Home»Analiza»Zbutja e populistëve. Analiza e Javier Solanës

Zbutja e populistëve. Analiza e Javier Solanës

Screen Shot 2016-08-20 at 08.36.13nga Javier Solana

MADRID – Në shumë demokraci perëndimore, populistët e krahut të djathtë, pasi kanë marrë forcë prej fitoreve të vetëshpallura ndaj “establishmentit të elitave”, tashmë po i dyfishojnë thirrjet e tyre, duke pohuar se globalizimi qëndron në origjinë të problemeve të shumë qytetarëve. Për ata njerëz, standartet e jetesës së të cilëve kanë pësuar rënie në dekadat e fundit, edhe teksa liderët politikë kanë mbrojtur tregtinë e lirë dhe lëvizjen e kapitalit si recetë për rritjen e begatisë, argumenti është shumë joshës. Kështu që, duhet të përballet sy më sy.

Natyrisht, problemet ekonomike të vetme, nuk u japin jetë ndjenjavetë anti-globalizimit; populizmi është shfaqur edhe në vendet me papunësi të ulët dhe të ardhura në rritje. Por këto probleme ekonomike, sigurojnë atë “bërthamë” të së vërtetës, që u nevojitet liderëve populistë për të patur sa më shumë mbështetje, të cilën më pas, ata përpiqen ta sigurojnë me shtrembërime dhe ekzagjerime. Në qoftë se problemet ekonomike nuk adresohen, mbështetja për të tillë udhëheqës do të vazhdojë të rritet, ndoshta duke i çuar prapa shoqëritë e tyre, në një kohë më pak tolerante, dhe më pak të begatë.

Tipat si Donald Trumpi dhe Marine Le Peni nuk vunë këmbë prej meritës personale në shoqëritë e tyre. Ata shfrytëzuan ndjenjat e shumë qytetarëve, të cilët klasat politike – që lëvdonin të mirat e globalizimit, por lejonin pabarazinë të rritej në nivele të paprecedentë – i kishin braktisur.

E vërteta është që, globalizimi e ka zvogëluar në mënyrë të konsiderueshme pabarazinë midis shteteve. Por brenda tyre, pabarazia është rritur ndjeshëm. Fitimet më të mëdha nga globalizimi nuk kanë shkuar për klasat e mesme e të larta në Azi, por tek 1-përqindëshi i më të pasurve, në në mbarë botën. Në Shtetet e Bashkuara, për shembull, koeficienti Gini (matësi më i zakonshëm i pabarazisë) është rritur me pesë pikë, nga viti 1990 deri në vitin 2013. Pabarazia është rritur gjithashtu, edhe pse më ngadalë, në Kinë, Indi, dhe shumicën e vendeve evropiane.

Pavarësisht rritjes së pabarazisë, dobitë e globalizimit kanë qenë më të prekshme në vendet në zhvillim. Në të vërtetë, hapja ekonomike ka ndihmuar për të nxjerrë nga varfëria miliona njerëz në vendet në zhvillim. Kjo është arsyeja përse ekonomisti Branko Markovic argumenton se globalizimi ka nxitur “rishkartisjen më të madhe të të ardhurave individuale, që nga koha e Revolucionit Industrial”.

Por, për shumë qytetarë të vendeve të përparuara, pikërisht ky është problemi. Ata nuk janë kundër reduktimit të varfërisë në vendet e largëta. Por, nëse ata besojnë se, të themi, kinezët janë duke u bërë të pasur, ndërsa pagat e tyre reale (përshtatur me inflacionin) mbeten kryesisht në vend, ata nuk e pranojnë globalizimin. Nëse pjesëtarët më të pasur të shoqërive të tyre janë gjithashtu duke u bërë më të pasur, atëherë do të piqen kushtet për rebelim kundër establishmentit. Imazhi i “elitave të padenja” është ushqim ideal për populistët, të cilët pohojnë se globalizimi u ka dhënë të pasurve dhe të pushtetshmëve, më shumë para dhe pushtet, se kurrë më parë.

