Home»Lifestyle»Shendeti»Disa kile me tepër ju ndihmojnë të jetoni më gjatë?

Disa kile me tepër ju ndihmojnë të jetoni më gjatë?

Një studim i ri epidemiologjik danez, tregon se në kontrast me disa dekada më parë, njerëzit që janë vetëm pak mbipeshë kanë një jetëgjatësi më të madhe se sa të tjerët. Domethënia e vërtetë e këtyre gjetjeve mbetet gjithësesi e dyshimtë.

Screen Shot 2016-05-26 at 14.37.33

Sipas një studimi të ri danez, njerëzit që në bazë të indeksit të masës të tyre trupore (BMI), janë pak mbipeshë, por jo obezë, kanë tendencë të jetojnë më gjatë se sa njerëzit me peshë normale. Por nuk ka qenë gjithmonë kështu. Në vitet ’70 të shekullit të kaluar, tregojnë të dhënat daneze, njerëzit që kishin qenë objekt i studimeve dhe që kishin shanset më të mira për të jetuar më gjatë, prireshin të kishin një BMI normale, që luhatej midis 18.5 dhe 25. Kush është 1.65 metra i gjatë dhe peshon 68 kg ka një BMI 25.

Për ata që ndodhen në ekstreme – tejet nënpeshë apo obezë – të dhënat daneze tregojnë një rritje të rrezikut të vdekjes nga të gjitha shkaqet, veçanërisht nga sëmundjet kardiovaskulare. Megjithatë pragu i obeziteti, mund të jetë i ndryshëm për raca dhe etnitete të ndryshme (të gjithë danezët e marrë në studim ishin të bardhë). Aziatikët nga nënkontinenti indian janë një shembull i mirë:sepse për një BMI të caktuar, kanë prirje të kenë më shumë yndyrë trupore se sa grupet e tjera.

Pra, për ta efektet e dëmshme të lidhura me rritjen në peshë, kanë tendencën të shfaqen tek vlerat me peshë absolute më të ulët. Gjithësesi studimi i ri, mund të na tregojë diçka më shumë në lidhje me përfitimet shëndetësore të jetesës në Danimarkë (të gjithë pjesëmarrësit e studimit të jetojnë në Kopenhagen). Praktikisht të gjitha danezët janë të përfshirë në një sistem universal të kujdesit shëndetësor, i cili kujdeset për banorët që nga djepi e deri në varr.

Ka mundësi që në dekadat e fundit, përparimet në mjekësi sa i përket trajtimit të diabetit të tipit 2, hipertensionit dhe niveleve të larta të kolesterolit, të kenë patur një ndikim të madh tek njerëzit që janë mbipeshë – një faktor që rrit rrezikun për këto kushte patologjike – sesa tek ata që kanë patur peshë normale.

Pavarësisht nga kjo dhe paralajmërime të tjera, raporti – i cili u botua në “Gazetën e Shoqatës Mjekësore Amerikane” – i shtohet provave në rritje se një “peshë shtesë e vogël, sidomos pas moshës së mesme, mund të mos jetë aq e dëmshme për shëndetin, sa mendohej më parë. Në përgjithësi, për popullatën e Kopenhagenit, indeksi i masës trupore i lidhur me një rrezik më të ulët të vdekjes nga çfarëdolloj shkaku ishte 23.7 në vitin 1970, 24.6 në vitin 1990 dhe sot 27.

Një prirje e ngjashme rritëse është shfaqur edhe tek njerëzit që nuk ishin pirë kurrë duhan, dhe nuk kishin asnjë histori familjare të sëmundjeve të zemrës apo kancerit. Për ta, indeksi i masës  trupore i lidhur me një rrezik më të ulët të vdekjes nga të gjitha shkaqet, u rrit nga rreth 18 në vitet ’70 në 26.1 në ditët e sotme.

