Home»Bota»Zgjerohet harta e “tentakulave”, tani nga Europa i ndan vetëm Mesdheu

Zgjerohet harta e “tentakulave”, tani nga Europa i ndan vetëm Mesdheu

Screen Shot 2015-02-24 at 11.40.29 AMRevanshi tmerrues që ka marrë ISIS-i, i ilustruar nga ekspertët me një hartë të mirëdetajuar, tregon sesi “tentakulat” e grupit terrorist zgjaten tani nga Algjeria në Afganistan.
Organizata e lindur në 2004-tën si pjesë e Al Kaedës, dhe e shkëputur prej saj vetëm dy vjet më parë, ka mbërthyer në darën e vetë të dhunës e terrorit, territore të tëra të Lindjes së Mesme e Afrikës së Veriut.
Nga Europa, sot, autorët e ekzekutimeve barbare i ndan vetëm deti Mesdhe. Pushtimeve në Irak e Siri i janë shtuar së fundi një rritje e pranisë në Libinë e përfshirë nga kaosi apo ndërtimi i një strukture mbështetëse në Turqi, Jemen, Arabinë Saudite, në gadishullin egjiptian të Sinait, në Afganistan, Tunizi e Algjeri.
Ky ekspansion tiranik, sipas ekspertëve të Institutit britanik të Studimit të Luftës, është pjesë e një strategjie globale të grupit frikësues për të marrë nën kontroll vendet e destabilizuara, ndërsa vazhdon të mbetet i angazhuar në betejën kundër Perëndimit.
Kemi vënë re se Shteti Islamik ka nisur t’i përshpejtojë operacionet e tij për aktivizimin e grupeve të fjetura, në shtete ku mbizotëron destabiliteti dhe ka pasur vërtet efekt, pohon eksperti i antiterrorizmit, Harleen Gambhir.
Shtrirja e influences së tij kishte kaluar pa u vënë re deri në ditën e publikimit të videos së ekzekutimit me prerje koke të 21 të krishterëve egjiptianë në një plazh të Libisë. Afrimi i muslimanëve të margjinalizuar po e forcon shumë nivelin e mbështetjes së grupit, që vazhdon të shtojë radhët me rekrutë të rinj.
Hija e tij në Libi ishte një kambanë për Europën. Afërsia e vendit me kontinentin e vjetër dhe roli që ka si “strehë e radikalizmit”, krijon premisat për një skenar të mirëfilltë katastrofe, thonë vëzhguesit ndërkombëtarë. Sipas tyre, frika se zhvillimet në Libi mund të shërbejnë si faktorë destabilizimi edhe për vendet fqinje, si Algjeria e përfshirë prej kohësh në një betejë të dhunshme me ekstremizmin, është mëse e përligjur.
ISIS-i, sipas CIA-s, numëron 31.500 luftëtarë besnikë në radhët e tij, por “peshmergat” kurde që janë përballur me xhihadistët në terren thonë se numri real i tyre shkon diku te 200.000.
Shpjegimi i hartës:
Algjeria: Qytetarit francez të rrëmbyer vitin që shkoi në këtë vend, iu pre koka nga një grup i quajtur Jund-al-Khilafah, që është betuar për aleancë me Shtetin Islamik.
Tunizia: Një vend i cilësuar “terren shumimi” për ISIS-in, me 2.400 qytetarë të tij të kthyer në luftëtarë të grupit terrorist.
Libia: ISIS-i ka hyrë ngadalë në rajonet bregdetare, duke marrë si pa u ndierë nën kontroll Bengazin, Nofilian, Dernan dhe Sirtën.
Siria: Militantët kanë shpallur qytetin sirian të Raqqa-së si kryeqendrën e kalifatit të tyre të vetëshpallur islamik, e kontrollojnë territore të mëdha në rajonet lindore të vendit.
Iraku: Shteti Islamik lindi në Irak dhe sundon rajone të tëra në veri dhe në lindje të këtij shteti, përfshirë Falluxhanë dhe qytetin e dytë më të madh, Mosulin.
Afganistani: Luftëtarë të veshur me të zeza, që valëvisin flamurin e ISIS-it janë raportuar në Farah, Helmand dhe Zabul.
Egjipti: Një kryengritje e dhunshme shpërtheu në gadishullin e Sinait, pas përmbysjes së Hosni Mubarakut në 2011-n, dhe grupi militant më aktiv atje është besnik i ISIS-it.
Jemeni: Një prej degëve më të fuqishme të Al-Kaedës vepron në këtë shtet. E njohur si Al Kaeda në gadishullin Arabik (AQAP), muajin e kaluar shpalli aleancën e saj me ISIS-in.
Shenjat shpjeguese të poshtme:
katrori i kuq i hapur: zona ku regjistrohen veprimtari dhe operacione të ISIS-it në shkallë të gjerë
katrori rozë: vende me prani të ISIS-itkatrori i kuq: zona nën kontrollin e drejtpërdrejtë të ISIS-it
shigjeta e kuqe:  drejtimi i influencës së ISIS-it
flamuri: fortesa kryesore të ISIS-it
INA-ONLINE

Nuk ka komente

Vendos komentin tend

Your email address will not be published. Required fields are marked *