Home»Bota»Mirë se vini në shekullin e emigrantit

Mirë se vini në shekullin e emigrantit

Nga Thomas Nail

Sot ka më shumë se 1 miliardë emigrantë rajonalë dhe ndërkombëtare, dhe numri i tyre vazhdon të rritet:Brenda 40 vitesh, mund të dyfishohet për shkak të ndryshimit të klimës. Ndërsa shumë prej këtyre emigrantëve, mund të mos kapërcejnë një kufi rajonal apo ndërkombëtar, njerëzit ndryshojnë më shpesh vendbanimet dhe vendet e punës, ndërsa udhetojnë çdo ditë më gjatë dhe më larg për të punuar.

Kjo rritje e lëvizshmërisë dhe dëbimit të njerëzve na prek të gjithëve. Ajo duhet të njihet si një tipar përcaktues i epokës sonë: Shekulli XXI, do të jetë shekulli i emigrantit. Për ta menaxhuar dhe kontrolluar këtë lëvizshmëri, bota po bëhet gjithnjë e më rrethuar nga kufijtë. Në vetëm 20 vitet e fundit, por sidomos që prej sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001 në SHBA, qindra kufij të rinj janë ndërtuar nëpër botë:mijëra km gardhe me tela me gjemba dhe mure betoni, qendra të shumta të paraburgimit në ishujt të ndryshëm, baza të të dhënave biometrike të pasaportave, si dhe pika kontrolli të sigurisë në shkolla, aeroporte, dhe përgjatë rrugëve të ndryshme në të gjithë botën.

Të gjithë dëshmojnë shqetësimin aktual, mbi kontrollin e lëvizshmërisë sociale përmes kufijve. Megjithatë ky shqetësim, përkon me historinë e qytetërimit perëndimor. Në fakt, shumica e ekspansionit të këtij qytetërimi, kërkoi përjashtimin e vazhdueshëm të popullatave të emigrantëve. Kjo përfshinte teknikat e dëbimit të popullatave të ndryshme nga vendi i tyre nëpërmjet gardheve të reja (të shpikura gjatë periudhës Neolitike); teknikave politike të zhveshjes së njerëzve nga e drejta e tyre e lëvizjes së lirë dhe ndërtimi i mureve të reja për të mbajtur jashtë të huajt (shpikur gjatë periudhës së lashtësisë, dhe vënë në përdorim në Egjiptin, Greqinë dhe Romën e Lashtë); teknikat juridike të kriminalizimit dhe syrgjynosjes (shpikur gjatë Epokës Evropiane të Mesjetës); dhe teknikat ekonomike të papunësisë dhe shpronësimit, të mbikëqyrura nga një seri e vazhdueshme e pikave të kontrollit (një risi e epokës moderne). Rrikthimi dhe përzierja e të gjitha këtyre teknikave historike, mendohet se është nxitur nga liberalizmi modern, që tashmë përcakton një pjesë në rritje të jetës së përditshme shoqërore.

Ky është shekulli i emigrantit, sepse rrikthimi i këtyre metodave historike, e bën tashmë të qartë për herë të parë se emigranti ka qenë gjithmonë një figurë sociale konstituive. Me fjalë të tjera, emigrantët nuk janë figura margjinale apo të jashtëzakonshme, sikurse janë trajtuar shpesh, por një levë e rëndësishme, me të cilën të gjitha shoqëritë ekzistuese kanë mbështetur dhe zgjeruar formën e tyre sociale.

Shoqëritë territoriale, shtetet, sistemet juridike, dhe ekonomitë kërkojnë të gjitha përjashtimin social të emigrantëve, në mënyrë që të zgjerohen. Shpërthimi i fundit i lëvizshmërisë, kërkon që ne të rimendojmë historinë politike nga perspektiva e emigrantit. Marrim një shembull nga historia e lashtë:barbari (emri i dytë kryesor historik i emigrantit, pas termit nomad).

Në Perëndimin e lashtë, forma dominuese sociale e shtetit politik nuk do të kishte qenë e mundur pa dëbimin masiv, apo shpronësimin politik të një mase të madhe skllevërish barbare, të rrëmbyer nga malet e Lindjes së Mesme dhe Mesdheut dhe të përdorur si punëtorë, ushtarë dhe shërbëtorë, në mënyrë që klasa në rritje në pushtet të mund të jetonte në luks – e rrethuar me muret e qytetit.

