se në shoqëri të keqe

Puna e tij e shkëlqyer për ”Edison Electric Light Company”, e bëri gjithësesi të njohur Teslan në rrethet e ekspertëve. Menjëherë pas pushimit nga puna, 29 vjeçari pranoi ofertën e një grupi  investitorësh dhe themeloi kompaninë e tij “Tesla Electric Light and Manufacturing Company”.

Por edhe një herë shpresat e tij nuk u përmbën.

Në vend të përgatitjes dhe futjes në treg të sistemeve të energjisë alternative, me kërkesën e financuesve ai e gjeti veten duke ndërtuar mjete inovative ndriçimi për rrugë dhe fabrika. Tesla iu përkushtua me pedantizëm, krijimit të një llambe elektrike të harkuar,  duke fituar disa patenta. Por pasi i kreu detyrat e tij, ai u pushua nga puna, ndësa kompania e mashtroi mbi kompensimin. “Ka qenë një kohë lufte”-kujton thatë shpikësi. Për një vit e gjeti veten duke punuar në ndërtimin e rrugëve.

Pika e kthesës

Por në fillim të vitit 1887, fati i tij mori një kthesë të papritur:kreu i ekipit të ndërtimit, mori vesh për motorin e mrrekullueshëm të krijuar nga Tesla, dhe e takoi këtë të fundit me Alfred K. Brown, drejtorin e Western Union Telegraph Company.

Kompanitë telegrafike kishin nevojë për energji elektrike, dhe Brown ishte i interesuar në energjinë alternative, e cila mund të transmetohej në distanca të gjata pa humbje. Jo shumë larg nga kompania e Edison në Manhatan, të dy morën me qera një laborator të madh, ku Tesla kishte më në fund mundësi, të vinte në zbatim sisemin e tij të energjisë alternative

Lufta mbi energjinë elektrike

Kështu pra filloi lufta e energjisë elektrike:Tesla dorëzonte njëra pas tjetrës patentat e tij të shpikjeve, për përbërësit e motorit të tij inovativ, mbante leksione, dhe organizonte shfaqje përballë një publiku entuziast, dhe për këtë arsye tërhoqi shumë shpejt vëmendjen e industrialistit George Westinghouse.

Westinghouse, vetë një inxhinier dhe shpikës, kishte hyrë në tregun e energjisë elektrike prej disa vitesh, ndërsa kishte disa patenta shpikjesh.

Ndryshe nga Edison, ai besonte në rentabilitetin e teknikës së re. Ai i bleu patentat e Teslas, duke vendosur një tarifë parapagimi prej 2.5 dollarësh për çdo kuaj-fuqi të shitur ndaj “energjisë elektrike Tesla”. Dhe zbriti në fushën e betejës për rrymën alternative. Falë humbjeve të reduktuara të energjisë, Westinghouse ishte në gjendje të ndërtonte centrale energjitikë jashtë qytetit.

Përveç kësaj, kabllot e saj prej bakri ishin më pak të trasha sesa kërkohej, dhe se shpenzimet për linjat energjitike, ishin më të ulëta se të konkurrentëve. Për rrjedhojë, Westinghouse ishte në gjendje ta shiste energjinë elektrike me çmime më të favorshme se Edisoni, dhe shumë shpejt pati më shumë konsumatorë. Por ky i fundit u hodh në kundërsulm:mblodhi informacione mbi incidentet, që kishte shkaktuar rryma e alternuar, shkruajti pamflete dhe të ushtroi presion mbi politikanët.

Loja e pistë e Edisonit

Ai i pagoi studentët e rinj, të kapnin qen dhe mace, të cilët gjatë shfaqjeve, të lidhur në pllaka metalike, u kalohej rryma e alternuar në trupat e tyre derisa ngordhnin. Në fund pyeste spektatorët:”A është kjo shpikja, që gratë tona të dashura duhet të përdorin për të gatuar?”.

Në janar të vitit 1889, në shtetin e Nju Yorkut hyri në fuqi një ligj i ri:vrasësit do të dënoheshin me vdekje, përmes rrymës elektrike. Edisoni mori hak ndaj rrymës alternative.

