Home»Ekonomi»Si e ndërtuan kriminelët kapitalizmin

Si e ndërtuan kriminelët kapitalizmin

Screen Shot 2015-04-08 at 16.55.48

Nga Clive Crook

Sa herë që blerësit dhe shitësit bëhen bashkë, shfaqen menjëherë mundësitë për ta zhvatur tjetrin. Historia e tregjeve është, pjesërisht, historia e mashtrimit, hileve dhe vjedhjeve – si dhe përpjekjeve, me kalimin e viteve, për të luftuar krimin tregtar.

Në fakt, evolucioni i ekonomisë moderne i detyrohet më shumë nga sa mendoni këtyre të jashtëligjshmëve. Eshtë kjo tema qendrore e “Falsifikimi i kapitalizmit: Mashtrues, batakcinj, rrengje dhe ngjitja e financës moderne”, me autor Ian Klaus. Eshtë një histori e krimeve financiarë në shekujt 19 dhe 20, e cila ndjek një seri që përsëritet: tregje të reja, mënyra të reja për të mashtruar, mënyra të reja për të bërë transaksione dhe siguruar besimin. Sic thotë Klaus, kriminelët kanë ndihmuar për ndërtimin e kapitalizmit modern.

Dhe cfarë personazhesh! Thomas Cochrane është i preferuari im. (Pjesërisht sepse ishte modeli i Jack Aubreyt për romanet “Master and Commander”, që i kam lexuar prej dekadash. Me sa duket KLaus nuk është fans: ai nuk e vëren lidhjen).

Cochrane ishte një aristokrat dhe hero i marinës. Në kulmin e famës së tij në vitin 1814, ai doli para gjyqit për mashtrime. Një ortak i tij kishte përhapur zëra të rremë për vdekjen e Napoleonit, duke ulur kështu cmimin e borxhit qeveritar britanik, si dhe duke i mundësuar Cochrane që të shmangte humbje të rënda në investimet e tij. Cochrane u ankua (në fakt me të drejtë) se gjyqi ishte i manipuluar, por ai u shpall fajtor dhe u burgos.

Historia është mbresëlënëse, dhe libri na con në fakt tek kuptimi i saj më i gjerë. Cochrane, në një farë mënyre, u dënua për sjellje që nuk i kishte hije pozicionit të tij. Loja me tregjet, jo më mashtrimi, ishin gjëra që një njeri i statusit të tij nuk duhej ta bënte. Besimi ngrihej pikërisht mbi pozicionin shoqëror.

Me vazhdimin e shekullit të trazuar, kapitalizmi e shtyu gjithnjë e më shumë kufirin e tij, në cdo kuptim: Ai gjeti mundësi të reja jashtë vendit; inovacioni financiar pësoi një përshpejtim; dhe blerësit dhe shitësit kishte gjithnjë e më shumë gjasa që të ishin të huaj mes tyre, duke vepruar në distancë nëpërmjet ndërmjetësve. Këto lloje të reja transaksionesh kërkonin mënyra të reja për të siguruar besimin. Statusi shoqëror u zbeh si formë garancie ku të mbështetej besimi. Në vend të tij erdhi, fillimisht, reputacioni (i bazuar në të kaluarën e tregtarit në marrëdhëniet e biznesit) dhe më pas verifikimi (bazuar në të dhënat publike dhe private që shërbenin si garanci për ndershmërinë e palës).

Skema të njëpasnjëshme mashtrimi dhe skandale e shtynë përpara këtë evolucion të besimit. Gregor MacGregor dhe kolonia mistike amerikano jugore e Poyaisit (“në thelb ishte mashtrimi i të parës fluskë financiare të Britanisë”, sipas Klausit); Beaumont Smith dhe një operacion i falsifikimit të një Ligji mbi Thesarin, shumë i madh në fushëveprim dhe kohëzgjatje; Walter Watts, nëpunësi i sigurimeve, gjoja sipërmarrës dhe mashtrues i madh; Harry Marks, gazetar, pronar gazete dhe fryrës i aksioneve të pavlerë. Me radhë, këto figura të famshme, kanë ndryshuar mënyrën se si publiku mendonte për besimin në tregti, si dhe nxitën ndryshimet të cilët bënë të mundur që publiku të vazhdonte të besonte.