Kur studiuesit i ndanë vullnetarët në dy grupe – nën dhe mbi 60 vjeç- BMI që lidhej me rrezikun më të ulët të vdekjes, rritej lehtë me kalimin e moshës. Në vitet ’70 indeksi qe 23.5 për personat nën 60 vjet dhe 24.4 për ata më të moshuar, duke mbetur gjithësesi brenda kufijve normalë. Midis viteve 2003- 2013, BMI-ja e lidhur me vdekshmërinë më të ulët ishte 26.7 për ata nën 60-vjeç dhe 27.3 për më të vjetrit, vlera në brendësi të kategorisë së atyre që janë mbipeshë.

Rezultatet përputhen me ato të disa studimeve të tjera të mëdha, që kanë gjetur se një peshë e vogël mbi normën duket të jetë mbrojtëse, sidomos pas moshës së mesme. Megjithatë, nuk ka asnjë mënyrë për të vërtetuar, se vetë shtimi në peshë është një faktor mbrojtës. Ashtu si me çdo studim epidemiologjik, madje të mirë-projektuar si ky në fjalë, nuk provohet ndonjë lidhje shkakësore.

“Kjo çështje gjallon prej të paktën 40 vjetësh”- thotë Dejvid Elison, studiues i obezitetit në Universitetin e Alabamës në SHBa, i cili nuk ishte i përfshirë në hulumtim. Ruben Andres, drejtor i parë klinik i Institutit Kombëtar për Plakjen në Shtetet e Bashkuara, e ngriti si problem që në vitet ‘80. Kethrin Flegal e Qendrës Kombëtare për Statistikat e Shëndetësisë, e theksoi këtë prirje në të dhënat kombëtare të vitin 2005, si dhe të dhënat ndërkombëtare në vitin 2013.

Në këtë pikë, “është thuajse e padiskutueshme se lidhja është e vërtetë”, thotë Elison. “E diskutueshme është domëthënia e kësaj lidhje”. Ndoshta kjo nuk është pesha në vetvete, por vetëm aftësia për të fituar peshë si një shenjë e shëndetit. (Humbja e peshës në mënyrë të pavullnetshme është shpesh shenjë e ndonjë sëmundje.)

Pra, të shtosh disa kilogramë me kalimin e moshës qenka jo vetëm një shenjë e shëndetit të mirë, të paktën deri kur nuk shtohet aq shumë sa për t’u bërë i sëmurë. Nëse është vërtet kështu, do të ishte e vështirë të analizoheshin mjaftueshëm në detaje statistikat për të treguar dallimin ndërmjet dy situatave.

Ose, mjekët nuk kurojnë ata që kanë një peshë normale në një mënyrë po aq agresive sikurse veprojnë me njerëzit mbipeshë. Apo ndoshta është thjesht më e vështirë të dihet se çfarë po ndodh në zonën kufitare ndërmjet vlerave 25 dhe 27 të BMI-së. Për disa, pak peshë më tepër ka ndoshta një efekt mbrojtës; për të tjerët fatkeqësisht jo; dhe hulumtuesit nuk dinë ta shpjegojnë pse.

“Këto studime epidemiologjike nuk na japin një përgjigje”- shprehet Tapan Mehta, biostatisticien në Universitetin e Alabamës, edhe ai jo i përfshirë në studim. “Megjithatë na shtrojmë pyetje interesante për t’u shqyrtuar”. Dhe për ata prej nesh që e duan tani një përgjigje? “Ajo që tregojnë qartazi të dhënat për shumicën e grupeve etnike dhe racave, është se nëse ju jeni shumë obez, një terapi do të jetë e dobishme”- thotë Mehta. Sa për ata që kanë vetëm ndonjë kilogramë më tepër nga norma, duhet të hanë shumë fruta dhe perime, të flenë më shumë dhe bëjnë ushtrime fizike. Por, qëndroni gati për të rejat më të fundit mbi këtë çështje”. /bota.al

Nuk ka komente

Vendos komentin tend

Your email address will not be published. Required fields are marked *