Home»Bota»Analistët bien dakord: Hillary jo e përsosur, por fituese

Analistët bien dakord: Hillary jo e përsosur, por fituese

screen-shot-2016-09-27-at-08-48-51

Komentet e parë në fund të debatit presidencial në Hofstra University i kanë dhënë pothuaj unanimisht fitoren Hillary Clintonit. “Ishte një debat i çuditshëm, por Clintoni ishte qartësisht fituesja në çdo front”, ka shkruajtur Roxane Gay, pofesore në Purdue University dhe opinioniste e NYT. “Ishte e përgatitur, e sjellshme dhe luftarake kur ishte e nevojshme”, ka vazhduar ajo, ndërkohë që “injoranca e Trumpit në çështje kombëtare dhe ndërkombëtare ishte e dukshme”.

I vetmi dyshim, thotë Gay, është nëse kjo përballje e parë do të zhvendosë zgjedhësit e mëdyshur: një përgjigje, ndonëse e pjesshme, vjen nga CNN, ku pjesa më e madhe e të pavendosurve ka thënë se i pëlqeu më shumë paraqitja e Clintonit.

Rezultatin e konfirmon edhe një sondazh i kryer nga rrjeti televiziv, sipas të cilit 62% e spektatorëve – që prezantuesi ka theksuar se ishin në shumicë demokratë – i ka dhënë fitoren ish Sekretares së Shtetit, ndërkohë që vetëm 27% kanë zgjedhur manjatin njujorkez.

Dy Trumpët në tension

Pas shkëmbimeve të para, debati u ndez menjëherë, me dy kandidatët që kanë ndërprerë vazhdimisht njëri-tjetrin dhe janë përplasur për çdo temë, duke u hedhur nga taksat tek ISIS. Megjithatë, ritmin e përballjes e ka diktuar Clintoni, që me përgatitjen e saj të përpiktë ka udhëhequr debatin, ndërkohë që kundërshtari shfaqej improvizues, dhe ndonjëherë konfuz. Planet e detajuar dhe goditjet e parapërgatitura të Clintonit e kanë detyruar manjatin njujorkez të hyjë në një terren të parehatshëm, ka shkruajtur menjëherë Politico. Clinton, ka vazhduar e përditshmja e Uashingtonit, ishte përgatitur për të përballuar dy Trumpë të ndryshëm – atë që njohim dhe atë më të dhembshur që ka hyrë në fushatë gjatë kohëve të fundit – dhe “pikërisht tensioni mes këtyre dy Trumpëve u bë shumë i dukshëm gjatë gjithë orës së parë të debatit”.

Jo e përsosur, por fituese

Për Uashington Post, Clintoni e futi në qoshe rivalin e saj republikan, edhe pse, sipas Chris Cillizza, analist politik i të përditshmes, ish sekretarja e shtetit “nuk ishte e përsosur”, teksa herë pas here është shfaqur e studiuar dhe robotike. Për shembull, përgjigja e saj për çështjen e racës ishte “shumë mendje dhe pak zemër”. Megjithatë, “Clinton ishte padyshim më mirë se sa Trumpi, dhe mund të flitet për një fitore të qartë në çdo front”. Sipas Cillizza, kandidati republikan “nuk ishte përgatitur mjaftueshëm dhe pati probleme me pyetje të cilat e dinte që do të vinin”.

Zëri konservator

Edhe J.D.Vance, shkrimtar dhe zëri konservator i Nju Jork Tajms, konfirmon se Clintoni ka shfaqur një kontroll të madh të fakteve dhe politikave. Megjithatë, kur kishte sfiduar Trumpin në debatet republikane gjatë zgjedhjeve primare, të njëjtën gjë kishin bërë Jeb Bushi dhe Ted Cruzi, që më pas u mundën thellë. “Në nëntor, elektorati do të jetë shumë ndryshe nga ai që i dha fitoren Trumpit”, shkruan Vance, “dhe pikërisht për këtë arsye Clintoni do të ketë më shumë shanse” për t’u kthyer në Shtëpinë e Bardhë. “E megjithatë ajo nuk e ka mësuar leksionin që morën republikanët e mundur prej Trumpit dhe kjo duhet të shqetësojë jo vetëm mbështetësit e saj, por edhe të gjithë ata që duan një politikë e cila të rrisë nivelin e bashkëbisedimit publik”. CdS – www.bota.al

Nuk ka komente

Vendos komentin tend

Your email address will not be published. Required fields are marked *