Home»Analiza»Tunizia, nga jasminat tek kthesa laike

Tunizia, nga jasminat tek kthesa laike

Screen Shot 2015-03-18 at 17.17.29

Tunizia ishte vendi që nisi sezonin e Pranverave Arabe. Tani po korr frutet

Protagoniste e Revolucionit të jasminave, Tunizia ishte vendi që inauguroi sezonin e PRanverave Arabe, duke arritur të kryejë një tranzicion i cili e pati kulmin me “kthesën laike” të zgjedhjeve presidenciale të fundit të 2014-ës, dhe miratimin e një Kushtetute që konsiderohet ndër më modernet në botën arabe.

Një proces i karakterizuar nga drita dhe hije, sidomos për shkak të makthit të terrorizmit që ka regjistruar një rritje shqetësuese në vitet e fundit.

Që nga 17 dhjetori 2010, kur shitësi i frutave Mohamed Bouazizi i vuri flakën vetes në Sidi Bouzid, duke ndezur bashkë me të edhe flakën e pranverave arabe, Tunizia ka ndjekur një rrugë e shenjuar vazhdimisht prej kundërvënies mes frymës laike dhe islamike të vendit. Pas dëbimit të diktatorit Zine El Abidine Ben Ali në vitin 2011, vendi është qeverisur për tre vjet nga islamistët e Ennahdhas. Kthesa erdhi në dhjetor të 2014-ës, kur 88-vjecari Beji Caid Essebsi, eksponent i frontit laik, mposhti rivalin e tij Moncef Marzouki, aleat i islamistëve. Fitorja u prit me entuziasëm të madh nga vëzhguesit perëndimorë. Franca, për shembull, foli për një “rol historik të Tunizisë” dhe për “gur themeli” që është vendosur me zgjedhjet presidenciale, të parat me të vërtetë demokratike që nga koha e pavarësisë në 1956. The Economist e ka kurorëzuar Tunizinë si “shtetin e vitit”, duke nënvizuar faktin që bën një përjashtim të rrallë në një rajon ku “idealizmi që prodhoi shpërthimi i Pranverës arabe, në shumicën e rasteve është shuar prej gjakut të derdhur nga ekstremizmi”.

Procesi e arriti kulmin me miratimin e Kushtetutës së re, që konsiderohet një prej më moderneve në botën arabe, ku sanksionohet baraza mes burrave dhe grave, edhe pse Islami vazhdon të mbetet fe kombëtare. Dhe qeveria e koalicionit mes laikëve dhe islamikëve që lindi në shkurt udhëhiqet nga Habib Essid. Ndoshta pikërisht si “vend model” i tranzicioneve në Afrikën veriore, Tunizia ka rregjistruar megjithatë një rritje të fortë të fenomeneve terroristë, kjo edhe për shkak të pozicionit gjeografik që e sheh mes Libisë dhe Algjerisë, në atë që tashmë konsiderohet një zonë nën ndikimin e xhihadistëve. Që nga rënia e Ben Alisë, shumë ekuilibra të lidhur me aparatin e sigurisë së vendit janë prishur, duke i krijuar hapësira të mëdha grupeve të huaj. Që nga revolucioni i jasminave, mendohet që më shumë se 3 mijë të rinj kanë shkuar në IRak apo në Siri, për të luftuar në krah të xhihadistëve.

Por terrorizmi ka goditur mbi të gjitha në brendësi të vendit. Pak orë përpara sulmit në muzeun Bardo, ministria e Brendshme kishte lajmëruar se kishte zbuluar një celulë xhihadiste në periferinë veriore të Tunizit. Në shkurt, autoritetet kishin lajmëruar kapjen e 32 islamistëve që planifikonin “sulme spektakolarë” kundër infrastrukturave jetike të vendit, duke përfshirë ndërtesa civile. Pas sulmit të sotëm në muzeun Bardo, Kryeministri Essid ka kujtuar se në operacionet antiterrorizëm janë arrestuar tasgmë 400 persona./IlGiornale/

www.bota.al

Nuk ka komente

Vendos komentin tend

Your email address will not be published. Required fields are marked *