Home»Analiza»Një myezin do ta zgjojë Romën

Një myezin do ta zgjojë Romën

Screen Shot 2015-10-07 at 10.32.21

Fillimisht flamuri i zi i Kalifatit që shpaloset mbi Vatikan. Pastaj Koloseu në flakë dhe një det gjaku që e rrethon. Së fundi, njoftimi i Kalifatit libian, “jemi në jug të Romës”. Në videot e propagandës së Shtetit Islamik gëlojnë profecitë e rënies dhe pushtimit të Romës me fjalët e Abu Muhammed al Adnanit, zëdhënës i Shtetit Islamik të Irakut dhe të Sirisë së Madhe: “Do ta pushtojmë Romën tuaj, do t’i bëjmë copa kryqet tuaja, do t’i vëmë nën skllavëri gratë tuaja”.

Ka një traditë të gjatë islamike që do ta bëjë Romën, “Romiyyah”, qytetin e katërt të shenjtë të islamit (pas Mekës, Medinës dhe Jeruzalemit) dhe bazën nga ku Islami do të mund të pushtojë botën perëndimore. Roma si vend atraksioni të papërshkrueshëm, si magnet mistik i universitetit islamik. Është një çmenduri eskatologjike e shkruar me gjak, por që ka një kapje dhe një sharm të thellë jo vetëm tek IS-i, por në të gjitha lëvizjet islamiste bashkëkohore, përfshi të konvertuarit. Si puna e Roger Garaudy, intelektualit francez që në vitin 1986 lëshoi sfidën e tij: “Do ta çoj islamin në Romë”. Është e pranishme, megjithëse në formë ekumenike dhe demokratike, edhe në ndërtimin e xhamisë së Romës, e cila u lajmërua si “monumenti për islamin më i madh i Europës”, i kushtuar 50 milion dollarë, 35 prej të cilave të ardhura nga Arabia Saudite.

Themeli i kësaj profecie është Sura e XXX-të e Kuranit, e quajtur ar Rum, “për romakët”. Fondamentalistët islamikë i lexojnë si të vërteta të përjetshme dhe letrare suret e Kuranit. Më besnikëve të tij, të fshehur në shpellat e Tora Boras, Usama bin Laden e kishte zakon që t’u përsëriste nga Kurani “suren e shpellës”. Kurse për të justifikuar sulmin ndaj Kullave Binjake në New York, përdori një sure, të 4-ën, që lexon: “Kudo që të jeni do t’ju gjejë vdekja, edhe sikur të ishin në kulla shumë të larta”.

Marrja e Romës bazohet mbi mitin islamik të Herakliut dhe një letër që Perandori bizantin do t’i shkruante Muhamedit, duke e njohur si “Lajmëtarin e Zotit e cituar në Dhiatën e Re tonën: Jezùsi biri i Maries të kishte anonçuar”. Ahmad ibn Hanbal, themeluesi i shkollës juridike islamike hanbalite (sot në pushtet në Arabinë Saudite) përcjell midis “hadithëve”, thënieve të Muhamedit, atë sipas së cilës Profeti i islamit kishte parashikuar se “qyteti i Herakliut (Konstandinopoja) do të binte e para, pastaj Roma”.

Në vitin 2003, në kulm të luftës irakene, Usama bin Laden mbajti një diskutim “kundër Romës së re”. Tri vite më pas, në gjurmë të leksionit të Papës Benedikti në Universitetin e Ratisbonës, al Qaeda lançoi proklamimin e saj: “Shërbëtorë të kryqit, priteni humbjen. Myslimanët do ta pushtojnë Romën ashtu siç kanë pushtuar Konstandinopojën”. E më tej akoma, duke ju drejtuar Ratzinger: “Ti dhe romanët e tu do të mundeni siç ndodh në Irak, , Afganistan, Çeçeni e tjetërkund. Allahu do t’ua hapë dyert e Romës myslimanëve, ashtu siç e ka premtuar lajmëtari dhe hadithi, dhe siç ka ndodhur me Konstandinopojën”.
Në al Aqsa Tv, kanali televiziv i regjimit islamik të Hamasit në Gaza, pasojnë predikime lidhur me marrjen e qytetit të përjetshëm. Si ai i 12 marsit 2010: “Profecia e pushtimit të Romës, në dashtë Allahu, mbetet në fuqi. Pikërisht ashti siç u pushtua Konstandinopoja 500 vite më parë, edhe Roma do të pushtohet. Si mund të procedojmë përgjatë rrugës së drejtësisë, nëqoftëse nuk jemi të qartë në bindjen tonë se Roma do të pushtohet, siç premtohet nga Profeti Muhamed dhe siç proklamohet nga Allahu?”. Dhe ai që fantazon lidhur me pushtimin e konvertimin e Romës ka qenë sidomos imami Yusuf al Qaradawi, mentor i Vëllazërisë Myslimane, sheik me qendër në Qatar, një lloj “Pape i islamit sunit”.
“Islami do të kthehet në Europë si pushtues dhe si fitimtar, pasi është përzënë prej saj dy herë – një herë nga jugu, nga Andaluzia, dhe një herë nga lindja”, përsërit Qaradawi. “Konstandinopoja u pushtua dhe mbetet pjesa e dytë e profecisë, domethënë pushtimi i Romës. Kjo do të thotë se islami do të kthehet në Europë. Islami ka hyrë dy herë në Europë… Ndoshta, dashtë Allahu, pushtimi afërt do të ndodhë falë predikimit dhe ideologjisë. Nuk është e detyrueshme që pushtimi të ndodhë për meritë të shpatës”.
Spas shembullit të Qaradaëi kanë ecur edhe shumë imamë sauditë. Si Muhammad bin Abd al Rahman al Arifi, imam i Xhamisë Mbreti Fahd në Akademinë Ushtarake të Mbretrisë saudite, që ka firmosur artikullin “Mos u trishtoni. Allahu është me ne”. “Do të kontrollojmë tokën e Vatikanit, do të kontrollojmë Romën dhe do të fusim islamin. Të krishterët që varën kryqin mbi gjoksin e myslimanëve në Kosovë dhe më përpara akoma në Bosnje e në vende të tjera, do ta na e paguajnë me Jizya (taksën të cilës i janë nënshtruar jomyslimanët që jetojnë nën pushtetin mysliman, shënimi im.) dhe me poshtërimet ose do të konvertohen në islam”.