Tema është e rëndësishme: “Falsifikimi i kapitalizmit” është një libër i mirë dhe unë e rekomandoj. Por kam disa kritika. Projekti ka nisur si një dizertacion akademik, dhe sidomos në fillim, përpara se Klausi të rrëfejë historitë, rëndesa akademike është shtypëse.

Besimi, për të qenë të thjeshtë me definicionin tonë, është një pritshmëri për sjelljen, i ndërtuar mbi norma dhe zakone kulturore. Ai shpesh herë basohet në një grup të përbashkët etike apo vlerash. Ai është gjithshtu një proces që orkestrohet përmes komuniteteve dhe institucioneve. Në këtë kuptim, është një ngjarje kulturore dhe si pasojë, një fenomen historik. Nuk ka dyshim, por pas një paragrafi të parë si ky, nuk pret një libër që mezi pret të kthesh faqen. Më besoni, përmirësohet shumë. Kur përpiqet, Klausi mund të shkruajë. Duke përshkruar korrierin që solli lajmin e rremë të vdekjes së Napoleonit, ai shkruan:

“Në errësirën e rrugës, korrieri mund të shihej përmes dritës së dy qirinjve. Ai dukej, do të dëshmonte më vonë një dëshmitar, “si një i huaj me një farë rëndësie”. Një kapelë gjermane me lëkurë foke, e zbukuruar me flori në skaje, ia mbulonte kokën. Një pallto ngjyrë gri mbulonte uniformën e tij të kuqe, mbi të cilën varej një yll… Fqinjët dhe banorët e hanit nisën të pëshpërijnë mes tyre, ndërkohë që vizitori shkruante dicka në një copë letër”.

Thuamë më shumë…
Kundërshtimi tjetër që unë kam për librin është sugjerimi i përsëritur se Adam Smithi dhe mbështetës të tjerë klasikë të ekonomisë së tregut kanë nënvlerësuar me naivitet prirjen njerëzore për të mashtruar, si dhe kanë vlerësuar më shumë se sa duhet aftësinë e tregut për të nxitur sjelljen e mirë. Klausi nuk ekzaminon pretendimet e tyre në mënyrë të drejtpërdrejtë, por shpesh herë thotë gjëra si: Shoqërueshmëria, tek e cila Adam Smithi kishte mbështetur shpresat e tij për ndjekjen e interesit vetiak nuk ishte një mburojë e mjaftueshme para kapitalizmit ndonjëherë kriminal, në tregun e lirë të pamëshirshëm.
Sigurisht që nuk ishte. Smithi nuk besonte se tendencat qytetëruese të tregut, bashkë me instiktin njerëzor për bashkëpunim, ishin një mburojë e mjaftueshme kundër mashtrimit apo shkeljes së kontratave, apo gabimeve të tjerënë tregti. Ai ishte shumë realist për natyrën njerëzore. Dhe me që ra fjala, shumë prej përshtatjeve dhe masave të marra kundër rritjes së rrezikut të mashtrimit që përshkruan Klausi kanë qenë sipërmarrje private, dhe jo masa qeveritare. Smithi nuk do të ishte aspak i habitur prej tyre, ai do ta kish pritur zhvillimin e tyre.

Megjithëkëtë, Klausi ka të drejtë: Jepuni meritën që u takon kriminelëve të kudogjendur të tregut. Ata ndihmuan për ndërtimin e kapitalizmit modern, dhe nuk do të zhduken. Shkoni e pyesni Bernie Madoffin. /Bloomberg View/ www.bota.al

Nuk ka komente

Vendos komentin tend

Your email address will not be published. Required fields are marked *