Home»Bota»Kriza e refugjatëve / Nuk do të negociojmë kurrë vlerat e BE-së me Erdoganin

Kriza e refugjatëve / Nuk do të negociojmë kurrë vlerat e BE-së me Erdoganin

Politikat e ashpra mbi migracionin, nuk përjashtojnë qëllimet humanitare të Bashkimit Evropian, argumenton në një editorial presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk. Por sipas tij Evropa duhet të vendosë kufizime të qarta mbi leshimet që ajo është e gatshme të bëjë ndaj partnerëve të saj, në kuadër të zgjidhjes së krizës së refugjatëve

Screen Shot 2016-04-23 at 11.29.21

Nga Donald Tusk*

“Der Spiegel”

Një vit më parë, në fillim të krizës së emigracionit, disa e morën si të mirëqenë se vala e refugjatëve është shumë e madhe për t’u frenuar. Një nga pasojat e kësaj ishte pezullimi i rregullave të Shengenit dhe Dublinit, duke çuar deri në hapjen e territorit tonë ndaj emigrimit të pakontrolluar.

Evropianët përjetuan një paaftësi dhe pasiguri në rritje, së bashku me frikën më shumë apo më pak të arsyeshme mbi sigurinë, aftësinë për të integruar të ardhurit në shoqëritë tona dhe pasojat sociale e financiare të një rrjedhe të pakufizuar emigrantësh. Shqetësimi në rritje, krijoi terrenin e përshtatshëm për ndjenjat radikale, populiste dhe shpesh nacionaliste.

Me një intensitet të habitshëm, debati u mbush me profeci apokaliptike dhe pikëpyetje në lidhje me të ardhmen e Evropës. Ndalimi i kësaj prirjeje të rrezikshme, ishte një ndryshim i paradigmës. Prandaj, disa muaj më parë, propozova të bënim supozimin e kundërt:atë që vala e emigrimit është shumë e madhe për të mos u ndaluar. Prioriteti ynë duhet të jetë pasja e një politike të duhur të emigrimit.

Bashkimi Evropian dhe shtetet anëtare, duhet të rifitojnë kapacitetin për të vendosur se kush duhe të hyjë në kufijtë tanë, ku dhe kur. Paradoksalisht, kjo është thelbësore për të operuar me një politikë të arsyeshme dhe njerëzore të azilit. Pa një qasje të tillë, tragjeditë në det do të vazhdojnë. Ne e njohim rëndësinë e gjendjes aktuale. Të mërkurën, agjensia e refugjatëve në OKB tha se deri në 500 emigrantë mund të kenë vdekur, kur një anije e madhe u mbyt në Mesdhe javën e shkuar.

Shifra që flasin

Inkuadrimi i debatit në një qasje të re, pati një farë ndikimi dhe solli një shpresë të matur, edhe pse nuk kemi asnjë iluzion se problemi është i zgjidhur. Ne jemi përballur prej muajsh dhe ndoshta vitesh me përpjekje dhe zgjedhje të vështira. Ajo që ne shohim tani janë të dhënat pozitive në rrugën e Ballkanit, e cila deri pak javë më parë qe arteria kryesore.

Shifrat flasin vetë:70.000 refugjatë të rinj në janar, 50.000 në shkurt, 30.000 në mars dhe në prill vetëm rreth 3.000. Tre vendime ishin çelësi për këtë arritje. Së pari, Këshilli Evropian ka vendosur t’i japë fund qasjes së fluksit të emigrantëve, duke iu kthyer zbatimit të plotë të rregullave të Shengenit. Udhëheqësit ripohuan se nuk do të ketë zgjidhje evropiane, pa respektuar ligjet evropiane.

Në mesin e vitit 2015, kur kriza goditi me fuqi të plotë, Evropa injoroi parimet dhe ligjet e veta, duke treguar dobësi dhe pavendosmëri. Nxjerrja e përfundimeve të freskëta në shkurt, ishte një hop i madh në këtë drejtim. Ajo duhet të shërbejë si një mësim. Së dyti, ishte përfshirja e përhershme e vendeve të Ballkanit në prioritetet e BE-së mbi emigracionin.

Muajt e ardhshëm do të kërkojnë një mbështetje të mëtejshme. Unë u përfshiva në këtë proces, plotësisht i vetëdijshëm mbi rreziqet dhe polemikat që bart ai. Bashkëpunimi me partnerët tanë të Ballkanit, si p.sh Maqedoninë nuk është i lehtë. Por lidershipi politik ka të bëjë me gatishmërinë për të marrë vendime të vështira, edhe përballë një opinioni publik armiqësor.

