Home»Bota»007-at “vënë vulën”: Putini dha urdhërin për të ndihmuar Trumpin të fitojë

007-at “vënë vulën”: Putini dha urdhërin për të ndihmuar Trumpin të fitojë

Pas shumë debateve, ka ardhur dita e përballjes së madhe mes presidentit të ri të SHBA, Donald Trump, dhe krerëve të shërbimeve sekrete amerikane, që dje në pasdite janë mbledhur në Nju Jork, në Kullën e Trumpit, për të ilustruar, në një raport të destinuar për të mbetur sekret, gjithçka që shërbimi i fshehtë ka zbuluar mbi ndërhyrjet e hacker-ave rusë në procesin zgjedhor amerikan.

Sipas agjencive të sigurisë, presidenti rus Vladimir Putin dhe qeveria e tij kanë urdhëruar në mënyrë të drejtpërdrejtë një fushatë për “të mbështetur” zgjedhjen e Donald Trumpit, “duke diskredituar sa më shumë që të mundej” sfidanten e Partisë Demokratike, Hillary Clinton. Nga ana e tij, Trumpi ka pranuar për herë të parë mundësinë që rusët të kenë vënë në shënjestër objektiva amerikane. “Por nuk ka patur absolutisht efekte mbi rezultatin e zgjedhjeve”, ka saktësuar presidenti amerikan.

Udhëheqësi që pas pak ditësh do të hyjë në Shtëpinë e Bardhë, ka vazhduar të sulmojë punën e strukturave informative të ngarkuara me garantimin e sigurisë së Amerikës, edhe pas takimit: fillimisht ka shkruajtur në Tuiter, ku pyet përse bëhet sot kaq shumë zhurmë mbi Rusinë, ndërkohë që në të kaluarën raste të tjerë madhorë të infiltrimeve të kinezëve në sistemet informatike amerikane, kanë kaluar me më pak bujë. Në mesazhet e tij në rrjetin social, Trumpi ka akuzuar partinë demokratike se nuk ka bashkëpunuar me FBI-në, në hetimet mbi sulmet ku ajo ishte viktimë.

Sërish, tre orë përpara se të merrte raportin e krerëve të CIA-s, FBI-së dhe drejtorit të National INtelligence, James Clapper, Trumpi ka goditur sërish shërbimet e fshehtë në një intervistë telefonike për Nju Jork Tajms, në të cilën e konsideron rindërtimin e përpjekjeve të Moskës për të ndikuar në votën presidenciale, si një “stuhi” e shkaktuar për të nisur një tjetër “gjueti politike shtrigash”.

Kështu, Trumpi vazhdon të sulmojë fort strukturat e tij të “inteligjencës”, që i konsideron të politizuara (dhe të cilave premton t’u ndërrojë krerët), pavarësisht se sjellja e tij është kritikuar ashpër nga një front shumë i gjerë deputetësh nga të dyja partitë, si dhe funksionarë të shërbimeve të fshehta. Një natë para takimit mes Trumpit dhe krerëve të shërbimeve, u zhvillua një debat i parë në Komisionin e Forcave të Armatosura të Senatit: prej aty u shfaq një shqetësim i përgjithshëm, i ndarë në mënyrë eksplicite edhe nga senatorët republikanë, të udhëhequr nga John McCain, në lidhje me peshën e ndërhyrjeve ruse si dhe rrezikun që, kritikat e presidentit të ri amerikan, të dobësojnë dhe demoralizojnë një strukturë thelbësore për sigurinë e vendit.

James Clapper, që ka folur gjatë dëgjesës, ka shpjeguar se çdo ditë që kalon, shtohen elementët që e nxisin shërbimin e fshehtë amerikan të akuzojë Moskën, dhe ndonëse ka pranuar legjitimitetin e kritikave ndaj shërbimeve të fshehtë që mund të kryejnë gabime ashtu si çdo strukturë tjetër qeveritare, ka theksuar, duke iu referuar dukshëm presidentit të zgjedhur, se “ka një dallim mes skepticizmit dhe denigrimit”. Miliarderi që në 8 nëntor të vitit që kaloi mundi Hillary Clintonin, nuk ka hezituar edhe përballë një scoop-i të Uashington Post, që ka dhënë lajmin e përgjimeve, nga ana e 007-ave amerikane, të bisedave mes drejtuesve të tjerë të qeverisë ruse, të cilët përgëzonin njëri-tjetrin për fitoren e Trumpit në zgjedhjet presidenciale.

Udhëheqësi i ri nuk është shfaqur i shqetësuar edhe nga dorëheqja e ish kreut të CIA-s, James Uoolsey, një konservator që kishte pranuar të bëhej pjesë e komitetit të tij të tranzicionit. Trumpi është i vendosur të ristrukturojë dhe ridimensionojë shërbimet e fshehtë, që i akuzon se janë të politizuar. Vështirë se administrata Trump do të marrë një iniciativë në drejtim të kundërt, duke parë që presidenti i ri ka vendosur të zëvendësojë kreun e CIA-s, Brennanin dhe Clapperin, koordinatorin e 16 shërbimeve të fshehta, me një deputet ultrakonservator, republikanin Mike Pompeo (bosi i ri i CIA-s), dhe me një senator të Indianas, Dan Coats. / Corriere della Sera – www.bota.al

Nuk ka komente

Vendos komentin tend

Your email address will not be published. Required fields are marked *