Në gusht të vitit 1890 një burrë (William Kemler), vdiq në karrigen e parë elektrike nga rryma alternative. Çelësi duhej shtypur dy here, para se i dënuari të ndërronte jetë. Por fushata e shpifjeve e nisur nga Edisoni, nuk i arriti synimet e saj. Brenda dy viteve, Westinghouse ndërtoi më shumë se 30 centrale dhe furnizoi 130 qytete amerikane me rrymën e alternuar të Teslas.

Në vitin 1893, u shpall tenderi për ndriçimin në “Expo Çikago”:Westinghouse, ofroi gati një milionë dollarë më pak se Edisoni. Nga nëntori i vitit 1896 e tutje, qytetet në mbarë botën do të instalonin pothuajse në mënyrë unike, çentralet me rrymë elektrike të alternuar. Nikola Tesla ishte duke u bërë një nga njerëzit më të pasur në planet:sipas marrëveshjes së liçencës, duhej të ketë merrte një përqindje për çdo motor elektrik të shitur, dhe për çdo përdorim të patentave mbi rrymën e alternuar. Por investitorët e shtynë Westinghouse të ndryshonte kontratën.

Naiv apo shpirtmadh?

Sipërmarrësi i tha drejtpërsëdrejti Teslas, se nga vendimi i saj varej fati i kompanisë. Tesla, që tek Westinghouse shihte një mik, e grisi marrëveshjen dhe e ndërroi përqindjen për patentat, me një shumën standarde prej 216 mijë dollarësh. Në këtë mënyrë ai humbi çdo të drejtë, jo vetëm mbi tarifat e fituara, të llogaritura në 12 milionë dollarë, por edhe në miliarda që do të prodhoheshin në të ardhmen.

Për Teslan, paratë nuk ishin të rëndësishme:ajo që kishte rëndësi, ishte përhapja e teknikës së tij. Shpikësi u zhyt në kërkime të reja. Ai imagjinonte një botë, në të cilën të gjithë njerëzit do të merrnin energji falas dhe të pakufizuar. Për Teslan, rrjetet energjitike ishte vetëm një fazë e ndërmjetme në rrugën drejt një sistemi pa tel, në gjendje t’i dërgonte mbarë botës informacion dhe energji.

Energji në distancë

Në vitin 1898, ai krijoi radiomarrësen e parë në distancë. Një vit më pas, nga një laborator që ndodhej afër Colorado Springs, ia doli të dërgojë valët e radios në një distancë prej më shumë se 1 mijë kilometrash. Në vitin 1900, Tesla gjeti një sponsor për ndërtimin e një kulle-antenë futuristike në Long Island:qëllimi i tij ishte të dërgonte në atmosferën e sipërme valë me shumë energji, për t’a shpërndarë atë rreth globit.

Por vetëm para përfundimit të projektit, investitori u tërhoq:nëse dikush në botë do të ishte në gjendje ta përdorte pa kontroll energjinë e prodhuar në Long Island, prej nga do të vinin fitimet? Tesla pësoi një lodhje nervore, nga e cila mezi ia doli të shërohet.

Në vitin 1917, skela e kullës së çelikut u hodh në erë, dhe  u shit për skrap për 1 mijë dollarë. Në të njëjtin vit, shpikësi duhej të merrte çmimin prestigjioz “Medaljen Edison”. Por Tesla e refuzoi:çmimi do t’i jepte prestigj vetëm Edisonit. Bernard Arthur Behrend, kryetar i jurisë, e bindi atë ta pranonte çmimin.

“Në rast se do ta privonim botën industriale nga gjithçka që ka lindur nga puna e Teslas”-tha Behrend- “rrotat tona do të ndaleshin së ecuri, makinat elektrike dhe trenat do të ndalonin, qytetet do të ishin të zhytura në errësirë dhe fabrikat do rrënoheshin. Puna e tij ka një rëndësi të atillë, saqë është bërë baza e industrisë sonë”.

Pavarësisht famës dhe 700 patentave të tij, magjistari i energjisë elektrike, nuk pati kurrë sukses ekonomik. Më 7 janar 1943, në moshën 86-vjeçare, Nikola Tesla, shpikësi më painters në histori, vdiq i varfër në një dhomë hoteli në Nju Jork. / Geo – www.bota.al

Nuk ka komente

Vendos komentin tend

Your email address will not be published. Required fields are marked *