Prishja e ‘modelit të biznesit’ të kontrabandistëve

Dhe së fundmi vijmë tek bashkëpunimi BE-Turqi. Për shumë prej nesh, ai ishte më të paku i diskutueshëm. Marrëveshja me Ankaranë u arrit për shkak se liderët vendosën se kjo qe mënyra më efektive për të mbështetur Greqinë, dhe prishur “modelin e biznesit’ të kontrabandistëve në detin Egje. Unë mobilizova të gjitha shtetet anëtare për të mbështetur paktin me dy kushte absolute:që interesat e anëtarëve të komunitetit tonë, për shembull Qipros, janë të mbrojtura; dhe se dokumenti është në përputhje të plotë me BE-në dhe të drejtën ndërkombëtare. Bashkëpunimi është një element i rëndësishëm i strategjisë sonë, por le të fiksojmë mirë ndër mend se ai është vetëm një nga shumë elementët. Zgjidhja në Ballkan dhe marrëveshja me Turqinë, nuk janë një model universal i zbatueshëm për rrugët e tjera të emigracionit, duke përfshirë rrugën qëndrore të Mesdheut. Libia nuk është Turqia. Mbyllja e kufirit në Brenner Pass, në kufirin mes Italisë dhe Austrisë, do të ishte një goditje në zemër të Shengenit.

Për këtë arsye, propozimi i kohëve të fundit i mbi “të qënit të bashkuar mbi emigracionin” nga ana e kryeministri italian Renci është i mirëpritur. Evropa ndërkaq duhet të mbështesë Italinë në veprimet e saj kundër kontrabandistëve, gjë që ka të ngjarë të kërkojë një përfshirje më të madhe në Libi.

Askush tjetër nuk do të mbrojë kufijtë tanë për në. Ne s’mund t’ia dorëzojmë çelësat e territorit dhe sigurisë tonë çdo lloj vendi të tretë. Kjo vlen edhe për Turqinë, ashtu edhe për vendet e Afrikës Veriore. Pafuqia jonë do të provokonte tundimin për të shantazhuar Evropën.

Shumë shpesh kam dëgjuar nga fqinjët tanë, se Evropa duhet të bëjë lëshime, përndryshe ajo do të përmbytet nga emigrantët. Ishte ai momenti kur kuptova se bashkëpunimi ynë do të jetë një bashkëpunim mes partnerësh, vetëm kur ne të rifitojmë aftësinë tonë për të kontrolluar emigracionin.

Ne s’mund të negociojmë vlerat tona

Vetëm shtetet e fortë janë të aftë për të mbështetur ata që janë në nevojë në një shkallë të madhe, pa patur rrezikun e vetë-shkatërrimit. Politikat e ashpra nuk përjashtojnë qëllimet humanitare – krejt e kundërta:vetëm politika e vendosura mundësojnë zbatimin e tyre. Në rast se duam që Evropa të mbetet e hapur dhe tolerante, s’mund t’i lejojmë më vetes të jemi të pafuqishëm.

Ne kemi nevojë për solidaritet dhe vendosmërinë e të gjitha vendeve anëtare në çdo aspekt të politikës mbi emigracionin:zhvendosjen, ndihmën humanitare, veprimet e jashtme dhe më e rëndësishmja mbrojtjen e kufijtë tanë të jashtëm.

Në rrezik nuk është vetëm e ardhmja e Shengenit, por e ardhmja e vetë komunitetit tonë. Përvoja e fundit me Turqinë, tregon se Evropa duhet të vendosë kufij të qartë mbi lëshimet e

saj. Ne mund të negociojmë mbi paratë, por kurrë mbi vlerat tona. Ne s’mund t’i imponojmë standardet tona pjesës tjetër të botës. Në mënyrë të ngjashme, edhe të tjerët nuk mund të na imponojnë standardet e tyre. Liritë tona, duke përfshirë atë të shprehjes, nuk do të jenë pjesë e pazareve politike me ndonjë partner. Ky mesazh duhet të dëgjohet edhe nga Presidenti turk Erdogan.

Shënim: Donald Tusk është President i Këshillit Evropian. Ai ka qqenë më herët kryeministër i Polonisë në vitet 2007-2014 dhe kryetar prej një kohë tgë gjatë i partisë liberal-konservatore Platforma Qytetare.

Në shqip nga bota.al

Nuk ka komente

Vendos komentin tend

Your email address will not be published. Required fields are marked *