Home»Histori»Winston Churchilli dhe Hiroshima

Winston Churchilli dhe Hiroshima

 

Screen Shot 2015-08-17 at 16.51.55

Jacques Hayman

Në Quebec në vitin 1943, Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuar ranë dakord se çdo përdorim i armëve bërthamore do të kërkonte miratimin paraprak të të dyja vendeve. Qeveria britanike ia dha miratimin formal të saj ndaj bombardimit atomik të Hiroshimës dhe Nagasakit nga amerikanët, në mbledhjen e “Combined Policy Committee” me 4 korrik të 1945. Diskutimet lidhur me vendimin qenë jashtëzakonisht të nxituara. Me 30 prill, Feldmarshalli Henry Maitland Wilson kishte shkruar nga Uashingtoni se Shtetet e Bashkuara qenë të paduruar që të mësonin për pikëpamjet britanike. Diskutimet që pasuan u përqëndruan vetëm në frazeologjinë e miratimit të Londrës.

Mund të argumentohet se miratimi britanik qe thjesht një formalitet, pasi amerikanët do të vazhdonin në rrugën e tyre pavarësisht atij, por nuk ka qenë kështu. Pas Konferencës së Quebec, Sër John Anderson, i cili ishte në krye të bashkëpunimit bërthamor me Shtetet e Bashkuara, kishte argumentuar për një shqyrtim të hollësishëm të mënyrës më të mirë në përballjen me çështjet e lidhura me përdorimin potencial gjatë kohës së luftës të bombës atomike dhe me kontrollin ndërkombëtar afatgjatë të saj. Në tetor të 1943, Anderson e diskutoi çështjen në thellësi me fizikanin Niels Bohr, i cili sapo ishte arratisur në Britani nga kontinenti. Bisedat e tyre rezultuan në propozimin e këtij të fundit për ta parandaluar një garë armësh bërthamore nëpërmjet vënies në dijeni të sovjetikëve sa më shpejt që të ishte e mundur.

Megjithatë, Churchilli refuzoi që ta aplikonte një politikë të tillë. Në muajt mars dhe prill të 1944, ai i hodhi poshtë kërkesat e vazhdueshme e Andersonit për të nisur një studim lidhur me mënyrën sesi të menaxhoheshin implikimet diplomatike e armës së re. Ai ra dakord që të takonte Bohr dhe këshilltarin shkencor të tij, Lordin Cherwell, me 16 maj. Por në takim ai u tregua shpërfillës, bile arrogant. “Qe e tmerrshme”, do të kujtonte më pas Bohr. “Ai na trajtoi si dy nxënës shkolle”. Një takim i mëvonshëm midis Bohr dhe Presidentit Roosevelt qe më pak i papëlqyeshëm, por jo më produktiv.

Në Hyde Park të Nju Jorkut në shtator të vitit 1944, Churchill dhe Roosevelt vendosën që bota nuk duhet të informohej për shpikjen e re përpara përdorimit të parë të saj, të cilën sugjeruan se mund të ishte kundër Japonisë. Gjithashtu, ata ranë dakord për një bashkëpunim bilateral në aplikimet ushtarake dhe tregtare të energjisë bërthamore. “Duhet të bëhen investigime lidhur me aktivitetet e Profesor Bohr”, shtuan ata, “dhe duhet të ndërmerren hapa që të sigurojnë se ai është përgjegjës ndaj ndonjë rrjedhje informacioni, veçanërisht për rusët”.

Lufta e Ftohtë po fillonte tashmë të merrte formë.

(Jacques Hayman për London Review of Books)

Përgatiti: ARMIN TIRANA/Bota.al

Nuk ka komente

Vendos komentin tend

Your email address will not be published. Required fields are marked *