Home»Ekonomi»Ngjitja, rënia dhe rikthimi i ekonomisë së Kinës, në 800 vitet e fundit

Ngjitja, rënia dhe rikthimi i ekonomisë së Kinës, në 800 vitet e fundit

Ekonomia e Kinës e kishte lënë shumë prapa homologen e vet europiane në fillimet e Rilindjes.

Në fakt, Kina ishte kaq përpara, saqë historiani i ekonomisë Eric L. Jones ka argumentuar një herë se perandoria kineze ishte “një fije floku larg industrializimit, në shekullin e katërmbëdhjetë.

Në fillimin e shekullit 15, Kina kishte tashmë busullën, shtypshkronjën e lëvizshme, si dhe kapacitete të shkëlqyera lundrimi. Në fakt, admirali kinez Zheng He komandoi ekspedita në Azinë Juglindore, Azinë Jugore, Azinë Perëndimore, dhe Afrikën Lindore, që nga vitet 1405-1433 – pothuaj një shekull përpara se portugezët të mbërrinin në Indi. Gjithashtu, ai kishte anije disa herë më të gjata se sa Santa Maria e Kristofor Kolombit, e cila ishte më e madhja e tre anijeve me të cilat Kolombi përshkoi Oqeanin Atlantik.

Megjithatë, është e vështirë të shohësh ndryshimet e mëdha që fatet e ekonomisë së Kinës kanë pësuar, vetëm përmes anektodave historike. Dhe kështu, në një shënim kohët e fundit për klientët, Viktor Zhvets i “Macquarie Research” ka përfshirë dy grafikë vërtetë interesantë, që tregojnë ndryshimet që ka pësuar Kina në 800 vitet e fundit, të cilët mund t’i shihni më poshtë.

Grafiku i parë tregon përqindjen e ekonomisë së një vendi, si pjesë e ekonomisë së përgjithshme të botës.

Në shekujt 15 dhe 16, Kina zinte pothuaj 25-30% të ekonomisë globale, por në vitet 1950-1970, pas shkatërrimit në Luftën e Dytë Botërore dhe nën udhëheqjen e Mao Cedunit, ajo ra nën 5%. Sot, ekonomia e saj zë afro 17% të ekonomisë globale – afërsisht e barabartë me të SHBA.


Ekonomia globale – Përmasa relative (Dollarë 1990)


Grafiku i dytë krahason GDP për frymë në Kinë, Japoni dhe SHBA, me GDP e Britanisë për frymë, matur me dollarët e 1990. Në këtë rast, GDP për frymë e Britanisë në secilin vit shtë 100, kështu që nëse një shifër nga Kina, Japonia apo SHBA është mbi 100, atëherë GDP për frymë i saj është më i madh se sa i Britanisë.

Si shkruan Shvets, në bazë të pasurisë për frymë, Kina ka qenë pjesa më e pasur e botës në vitet 1200-1300 – përveç Italisë. Madje deri në fundin e viteve 1600, ajo ishte pothuaj e barabartë me britanikët. Megjithatë, pas kësaj, GDP për frymë krahasuar me Britaninë bie deri në vitet 1970, atëherë kur ishte nën 10% të standartit të jetesës së britanikëve. Rreth vitit 1990, ajo nis të rritet sërish, por gjithësesi ende nuk i arrin nivelet e viteve 1200-1300.

Interesant është fakti që edhe Japonia ndoqi një trajektore në zbritje nga vitet 1200 deri në vitet 1950 – kur GDP për frymë e saj ishte afërsisht sa 28% e Mbretërisë së Bashkuar, në përfundim të Luftës së Dytë Botërore. Megjithatë, ndryshe nga Kina, GDP për frymë në Japoni u rrit shpejt dhe nga 1970 deri më sot është e krahasueshme me atë të Britanisë.


GDP për frymë (me dollarët e 1990)


Një tjetër gjë që bie në sy është se, ndonëse përmasa e ekonomisë së Kinës në tërësi sot është pothuaj e barabartë me të SHBA, GDP për frymë e saj është ende shumë më i ulët. Ndërkohë, pjesa që Japonia zë në ekonominë globale është shumë më e ulët se sa e SHBA dhe Kinës, por GDP për frymë i saj është pothuaj i barabartë me të Mbretërisë së Bashkuar – shumë më lartë se sa i Kinës.

Sidoqoftë, duke bërë bashkë dy grafikët, Shvets shtoi se “pjesa më e madhe e rënies relative dhe absolute ndodhi nga shekulli 18 e këtej, gjë që përkoi me shtimin e ritmit të revolucioneve industriale, të cilët sollën epokën moderne me ritme shumë më të larta të rritjes së produktivitetit”. / Business Insider – www.bota.al

Nuk ka komente

Vendos komentin tend

Your email address will not be published. Required fields are marked *