Home»Magazine»Kulture»MARTA & ERNEST HEMINGWAY: Diktatura e vetvetes

MARTA & ERNEST HEMINGWAY: Diktatura e vetvetes

Screen Shot 2015-08-09 at 22.17.55

Në dritën e diellit, historia e një arratie të pandërprerë. Nga vetvetja, nga ai boshllëk që e thithte çdo herë që nuk arrinte të nisej, nga ai depresion që e priste çdo herë që ishte e shtrënguar të ndalej: “Nata e thellë e errët e shpirtit të udhëtarit”. Një arrati edhe nga ai dënim që kish zgjedhur një mbrëmje të fundit të dhjetorit të vitit 1936, kur ishte futur me të ëmën tek Sloppy Joe’s në Key West dhe e ulur në fund të sallës për të lexuar postën e saj kish parë “një burrë trashaluq, pis, me pantallona të shkurtra të bardha dhe këmisha të gjera e me rrudha”. Ernest Hemingway

 Ekzistojnë diktatorët e vetvetes: regjisorë të papërkulshëm të jetës së tyre, totalitaristë të shpirtit të tyre. Ka që arrijnë të kalërojnë një shekull duke planifikuar dashuri dhe zgjedhje personale e politike, duke i prerë me masë hyrjet dhe, më mirë akoma, daljet nga skena dhe duke i skontuar ato me një bërthame vetmie intoksikuese brenda. Si Martha Gellhorn. Vështirë të mos e imagjinosh sot në rrugët e Fallujah, të Najaf apo në hollin e Hotel Palestine në Bagdad, vështirë të mos e shikosh të kërkojë një vizë për Teheran, të mos e dëgjosh më në një prej intervistave të saj në BBC, me theksin e saj prej provincialeje elegante nga Saint Louis, Missouri, i njëjti i mikut T. S. Eliot: asnjëherë i ndryshkur nga vitet në krah të Hemingway kur në Ketchum, Idaho, prisnin për vizitë Gary Cooper e Robert Capa, kadencën e pastruar në New York gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur zbriste në Lombardy dhe darkonte me Harold Ross, drejtor legjendar i “New Yorker” (“një mërzi e tmerrshme”) dhe në bar përpiqej më kot që t’i qëndronte ritmit të Dorothy Parker (“8 gota martini në pak orë”). Një krahasim, sot? Ndoshta me Christiane Amanpour.

E sigurt, por tmerrësisht “unfair” përkundrejt chief correspondent të CNN-it, do të lëshonte Martha. “Sa na mungon Gellhorn dhe sa kemi nevojë për të!”, ka psherëtitur Neal Ascherson në faqet e “The Nation”. “E vështirë të mendosh që të mos mundësh ta lexosh nga Iraku, sytë e vegjël, e shkëlqyer në pantallona si ato të Sacks Fifth Avenue të luftës civile spanjolle. E dërguara e luftës më e madhe në gjuhën angleze e 60 viteve të fundit”. Ama pyet: “Nuk jam aspak i sigurt sesi do të kish menduar lidhur me konfliktin në Irak. Një rol të madh sigurisht që do të kish pasur përbuzja për George W. Bush dhe arroganca ushtarake e klikës së Pentagonit, për atë që kish fshikulluar Nixon, Kissinger e Reagan. Nga ana tjetër, solidariteti i saj shuhej përpara vuajtjeve të arabëve. Ishte totalisht e impenjuar për kauzën e Izraelit (deri në pikën sa të duartrokasë pushtimin e Libanit në vitin 1982), kish mbetur gjithmonë e shurdhër ndaj kauzës palestineze dhe do të kish mundur të justifikonte edhe politikën më jokonvencionale për ta çliruar botën nga Saddam Hussein”. Po: çfarë do të kish menduar dhe shkruar për 11 shtatorin – dhe pas 11 shtatorit – ajo, mike e Moshe Dayan dhe e Ariel Sharon gjatë Luftës së Gjashtë Ditëve?