E ngjashme terminologjia e sheikut Yousef Juma Salameh të Xhamisë al Aqsa në Jeruzalem, përgjegjës i entit fetar yë Autoritetit Palestinez, që pasi ka shpjeguar se “Romiyyah është Roma, kryeqyteti i Italisë”, është ndalur mbi “pushtimin e madh të Konstandinopojës, e ndodhur dy shekuj pas hyrjes së tartarëve në Bagdad dhe rënies së Kalifatit, kur njerëzit mendonin se islami kishte arritur pikën më të ulët të tij”. Një një predikim të mbajtur në Xhaminë e Karthoum në Sudan, sheiku Muhammad Abd al Karim paraqet një skenar lufte fetare akoma edhe më të gjerë: “Profeti ka folur për pushtimin e Romës, ku ndodhet Vatikani. Myslimanët sulmuar Indinë dhe Allahu e ka pushtuar, pastaj kanë pushtuar Konstandinopojën ku ishte qendra e kristianizmit të Lindjes dhe në të ardhmen një mbret i fuqishëm do të ngrihet për myslimanët. Falë tij, islami do të përhapet dhe Roma do të pushtohet”.

Ky mit fatal bazohet mbi rënien e mëparshme e Nèa Rome të ndërtuar nga Konstandini në Bosfor, që mblodhi dhe ruajti traditën perandorake, kulturën e lashtë dhe që qe pika ekstreme e kristianizmit me pragun e islamit. Deri kur, më 29 mars 1453, një njollë gjaku u zgjerua nga Bosfori dhe pikoi deri në Europë: pas një sulmi masiv nga toka e nga deti, Konstandinopoja u pushtua nga turqit. Arritën kudo përshkrimet e shfarosjes, me plaçkitjet, përdhunimet, shuma e ndryshme të kërkuara për të burgosurit e panumërt, sakrilegjet, mizoritë çnjerëzore. Qe një IS ante litteram. Kundër islamikëve, Bizanti u kundërvu me të gjitha forcat e tij si bastioni i madh dhe i fundit i Perëndimit, si copa e tokës ekstreme e Europës. Megjithatë as Austria, as Hungaria, as republikat marinare, as Ati i Shenjtë, as aragonezët e Napolit nuk lëvizën aspak. Europa i mungoi traditës së saj, detyrave historike të saj, impenjimeve morale të saj. U vlerësua e gjitha vlera e Konstandinopojës vetëm pas vitit 1453, kur batica turke u përhap në ultësirat e Europës lindore deri në Mesdhe. Tradita “romane” e islamit mbështetet edhe mbi një precedent historik të cilin historianët tentojnë ta “harrojnë”. Narrativa e saj ndodhet në një libër të studiuesit amerikan Andreë Bostom, i titulluar “The Legacy of Jihad”. “Duke zbritur shpatet e Pirenieve, arabët pushtuan Aquitania”, shkruan Bostom. “Në vitin 732 hynë në Bordeaux, ku dogjën të gjitha kishat dhe avancuan deri në portat e Poitiers, duke i vënë zjarrin bazilikës së Shën Hilarit. Pastaj u nisën drejt kryeqytetit të kristianizmit gal, Tours, objektivit shpirtëror dhe material të tyre”. Por nuk arritën kurrë atje: një të shtunë tetori, komandanti i Frankëve, Karl Çekiçi, i ndali pak larg nga Poitiers. “Veç kësaj, gjetën rajonet mesdhetare më tërheqëse. Rreth 734 – 735 morën me sulm Arles dhe Avignone”.

