Home»Bota»NATO: Marshim trupash në Lindje

NATO: Marshim trupash në Lindje

Gjeneralmajori i ushtrisë gjermane, Bundeswehr, Josef Blotz e quan “një operacion të madh logjistik”. Tri anije të marinës së SHBA-së ngarkojnë ndërkohë në Bremerhaven ngarkesën e tyre: armë dhe pajisje të brigadës tankiste të divizionit të katërt të këmbësorisë të SHBA. Gjithsej 900 makina me mallra, të cilat do të krijonin bashkë një varg prej 14 kilometrash do të kalojnë ditët e ardhshme nëpër Gjermaninë e Veriut dhe pastaj më tej në Poloni, dhe veç tyre edhe shumë autokolona me kamionë.

Operacioni “Atlantic Resolve” është një shenjë e angazhimit të vazhdueshëm të SHBA për Evropën për stabilizimin e paqes, tha në Bremerhaven Timothy McGuire, zëvendëskomandanti i përgjithshëm i forcave të armatosura tokësore të SHBA në Evropë. Vitin e kaluar SHBA bëri të ditur se do të dërgojë një brigadë të përhershme luftarake shtesë në Evropë. Presidenti Barack Obama do t’u japë siguri para së gjithash Polonisë, Estonisë, Letonisë dhe Lituanisë, se në pikëpamje ushtarake SHBA janë pranë tyre. Këto shtete ndihen të kërcënuara nga agresioni rus në Ukrainë.

Amerikanët janë pjesë e një strategjie të gjerë të NATO-s. Që prej këtij viti, aleanca do të stacionojë katër brigada luftarake multinacionale, secila me rreth njëmijë ushtarë në Poloni dhe në tri shtetet baltike. Kjo bazohet në një vendim të takimit të nivelit të lartë të NATO-s të gushtit të vitit të kaluar. Në përforcimin e pranisë së NATO-s në Lindje bën pjesë edhe stacionimi i një batalioni gjerman me deri 500 ushtarë në Lituani, në veri të të ashtuquajturit Boshllëk i Suvalkit. Ky korridor i ngushtë tokësor prej rreth 65 kilometrash në vijë ajrore konsiderohet si thembra e Akilit e NATO-s në rastin e një mbrojtjeje të mundshme të shteteve baltike.

Vringëllim shpatash apo sigurim defensiv i paqes?

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg e quajti para pak ditësh operacionin “të matur dhe defensiv” dhe tha se ai siguron paqen: “Ne ndodhemi në një situatë, në të cilën pala ruse po armatoset intensivisht dhe duket se ka vullnetin që të përdorë dhunë kundër fqinjit të saj Ukrainë.” Bëhet fjalë për një “prani ushtarake, multinacionale të kufizuar, e cila do të tregojë se ne rrimë të bashkuar dhe e mbrojmë njëri-tjetrin”.

Stoltenbergu nuk do t’ia dijë fare as për një distancim të ardhshëm të SHBA nën Trumpin, nga aleatët evropianë: Trumpi i ka thënë atij “se ndihet i lidhur me NATO-n dhe me aleancën transatlantike. Veç kësaj, Kongresi në SHBA sapo vendosi një katërfishim të buxhetit për praninë e SHBA në Evropë. Prandaj jam optimist se SHBA do t’u përmbahen detyrimeve të tyre”, tha Stoltenberg.

Shtetet Baltike në rast rreziku nuk mbahen dot

Një fjali vendimtare e Stoltenbergut megjithatë duhet t’i ketë zemëruar shtetet lindore të NATO-s. Në lidhje me një kërcënim të supozuar rus, Stoltenbergu tha: “Nga Rusia nuk buron ndonjë rrezik direkt për njërin nga partnerët e Aleancës.” Njëkohësisht ai tha për praninë e NATO-s se “bëhet fjalë për disa mijëra ushtarë në krahasim me dhjetëra mijëra ushtarët rusë.”

Pikërisht në këto raporte forcash e shohin strategët problemin. Sepse po të dojë Rusia, në sajë të epërsisë së saj të madhe ushtarake në rajon ajo mund t’i marrë pa mundim të paktën tri vendet baltike. Në këtë përfundim arrijnë politikanë perëndimorë të mbrojtjes. Në një analizë të qendrës kërkimore amerikane RAND, për të cilën bashkëpunuan edhe ish-Komandanti i Përgjithshëm i NATO-s, Wesley Clark dhe ish- Komandanti i NATO-s, Egon Ramms, thuhet se Rusia mund ta pushtojë lehtë lidhjen tokësore midis Polonisë dhe Shteteve Baltike, Boshllëkun Suvalki. Këmbësoria e NATO-s “nuk do të ishte në gjendje as të tërhiqej. Ajo do të shkatërrohej në vend.” Do të mbetej vetëm përpjekja e rimarrjes së vendeve baltike. Por kjo do të përfundojë “në katastrofë”, thuhet në studim. Për vendet baltike këto nuk janë rezultate qetësuese. /Deutsche Welle

Nuk ka komente

Vendos komentin tend

Your email address will not be published. Required fields are marked *