Home»Speciale»2017 / Shkenca në shtatë ide

2017 / Shkenca në shtatë ide

Kurthet e mendjes për të na shkoklavitur në Internet. Pranimi i entropisë në epokën e kaosit. Kurioziteti negativ, strategji fituese. Vazhdimi i ndotjes do e vrasë planetin. Universi është i shumëfishtë dhe duhet zbuluar. Teoritë e Njutonit mbeten më eficientet. Përtej të vërtetës dhe të pavërtetës ka edhe një opsion të tretë

Kurthet e mendjes për të na shkoklavitur në Internet

Premtimi i madh i Internetit ishte që më shumë informacione do të na shpinin drejt vendimeve më të mirë. Zhgënjimi i madh është që në realitet, më shumë informacione sjellin më shumë mundësi për të konfirmuar besimet e gjithësecilit. Eshtë nj kurth konjitiv i “paragjykimit të konfirmimit”. Të ndërrosh mendje është një lodhje mendore, që instiktivisht përpiqemi ta shmangim. Mes mijëra burimesh, përzgjedhim ato që konfirmojnë paragjykimet tona. Mes dy versioneve, kujtojmë gjithmonë atë që na jep të drejtë.

Pranimi i entropisë në epokën e kaosit

Ligji i dytë i termodinamikës thotë se në një sistem të izoluar entropia, domethënë kaosi, ka prirjen të rritet. Ky koncept është shumë i rëndësishëm për fatet tona, aq sa injorimi i ligjit të entropisë është po aq i rëndë sa të mos njohësh Shekspirin. Gjërat kanë prirjen të shkojnë keq, gjithcka fishket. Kjo do të thotë që s’mund të jetë faji ynë, nëse jemi të pafat. Edhe të shpresosh nuk mjafton: duhet të punosh shumë për të sprapsur valën e entropisë dhe të krijosh vendstrehimi rregulli dhe rendi brenda kaosit.

Kurioziteti negativ, strategji fituese

Sipas Aristotelit, njerëzit dëshirojnë dijen. Por duhet të kujtojmë se ka edhe një kuriozitet negativ që shtyn të mos duam të mësojmë. Injoranca mund të jetë një strategji rehatie, si për shembull kur ecim me sy në telefon duke detyruar të tjerët të na shmangin. Mund të ruajë suspansën apo të vonojë lajmet e këqia. Në rastin më të mirë është një rrugë drejt paanshmërisë, në fakt shpesh herë perëndesha e drejtësisë shfaqet shpesh me sytë lidhur.

Vazhdimi i ndotjes do e vrasë planetin

Planeti është gjallë. Mund të imagjinohet Toka si një organizëm që vetërregullohet, por do të ishte më mirë ta shihnim si një xhungël me njësi të ndërlidhura që ndikojnë në përbërjen e atmosferës, e si pasojë edhe temperaturën. Në rastin pesimist, qeniet njerëzore do të ishin sëmundja e Gaias: duke e ndotur do e bëjmë të pajetueshme. Në rastin pozitiv, pasi bakteret kanë dominuar për miliarda vite, tani e ardhmja e Tokës varet nga ne.

Universi është i shumëfishtë dhe duhet zbuluar

E quajmë univers, por mund të jetë edhe multivers. Jemi si një plankton në një lugë me ujë deti, të pavetëdijshëm për madhësinë e botës. Kozmosi mund të jetë një arkipelag, nga i cili sot njohim vetëm një ishull të vogël të hapësirë-kohës. Një prej sfidave do jetë t’i përgjigjemi dy pyetjeve: Big Bang ka qenë vetëm një apo kanë qenë disa? Dhe nëse janë disa, udhëhiqen nga e njëjta fizikë, apo ekzistojnë mikrofizika të ndryshme për pasoja të ndryshme për jetën?

Teoritë e Njutonit mbeten më eficientet

Kujdes, karrigja ku jeni ulur është bosh. Objektet përbëhen nga atome, që janë të përbërë nga bërthama dhe elektrone, të cilët vijnë vërdallë duke e lënë pjesën më të madhe të hapësirës bosh. Megjithatë përshkrimi i karrikes si një njësi solide funksionon mjaftueshëm, aq sa për të na bërë të ulemi. Në të njëjtën mënyrë ligjet e Njutonit mbeten një teori eficiente, e mirë për të ndërtuar ura dhe për të dërguar në orbitë satelitë, por duke gërrmuar nën siguritë e fizikës klasike do gjejmë surpriza të relativitetit dhe të mekanikës kuantike.

Përtej të vërtetës dhe të pavërtetës ka edhe një opsion të tretë

Në logjikën klasike, një frazë është e vërtetë ose e pavërtetë, nuk ekziston një mundësi e tretë. Tertium non datur. Por në mbretërinë e mekanikës kuantike mundësitë janë më të shumta, mjafton të mendojmë për paradoksin e maces të Shrëdingerit, gjallë apo vdekur në të njëjtën kohë. Koncepti i “të tretit të përfshirë” po frymëzon një mënyrë të re të menduari që shkon përtej zgjedhjeve binare. konceptimi i një hapësire ku mund të bashkëekzistojnë kontradikta të dukshme mund të rezultojë e dobishme për studimin e ndërgjegjes dhe për inteligjencën artificiale. / Corriere della Sera – www.bota.al

Nuk ka komente

Vendos komentin tend

Your email address will not be published. Required fields are marked *