E gjatë, bionde, bija e gjinekologut të parë të Saint Louis, e ëma sufrazhiste e deklaruar, prindër me origjinë prusiane gjysmë hebrenj, e destinuar për të famshmin, por liberalin, Bryn Mawr College të Philadelphia (ku ndesh, pa simpati të veçantë, Katharine Hepburn), por e lirë pas dy vjetësh për t’i lënë studimet për të shkuar në Paris me 75 dollarë në xhep dhe një makinë shkrimi për t’ju kushtuar gazetarisë, mjaftueshmërisht jokonvencionale në xhaketat e saj me ngjyrë të hapura sipër pantallonave apo me bluzë dhe pantallona të shkurtra në frontet e të gjithë luftërave, nga Spanja në zbarkimin në Normandi, nga Vietnami në pushtimin amerikan të Panamasë kur tashmë kish mbushur të 81 vjeçët. Martha Gellhorn gjithmonë është ndjerë, imagjinuar dhe projektuar nga ana e drejtë e historisë. Një Leni Riefenstahl sëprapthi.

Screen Shot 2015-08-09 at 22.17.35Në krah të republikanëve spanjollë; në D-Day në Omaha Beach, kur arriti si punëtorë spitali në bordin e një anije spitali; në Montecassino dhe më pas në ndjekje të trupave të Armatës së 7-të që çlironin Dachau: “Nuk jemi krejtësisht të privuar nga faji, ne aleatët, pasi na janë dashur 12 vjet për të hapur portat e Dachau. Qemë të verbër, naivë e të ngathët dhe nuk mund të jemi sërish të tillë, dëshmoi menjëherë në “Collier’s”, në atë kohë më e çmuara midis të përjavshmëve popullore të Amerikës, 10 milion lexues. Akoma në procesin e Nurembergut dhe në vitin 1961 në Jeruzalem për të treguar atë të Eichmann në “Atlantic Monthly”, ndërsa Hannah Arendt, që nga e njëjta sallë gjyqi shkruante për “New Yorker”, do të nxirrte “Banalitetin e së Keqes”. Perspektivë krejtësisht tjetër, por edhe Martha, në reportazhin e saj, e kish paraparë normalitetin e hirtë burokratik të këtij “burreci me qafë të butë, me shpatulla të ngritura, me sytë kuriozë prej reptili, me fytyrë të mprehtë, me flokët të errët që vijnë duke ju rralluar, me një tik të lehtë nën syrin e majtë… një njeri i shëndoshë nga mendja, që i përket species tonë”. “Ia kemi frikëm pasi e dimë që është i shëndoshë nga mendja.

Do të kish qenë ngushëllim i madh të njihej se është i çmendur, kështu që mund ta refuzojmë me tmerr, sigurisht, por duke u siguruar se ai nuk është si ne, se mekanizmi i tij në mënyrë kriminale ka ngecur, ndërsa i yni funksionon akoma. Por nuk ka ngushëllim” (shkurt 1962). Pastaj në Vietnam në vitin 1967 për “The Guardian”, e rreshtuar kundër ndërhyrjes amerikane me shkrime aq therës sa që në Shtetet e Bashkuara nuk u botuan dhe qeveria jugvietnameze nuk i rinovoi vizën, dhe në Amerikën Qendrore në vitet Tetëdhjetë: “Duhet të turpërohemi nga pasaporta jonë”, sokëlliu duke u kthyer nga Salvador. Vetëm me Bosnjën ju desh të dorëzohej. Ishte bërë pothuajse e verbër, në shtëpinë e ndritshme të Londrës që shikonte nga kopshtet e Cadogan Square, kati i fundit i mbushur me libra, pak mobilie, asnjë fotografi, në të cilin shkonte me një ashensor të vogël.