Botët e romantizuara të Greqisë dhe Romës klasike, qenë ndërtuar dhe mbështetur nga skllevërit emigrantë, nga “barbarët”, të cilët Aristoteli i përcaktoi nga lëvizshmëra e tyre themelore dhe paaftësia e tyre natyrore për veprim politik, shprehi në të folur, dhe organizim. Disa nga këto teknika të njëjta – dhe arsyetimet e tyre – të përjashtimit të lashtë politik, janë në fuqi ende sot.

Emigrantët në SHBA dhe Evropë, me apo pa dokumentacion të rregullt qëndrimi, mbështetin sektorë të tërë të jetës ekonomike dhe shoqërore, të cilat do të shembeshin pa to.

Njëkohësisht, këta emigrantë mbeten kryesisht të depolitizuar në krahasim me qytetarët që mbështen tek puna e tyre, shpesh për shkak të statusit të tyre pjesshëm apo të munguar. Ashtu si grekët dhe romakët, që qenë të aftë të realizonin një ekspansion të pabesueshëm ushtarak, politik dhe kulturor vetëm mbi kushtin e përjashtimit politik të emigrantëve të krahut të lirë të punës, po kështu ndodh sot me evropianët dhe amerikanët.

Nëse kjo lidhje duket e çuditshme, merrni pastaj në konsideratë sesi emigrantët janë përshkruar në media kohët e fundit. Lidhja retorike është aq e dukshme, sa edhe arkitektura e ndërtimit të mureve kufitare gjigante. Në SHBA, njerëz të tillë si Samuel Hantington dhe Patrik Bukanan  shprehën shqetësimin lidhur me një “pushtim të emigrantëve meksikanë” të “qytetërimit amerikan”.

Në Mbretërinë e Bashkuar, “The Guardian” publikoi një editorial mbi krizën e Evropës, që përfundonte duke i përshkruar refugjatët si “të shpronësuar të frikësuar” që janë duke “mësyrë vrullshëm në portat e Evropës” – një referencë e drejtpërdrejtë historike ndaj pushtimit barbar të Romës. Në Francë, favoritja në garën presidenciale Marin Lë Pen, tha në një tubim në vitin 2015 se “ky fluks migrator do të jetë si pushtimi barbar i shekullit IV, dhe pasojat do të jenë po të njëjta”.

Edhe presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, i përshkroi refugjatët e kohëve të fundit me të njëjtat “ujëra të rrezikshme” dhe metaforat ushtarake të përdorura nga romakët për depolitizimin e barbarëve:Refugjatët janë një “dallgë e madhe” që është “derdhur mbi Evropë”, duke prodhuar “kaosin” që duhet të “frenuar dhe menaxhuar. “Gradualisht jemi duke u bërë dëshmitarë të lindjes së një forme të re të presionit politik”- pretendoi Tusk, “dhe madje disa e kanë quajtur edhe një lloj një lufte të re hibride, në të cilën valët e emigracionit janë shndërruar në një mjet dhe armë kundër fqinjëve”. Ky do të jetë shekulli i emigrantit, jo vetëm për shkak të madhësisë absolute të fenomenit, por edhe pse asimetria ndërmjet qytetarëve dhe emigrantëve ka arritur në fund në pikën e saj historike të thyerjes.

Perspektivat për çdo përmirësim strukturor në këtë situatë, janë të vështira për t’u imagjinuar, por alternativat nuk janë pa precedentë historikë. Para se të shqyrtohet çdo lloj zgjidhjeje e veçantë, hapi i parë drejt çdo ndryshimi duhet të jetë hapja e proçesit të vendim-marrjes politike ndaj të gjithë të prekurve nga ndryshimet e propozuara, pavarësisht nga statusi. E vetmja rrugë në marshimin e gjatë për drejtësi ndaj emigrantëve dhe barazi sociale, është dhënia e një statusi për të gjithë ata. / “Aeon” – www.bota.al

Nuk ka komente

Vendos komentin tend

Your email address will not be published. Required fields are marked *