Home»Lifestyle»Nuk ka jetë, pa kënaqësinë … Pa të, ndoshta do të ishim shfarosur…

Nuk ka jetë, pa kënaqësinë … Pa të, ndoshta do të ishim shfarosur…

Është e pavërtetë shprehja “më parë detyra, pastaj kënaqësia”:kënaqësia është forca kryesore që mbështet jetën tonë, dhe na nxit të gjejmë energji për t’u riprodhuar, kujdesur për pasardhësit dhe ushqyer. Nëse nuk do të ishte për të, ndoshta specia njerëzore tashme do të ishte shfarosur…

Për disa besime fetare dhe filozofi është qëllimi përfundimtar i jetës, për të tjerat një shpërqendrim nga objektivat më fisnikë. Kënaqësia është universale, fizike apo mendore qoftë. Dhe është në fakt thelbësore për qeniet e gjalla:i nxit ato të përmbushin detyrat e lodhshme si çiftimi, riprodhimi dhe ushqyerja. Tek e fundit, cili organizëm për të humbte kohë, energji dhe lodhje në qoftë se seksi, fëmijët dhe ushqimi, nuk do të ishin burime kënaqësie për trupin dhe shqisat? E megjithatë, ajo është gjithmonë subjekt i kritikave dhe ndalimeve.

“Në vitin 1998, ndërsa isha me pushime në Bangkok të Tajlandës”- tregon Dejvid Linden, profesor i neuroshkencës në Universitetin Xhon Hopkins (SHBA), dhe autor i librit “Busulla e kënaqësisë”, “u përballa me pyetjet e vazhdueshme të një indigjeni që më pyeste nëse doja në një farë mënyre të argëtohesha:ndonjë grua, burrë, transeksual, pak drogë apo ndeshje me gjela. Gjëja që i bashkonte këto oferta ishte vesi. Dhe çfarë është vesi, në mos një kërkim i përsëritur i kënaqësisë?”.

Nën mbikëqyrjen e shoqërisë

Pikërisht nga lidhja mes kënaqësisë dhe vesit, lind stigma sociale. Dëgjojmë në mënyrë të përsëritur se duhet të mendojmë për detyrën para kënaqësisë, se duhet të angazhohemi dhe djersisim për të arritur atë që duam, dhe se kërkimi i kënaqësisë së çastit është një burim shqetësimesh.

Nuk është rastësi që shumë burime kënaqësie, janë gjithmonë subjekt i ndalimeve dhe kufizimeve sociale:në Perëndim seksi mes racave të ndryshme nuk cilësohet diçka e mirë, ushqimi na bën të ndihemi në faj, drogat janë thuajse kudo të paligjshme. “Këto”- thotë Alberto Zati, profesor i psikologjisë sociale dhe komunitetit në Universitetin e Bergamos në Itali dhe autor i librit “Antropologjia minimale e kënaqësisë”, “janë kënaqësi konsumatore që nga lashtësia.

Pra lindin nga nevoja biologjike, dhe qetësohen vetëm kur objekti i dëshirës shtihet në dorë. Megjithatë, ekziston një formë tjetër kënaqësie më e evoluar:ajo funksionale, që rrjedh nga ushtrimi i aftësive tona, edhe pa një kthim të menjëhershëm, sikurse është sporti. Kënaqësia materiale është gjithësesi e rëndësishme për shëndetin e njeriut, dhe nuk duhet të fajësohet”.

Më së pari, pasi na bën të ndihemi mirë.

Këtë e shohim edhe në natyrë, ku rasti më i dokumentuar është ai e majmunëve Bonobo në Afrikën Qendrore, për të cilët seksi në grup është një mjet përmes të cilit komunitetet zgjidhin në mënyrë paqësore fërkimet e brendshme. Çështja është se që qeniet njerëzore të bëhen të ndërvarur nga kënaqësia është shumë e lehtë:sot “dua gjithçka tani” është një mendim dominant, nga promovimi profesional tek marrëdhënie romantike.

“Ne jemi gjithnjë e më në gjendje të përballojmë pritjen e kënaqësisë”- shpjegon Enriko Shvendiman, psikoterapist në qendrën italiane për promovimin e ndërmjetësimit në Milano. “Pjesërisht kjo ndodh për shkak të edukimit të prindërve, të cilët kënaqin menjëherë fëmijët me gjithçka që ata kërkojnë”.

Vlera e pritjes

“Pritja e kënaqësisë është vetë kënaqësia” thoshte filozofi gjerman i Iluminizmit, Gothold Efraim Lesing. Sekreti është pra një rrugë e mesme:nuk duhej fajësuar asnjëherë kënaqësia, por duhet mësuar të pritet ajo, pa djegur etapat. Aktivitetet sportive përfaqësojnë formën më të mirë të kënaqësisë për trurin:japin kënaqësi, por jo menjëherë. Madje fillimisht shkaktojnë lodhje, pse jo edhe dhimbje.

Megjithatë, nxitja për të vënë në punë aftësitë tona fizike dhe mendore, na jep një formë kënaqësie më të gjatë e të qëndrueshme. “Duhet kërkuar me masë, merituar dhe marrë në mënyrë të natyrshme”-thotë Linden. Arsyeja? Kënaqësia vetëm me kënaqësitë konsumiste, të ndëshkon me një ekzistencë të kufizuar:”Në rast se duam, mund të jetojmë duke ngrënë vetëm sa i jepet një fëmije disa muajsh. Por kjo do të pengonte aftësinë tone për t’u përshtatur ndaj mjediseve, në të cilat këto ushqime nuk janë në dispozicion”-shpjegon Zati.

Rregulli vlen edhe në shtrat

Ne në Perëndim, priremi të barazojmë kënaqësinë seksuale me orgazmën, ndërsa në kulturat lindore i jepet më shumë rëndësi marrëdhënieve, duke filluar tek ato përgatitore. Vetëm në

këtë mënyrë, për një mashkull, vonimi i ejakulimit mund të bëhet i këndshëm:kjo i jep kënaqësi partnerit, dhe e lejon të ndjejë se ka nën kontroll trupin e tij.

Këtë e konfirmon edhe shkenca:të mësojmë të presim kënaqësinë, na bën më të sigurt për veten. Ajele Fishbah nga Shkolla Booth e Biznesit në Universitetin e Çikagos (SHBA), publikoi pikërisht për këtë çështje një studim në gazetën “Sjellja Organizative dhe Proceset Vendimmarrëse të Njeriut”, pas kryerjes së një eksperimenti me 3 grupe vullnetarësh.

Secilit iu ofruan shpërblime në para, në vlera dhe kohë të ndryshme. Nga testet të cilave iu nënshtruan subjektet, u zbulua se ata që kishin pritur më shumë, i kishin caktuar një vlerë më të lartë qëllimit të pritjes, duke bërë zgjedhjen e duhur në drejtim të përfitimit ekonomik, e duke patur më shumë kënaqësi personale.

“Shpesh”- shpjegoi shkencëtarja “ne i japim më shumë vlerë gjërave që marrim menjëherë, duke nënvlerësuar vlerat e asaj që ju mund të kemi pas një pritjeje të gjatë”. Pra nuk jetohet vetëm për detyrën. Por e rëndësishme është që kënaqësia të jetë e merituar, dhe asnjëherë shumë e arritshme:kjo përputhet me mirëqënien tonë. / Focus – www.bota.al

Nuk ka komente

Vendos komentin tend

Your email address will not be published. Required fields are marked *