hem 4

Por Sarajevën e “saj” tashmë e kish parë dhe e kish përshkruar tek “Collier’s” në vitin 1937 me shkrime të paharrueshme lidhur me rrethimin e Madridit: “Pastaj për një moment bombardimi u ndal. Një plakë me një shall mbi shpatulla, duke mbajtur përdore një fëmijë të terrorizuar, vrapon nëpër shesh. E di se çfarë po mendon: po mendon se duhet ta çojë në shtëpi fëmijën, je më i sigurt në shtëpinë tënde, midis gjërave që njeh. Për ndonjë arsye nuk beson se mund të vritesh kur je e ulur në sallonin e shtëpisë tënde, nuk e mendon kurrë. Është në mes të sheshit kur arrin bombardimi tjetër. Një copë e vogël metali, e vrullshme dhe shumë e mprehtë, shkëputet nga fisheku dhe e godet fëmijën në fyt. Plaka mbetet atje, duke shtrënguar dorën e fëmijës së vdekur, duke e shikuar e ngurosur, pa thënë asgjë, dhe njerëzit vrapojnë drejt saj për të marrë fëmijën. Në të majtën e tyre, në anën e sheshit, ka një tabelë me shkrimin: Larg nga Madridi”. E treguar kështu, historia e një monumenti: ndoshta jo ndaj letërsisë – romanet dhe tregimet e saj nuk janë të gjithë të shkëlqyer – por sigurisht ndaj gazetarisë së madhe. Ajo gjithmonë në vijë të parë, që nëqoftëse e di se nuk mund ta ndryshojë botën, e di se të paktën mund të dëshmojë (por asnjëherë në mënyrë neutrale: “all that objectivity shit!”, shpërthente ajo). Një monument ndaj korrektësisë profesionale, korrektësisë politike dhe ndaj vetvetes.

Megjithatë, në dritën e diellit, historia e një arratie të pandërprerë. Nga vetvetja, nga ai boshllëk që e thithte çdo herë që nuk arrinte të nisej, nga ai depresion që e priste çdo herë që ishte e shtrënguar të ndalej: “Nata e thellë e errët e shpirtit të udhëtarit”. Një arrati edhe nga ai dënim që kish zgjedhur një mbrëmje të fundit të dhjetorit të vitit 1936, kur ishte futur me të ëmën tek Sloppy Joe’s në Key West dhe e ulur në fund të sallës për të lexuar postën e saj kish parë “një burrë trashaluq, pis, me pantallona të shkurtra të bardha dhe këmisha të gjera e me rrudha”. Ernest Hemingway. Nga ai çast, për të gjithë jetën, ju desh të luftojë për të mos qenë, tha, “vetëm një shënim faqeje në jetën e dikujt tjetër”. Megjithatë, në moshën 27 vjeçare kish punuar tashmë për “United Press” dhe gazeta të ndryshme në Paris, ku kish pasur një histori të gjatë me ish dashnorin e Colette (që ishte 30 vjet më i madh se ajo), të martuarin Bertrand de Jouvenel, mik i Drieu la Rochelle; ishte lidhur me Eleanor Roosevelt, e cila në Shtëpinë e Bardhë e priste në dhomën e Lincoln; kish vendosur abortin e saj të parë; pasi kish përshkuar Amerikën dhe Meksikën kish botuar librin e parë të saj, “The Trouble I’ve Seen”, lidhur me Depresionin e Madh dhe, në kohën e saj, Hemingway ia kish varur fotografinë në murin e dhomës së saj të kolegjit. Ai, Hem, në moshën 37 vjeçare dhe në martesën e tij të dytë, ishte tashmë “shkrimtari më i madh akoma i gjallë”, kish botuar para pak kohësh “Dëborën e Kilimanxharos” dhe po kompletonte “Të kesh dhe të mos kesh”.

hem 1Martha, që më të ëmën dhe të vëllanë u ftua në shtëpinë e Hemingway në Whitehead Street, vendosi ta zgjasë qëndrimin e saj në Key West. Një çikë për të, “idhull i lavdishëm”, sidomos për një djalë suedez që “i hareshëm, notonte mrekullisht, vallëzonte mrekullisht”: kështu, tregoi, “bëra gjestin tim të zakonshëm, në fund të pushimeve pagova borxhin për dhjetë ditë shoqëri, dëfrim, grindje”. I kish shkruar mikes Eleanor Roosevelt: “Nëqoftëse do të ketë një luftë, të gjitha gjërat që shumica prej nesh bën nuk do të vlejnë më. Kam ndjesinë se duhet punuar ditë e natë dhe, veç kësaj, jetuar, notuar, nxjerrë flokët në diell dhe qeshur e dashuruar sa më shumë njerëz të gjejmë dhe kjo të bëhet tmerrësisht me ngut, pasi koha, ditë pas dite, bëhet gjithnjë e më e shkurtër”. Influenca ngjitëse e stilit të pamposhtur “Fiesta”. Hemingway, i cili po përgatiste transfertën në Spanjë, e mori në telefon nga New York – ajo ishte kthyer në shtëpi – për një ditë të tërë çdo pesë minuta, ndodhi shkëmbimi i zakonshëm i letrave (“Hem, të lutem shumë mos u zhduk. Jemi apo jo pjesë e të njëjtit grup? Tek ty kam shpresat”), ajo e arriti në Manhattan përpara nisjes: “Hyra në botën e Ernest që atëherë mu duk e habitshme e magjepsëse dhe më vonë mu duk harxhimi më i vdekshëm i kohës dhe armik me çdo ndjenjë intime”, megjithëse, për hir të së vërtetës, bëhej fjalë për të kaluar mbrëmjet midis miqsh botues dhe shkrimtarë e mondaniteteve të ndryshme në Stork Club dhe në Twenty-One. Në pranverën e vitit 1937, nga Parisi, me pantallona gri prej pambuku dhe xhaketë të zbërthyer, me 50 dollarë në xhep dhe pa ditur asnjë fjalë spanjisht, mori e vetme trenin drejt kufirit.