Por bota që populistët dhe zgjedhësit e tyre shpresojnë të rikrijojnë – një botë e vetë-mjaftueshme, shtete egalitare të izoluara nga zhvillimet përreth tyre – nuk ka ekzistuar kurrë. Çdo përpjekje për të mbyllur ekonomitë – aq më pak kufijtë – do të dështonte në mënyrë katastrofike.

E vetmja mënyrë për të frenuar valën në rritje të populizmit destruktiv, si dhe për të parandaluar shkuarjen drejt masavetë dëmshme proteksioniste, është rilidhja me zgjedhësit e zhgënjyer, dhe gjetja e mënyrave për të reaguar ndaj ankesave reale ekonomike të njerëzve. Detyra kryesore e një qeverie kombëtare është që të mbrojë ekuilibrin social, i cili përbën shtyllën kurrizore të sistemeve demokratike. Për këtë arsye, liderët nuk duhet të refuzojnë globalizimin, por duhet të punojnë për ta orientuar atë, në mënyrë që ai të shpjerë përpara interesat dhe mirëqenien e qytetarëve të tyre.

Nismat e guximshme për të trajtuar pabarazinë janë vendimtare. Përveç masave të përkohshme, me qëllim përmirësimin e menjëhershëm të gjendjes ekonomike të njerëzve, liderët duhet të zhvillojnë sisteme për të siguruar që qytetarët të jenë në gjendje të lulëzojnë në terma kohëgjatë, në një botë të globalizuar. Kreativiteti, aftësitë e zgjidhjes së problemeve, dhe rritja e aftësive ndërpersonale, do të jenë thelbësore.

Po kështu, autoritetet kombëtare duhet të angazhohen me njëri-tjetrin për të përmirësuar qeverisjen globale. Në vitet e fundit, mangësia e strukturave ekzistuese të qeverisjes globale, veçanërisht në lidhje me çështje të tilla si tatimet dhe punësimi, është bërë tejet evidente. Agjenda e samitit të G-20-ës muajin e ardhshëm në Kinë, përfshin diskutimin e masave konkrete për të ulur pabarazinë. Por vetëm të flasësh, nuk mjafton; liderët duhet të sigurojnë që diskutimi të përkthehet në veprime reale.

Sa më shpejt, aq më mirë: transformimi i tregut të punës që është duke ndodhur këto kohë, si rezultat i progresit të robotikës dhe inteligjencës artificiale, do ta bëjë pabarazinë, më të vështirë për t’u trajtuar në të ardhmen. Siç ka paralajmëruar OECD, automatizimi i detyrave manuale dhe të përsëritura, do të prekë kryesisht ata pa diplomë të shkollës së lartë – pra, i njëjti grup i frustruar prej gjendjes aktuale ekonomike.

Gjatë vitit të ardhshëm, zgjedhje të rëndësishme do të zhvillohen në disa shtete të Europës, dhe në SHBA. Nëse populistët triumfojnë, shumë arritje të rëndësishme sociale do të vihen në rrezik. Kjo është arsyeja pse është kaq e rëndësishme që liderët kombëtarë të provojnë, tani, se ata munden dhe do ta trajtojnë pabarazinë, si dhe gjendjen e atyre individëve, të cilët ndihen të lënë pas, prej globalizimit.

Një fitore e populizmit do të tregonte se klasa politike, i ka lënë vërtetë në baltë qytetarët e vet. Fitorja e fushatës në Mbretërinë e Bashkuar, për të lënë Bashkimin Evropian, duhet të na kishte tronditur dhe zgjuar të gjithë, nga iluzioni se jemi disi të mbrojtur prej rreziqeve që shohim rreth nesh. E pamendueshmja mund të ndodhë. Populistët mund të fitojnë. Është koha që liderët kombëtarë të tregojnë se po i kushtojnë vëmendje.

Botuar ekskluzivisht nga bota.al, me autorizim nga Project Syndicate, 2016. Ripublikimi mund të bëhet vetëm me lejen e Project Syndicate – Taming the Populists

Komentoni

Nuk ka komente

Vendos komentin tend

Your email address will not be published. Required fields are marked *