Nga bregu i Provansës, në vitin 846 myslimanët zbarkuan në grykëderdhjen e lumit Tiber në Ostia, ju ngjitën lumit, plaçkitën bazilikat e Shën Pjetrit e Shën Palit, u dhunuan varret. Çdo vit nga 857 e më pas kanë kërcënuar bregdetin roman. Me qëllim që t’i hiqte qafe, Papa Gjoni i VIII-të vendosi në 878 që t’u premtojë atyre një pagesë vjetore prej disa mijëra copash floriri, deri kur Papa Gjoni i X-të në 915 udhëhoqi personalisht rebelimin kundër bazës së arabëve në grykëderdhjen e lumit Garigliano. Armatat myslimane pushtuan Bari dhe Brindisi për 30 vjet, Taranto për 40 vjet, Benevento për 10 vjet, sulmuan shumë herë Napoli, Capua, Calabria, Sardegna, shkatërruan Abacinë e Montecassino; bënë inkursione plaçkitëse në Italinë e veriut, duke kaluar Alpet. Për të përballuar plaçkitësit myslimanë, Arduino Glabrione ndërtoi në lartësinë e Avigliana, në Val di Susa, një kështjellë të fuqishme me kulla. Sot është një ndër më të bukurat e krahinës Piemonte.

I gjithë gadishulli italian i ekspozohet xhihadit. Epopeja e Sharlëmanjit, e popullarizuar në oktavat e Ariostit, jeton në pikturat e karrocave siçiliane dhe në “marionetat” kudo të ekspozuara midis Katanias dhe Palermos, shikohen heronj myslimanë, dhe konvertime e dashuri. Shën Gjoni i eremitëve në Palermo futet në një xhami të lashtë, fshatrat malore të Liguria të sjellin në mend strukturën e Qasba-s islamike dhe asnjë italian, ashtu si asnjë spanjoll dhe asnjë provencal nuk është i sigurtë se nuk e ka ndonjë pikë gjaku arab në damarë. Është rasti i 500 murgjve të San Vincenzo në Volturno, të masakruar nga myslimanët dhe të hedhur në rrjedhën e lumit. Në Kapitullin e 52-të të “Rënies dhe shembjes së Perandorisë Romake” të tij, historiani i shquar Edward Gibbon shkruan se sikur myslimanët të mos ishin mundur në Poitiers në vitin 711 “ndoshta sot interpretimi i Kuranit do të mësohej në klasat e Oxford dhe podiumet e kishave tona do të mbusheshin nga ata që predikonin të vërtetën e shenjtë e zbulimit të Muhamedit”. Kushedi se çfarë do të kishte ndodhur sikur saraçenët të mos qenë ndalur në brigjet e lumit Tiber.

Por ka një kapitull të tretë, të fundit, të kësaj frenezie prej fundi të kohëve. Me rënien e Konstandinopojës, tradita ekleziaste e perandorisë, që kishte mbledhur pushtetin tokësor dhe shpirtëror në personin e perandorit, u eklipsua nga Europa e papëve dhe kaloi tek “Roma e Tretë”: Moska. Gjatë rënies së Bashkimit Sovjetik, Ajatollah Khomeini i dërgoi një letër Mikhail Gorbaçovit, ku e ftonte kreun e Kremlinit që të “studionte islamin” dhe i kërkonte që të “interesohej për Zotin”, duke e degdisur komunizmin në “muzeumin e historisë”. Po në ato ditë, poli i tjetër i islamit, Arabia Saudite, dërgonte 1 milion kopje të Kuranit në Bashkimin Sovjetik. Jo rastësisht, sot në majën e armiqve më të këqij të Shtetit Islamik dhe të islamit sunit është Rusia e Putinit.

Në haluçinacionet islamiste Çeçenia, myslimane, e mbështetur nga Turqia, e ndihmuar nga Irani, duhej të transformohej në një Afganistan i dyfishtë dhe e ngulur si një thikë pas shpine e perandorisë kristiane ruse. E para dhe e treta, Roma, duhet të kenë fundin e së dytës, Kostandinopojës. Prej katër kryeqyteteve të Perandorisë Romake (Romë, Kartagjenë, Aleksandri dhe Antioki) vetëm i pari i përket ende Perëndimit. Islami ka fshirë pjesën e mbetur. Nga selia në të cilin kristianizmi primitiv qe më i pasuri, më i parmishmi (ai i Shën Siprienit dhe Shën Agustinit) ka vetëm ndonjë copëz kolone, ndonjë tullë midis të cilave të shëtisësh, duke i medituar perëndimin. Cikli mesianik do të ishte i plotë me kapjen e Romës. Kur kënga e myezinit do të zgjonte Shën Pjetrin dhe bazilika e madhe do të kishte fundin e Shën Sofisë së Kostandinopojës.

(nga Il Foglio) Përgatiti: ARMIN TIRANA

Nuk ka komente

Vendos komentin tend

Your email address will not be published. Required fields are marked *