E kaloi më këmbë në Andorra. Ishte shumë ftohtë. Hipi në trenin për Barcelonë, e mbushur me rekrutë që i bashkoheshin forcave republikane. Më së fundi Madridi. Hemingway e priti me mënyrën e tij, në kantinën e transformuar në restorant të një hoteli në Gran Via, mes gazetarësh, agjentësh policie dhe prostitutash: “E dija se do t’ia dilje, bijë, sepse kam vepruar në mënyrë të tillë që t’ia dilje”. Ajo i toleroi paternalizmin e mburravecllëkun dhe u sistemua në një prej dy dhomave të Hotel Florida që ai kish zënë në katin e tretë, dhomat 108 dhe 109. përfunduan në shtrat sëbashku dy javë më pas. Martha nuk ishte e dashuruar dhe nuk e gjente fizikisht tërheqës, por e admironte, profesionalisht. Siç admirohej, shkroi, një kirurg në sallën e operacionit. Hemingway ishte korrespondenti më i rëndësishëm në Spanjë: mungonte gjithçka në Madridin e rrethuar, por qeveritarët i kishin vënë në dispozicion një apo dy automobila, benzinë dhe ushqim sipas qejfit. Në mëngjes kolegët zgjoheshin nga aroma e vezëve të tij të skuqura me proshutë. Pak kohë më vonë, të gjithë mësuan për marrëdhënien dhe një natë një bombardim i detyroi që të largoheshin më vrap sëbashku nga dhoma, me pizhame dhe pallto, midis turmave të gazetarëve dhe të putanave. Për t’i pritur poshtë, me një robdëshambër nate prej sateni blu, Antoine de Saint Exupéry, bujar dhe teatral, që u ofronte të gjithëve lëngje frutash. Seksi midis të dyve nuk qe kurrë kushedi se çfarë. “Në Spanjë kërkoja të shkoja në shtrat sa më pak të ishte e mundur”, zbuloi ajo. “Kujtimi im i raporteve me Hemingway është shpikja e të gjitha preteksteve të mia dhe, nëqoftëse nuk mund t’i thoja tamam jo, shpresoja që gjithçka të përfundonte sa më shpejt të ishte e mundur”. Për pjesën më të madhe të jetës së Martha, seksi qe pothuajse gjithmonë një detyrim. “E kam dashuruar gjithmonë botën e burrave, jo botën e burra-dhe-gra”. Ai i tyri nuk qe vetëm “takimi i dy vetmive”, siç i tha Hem duke u zbutur me Rilke.

Qe takimi i dy egocentrizmave të çfrenuar. Për të mbuluar teatrin e luftës evropiane, Ernest i vodhi akreditimin e “Collier’s”: mund të kish zgjedhur çdo testatë tjetër, por zgjodhi pikërisht atë. Kurse Martha, për të ndjekur konfliktin, e la vetëm për 6 muaj e gjysmë në Kubë, ku më pas jeta e hotelit i kish bërë të blinin dhe restauronin “Finca Vigia”. Ai i kish kushtuar “Për kë bien këto këmbana”. Dëshironte prej saj një vajzë, por Martha abortoi duket për të mos humbur avancimin e aleatëve. “I përshkruan aq mirë dhe me aq thellësi fëmijët dhe më pas nuk të interesojnë fare”, ju ankua. Qenë martuar në sallën e drekës të “Union Pacific” në Cheyenne, Wyoming, më 21 nëntor 1940. fotografitë ia kish bërë Robert Capa. U ndanë kur jeta u bë e pamundur, duke pranuar se midis tyre asnjëherë nuk kish qenë e lehtë. Gjithçka u prish në mënyrë të pariparueshme më 1943 në Londër: në mbrëmje ne Dorchester, për ta falur pas një grindjeje të dhunshme, Hemingway e ftoi për darkë. Jetonin ën dhoma të ndara dhe duke shkuar për ta marrë ai u përplas në një biondinë 37 vjeçare nga Minnesota, korrespondente e “Time”, të quajtur Mary Welsh, dhe çoi atë për darkë.

