Home»Horizonti.al»Përse të paaftët mendojnë që janë shumë të zotë?

Përse të paaftët mendojnë që janë shumë të zotë?

Edhe nëse nuk keni dëgjuar ndonjëherë për efektin Dunning-Kruger, me siguri e keni parë në veprim: politikani i papërvojë që ka opinione të fortë mbi cështjet globale, një aktor apo këngëtar i famshëm në një kryqëzatë kundër shkencës, eksperti i vetëshpallur i ekonomisë që humbet para sa majtas djathtas. Efekti Dunning-Kruger është fenomeni i cuditshëm, që i bën njerëzit e paaftë apo të paarsimuar, të mbivlerësojnë aftësitë e tyre.

Psikologu David Dunning ka studiuar për një kohë të gjatë ndërgjegjësimin e njerëzve mbi proceset e veta të të menduarit – një fushë e shkencës e njohur si metakonjicioni. Në 1999, ai dhe studenti i tij Justin Kruger botuan një studim në Revistën e Personalitetit dhe Psikologjisë Sociale me titull “I paaftë pa e ditur: Si ndodh që vështirësitë në njohjen e paaftësisë tënde, të shpien në vetëvlerësim të fryrë”. Në të, studiuesit kryen një seri eksperimentesh që u kërkonin studentëve të kolegjit të bënin një vlerësim se sa për të qeshur ishin shakatë (që më pas i krahasonin me vlerësimet e komedianëve profesionistë), të identifikonin gabime gramatikore, dhe t’u përgjigjeshin pyetjeve që kishin të bënin me arsyetimin logjik. Ata që kishin dalë më keq në teste, mendonin se kishin dalë më mirë. Ndërkohë që, ata që kishin dalë më mirë, kishin prirjen të nënvlerësonin aftësitë e tyre. Në studim, shkencëtarët parashtruan të vërtetën e trishtë: njerëzit e paaftë nuk mund ta dinë se janë të tillë, për shkak se paaftësia e tyre është pikërisht ajo gjë që u heq aftësinë për të kuptuar se sa të paaftë janë.

Eshtë e kollajtë të gjykosh të tjerët, apo jo? Por në të vërtetë efekti Dunning-Kruger nuk lë tru të paprekur: ti e bën dhe nuk e di që e bën. Sado që mendoni që dini në shumë fusha, ka gjithmonë fusha për të cilat nuk dini, por mendoni që dini. Nëse kjo ju bën të ndiheni të paqetë, Dunning ka disa fjalë ngushëlluese: “Me kalimin e viteve, jam bindur për një fakt shumë të rëndësishëm për mendjen injorante. Nuk duhet menduar si e painformuar. Duhet menduar si e keqinformuar”. Që do të thotë se një mendje injorante nuk është bosh; ajo është e mbushur me informacionin e gabuar. Gjithësesi, është i vetmi informacion që ke, kështu që ajo që bëjmë, është që mbështetemi tek ai, sikur të jetë i besueshëm.

Për të kapërcyer këtë, Dunning rekomandon që të bëheni avokati i djallit me veten tuaj. Pyesni veten se si mund ta keni gabim, apo si pritshmëritë tuaja mund të rezultojnë të gabuara. Mos supozoni që dini – jini kritikë të informacionit që keni. / www.bota.al

Nuk ka komente

Vendos komentin tend

Your email address will not be published. Required fields are marked *