Do të bëhej gruaja e katërt e tij. Për të Martha nuk deshi më kurrë të dëgjonte. Të gjithë ata që e frekuentonin apo e intervistonin e dinin mirë. Duke e lënë i kish shkruar një mikeje: “Dua të jem vetvetja e vetme dhe e lirë të marr frymë, të jetoj, të shikoj botën dhe të shkoj e të rrëmoj kudo ajo qoftë. Ridua emrin tim, me dhunë, sikur ripasja mund të më kthente një pjesë timen”. Në vitin 1945 pari një aventurë më komandantin e forcave amerikane në Berlin, të ashprin dhe bukuroshin James Gavin. Për të, ai qe gati të divorcohej: “Jam shumë e vendosur, shumë e moshuar, shumë me vese dhe shumë jotolerante për të qenë një bashkëshorte e mirë”, qe përgjigja. Por u rimartua me ish drejtorin e “Time”, Tom Matthews, për t’i dhënë një familje të përkohshme djalit të saj të adoptuar, pasi në moshën 42 vjeçare ndjente se ishte koha të rriste një fëmijë. Kish vizituar 42 shtëpi fëmijësh në Itali dhe më së fundi në Pistoia ishte dashuruar me një 15 muajsh, “biond dhe bullafiq, që dukej se e kish shpikur ai të qeshurën”.

Quhej Alessandro, e quajti Sandy dhe ia shiti historinë “Saturday Evening Post” historinë e adoptimit për 2250 dollarë: një artikull “prekës, por aspak sentimental” e gjykon Caroline Moorehead në librin e saj të shkëlqyer “Martha Gellhorn. A Life” (shtëpia botuese Chatto&Windus). Bashkëjetesa me Sandy qe shumë e vështirë. Një pelegrinazh sfilitës, nga Italia në Shtetet e Bashkuara në Meksikë në Kenia në Uells, një ndryshim i vazhdueshëm kopshtesh, shkollash e kolegjesh. Midis një misioni dhe tjetri, Martha përfundoi për t’u ngulur në Londër. Sandy u rrit keq, braktisi universitetin, la ushtrinë, u burgos për shpërndarje droge, u lirua, u martua dhe i humbi kontaktet me të ëmën. U gjetën dhe ajo i bleu një pikë dhëniesh makina me qira. U plak e adhuruar Martha, por nuk e duronte rënien fizike dhe ju nënshtrua ndonjë liftingu.

Më 14 shkurt 1998 vendosi se kish ardhur momenti. Në moshën 89 vjeçare shikonte vetëm hije dhe e dinte se kishte një kancer në mitër dhe në stomak. Kish bërë një testament të hollësishëm. Në mëngjes mori thesin e plehrave, e vendosi jashtë derës dhe foli në telefon me një mik, duke qeshur. Pasdite, me Nicholas Shakespeare, biografin e Bruce Chatwin, diskutuan për luftën në Bosnje. Atë mbrëmje veshi një këmishë nate ngjyrë kremi, u shtri në shtrat dhe piu kokrrën që ruante prej kohësh. Kur mikja Victoria Glendinning e gjeti të nesërmen, në fytyrën e saj nuk kishte gjurmë frike. Sipas vullnetit të saj, me zbaticën hiri i saj u hodh në Tamiz, “për udhëtimet e mia të fundit”. Sëbashku me hirin, Sandy hodhi në lumë disa trëndafila të purpurt me bisht të gjatë.

Pergatiti: Armin Tirana

Bota.al

Nuk ka komente

Vendos komentin tend

Your email address will not be published. Required fields are marked *