Home»Analiza»Dilema që nuk është…

Dilema që nuk është…

Screen Shot 2015-02-21 at 9.58.03 PM

Evropa nuk duhet të ketë dyshime mbi mundësinë për të provuar lartësinë e idealeve të saj

Udhëheqësit evropianë kanë shumë arsye për t’u shqetësuar, që nga brishtësia e monedhës së tyre të përbashkët, deri tek kërcënimet xhihadiste dhe ambiciet e Rusisë. Çfarë ata nuk kanë problem është mbipopullimi. Evropa mund të jetë kontinenti i vetëm, ku numri i vdekjeve ka tejkaluar atë të lindjeve. Dhe pavarësisht afërsisë së madhe të kontinentit të vjetër me Lindjen e Mesme dhe Afrikën, vetëm një europian në dhjetë ka lindur jashtë Bashkimit Evropian.
Por Evropa është aq e rrethuar nga frika e të qënit e pushtuar nga emigrantët, saqë është duke i lënë me mijëra të vdesin në Detin Mesdhe. Në tetor të 2014-ës, ndonëse atë vit u mbytën tre mijë emigrantë, Komisioni Evropian e mbështeti Italinë në vendimin për të ridimensionuar operacionin MARE Nostrum, i cili kishte shpëtuar mijëra jetë. Misioni u nis nga Italia pas tragjedisë së Lampedusa-s, ku, më 3 tetor 2013 vdiqën 366 emigrantë. “Triton”, operacioni i Bashkimit Evropian i cili zëvendësoi MARE Nostrum, mund të ndihmojë vetëm varka të ngarkuara me refugjatë, që gjenden brenda 30 milje larg nga bregu. “Triton” kushton një të tretën e Mare Nostrum, por kjo nuk e justifikon vendimin e Komisionit. 75 milionë eurot diferencë, janë shumë pak po të kesh parasysh buxhetin evropian. Edhe më domethënës është fakti se një operacion që është përdorur për të shpëtuar jetë njerëzore, tashmë është zëvendësuar nga një program i cili menaxhohet nga agjencia Frontex, në krye të patrullimit të kufijve të jashtëm të shteteve të BE. Duket se politikanët evropianë janë më të shqetësuar për t’i dekurajuar emigrantët, në vend që të shmangin vdekjen e tyre. Disa argumentojnë se do të ishte më humane që të eliminoheshin operacionet e shpëtimit, pasi ata nxisin trafikantët për të ngarkuar edhe më shumë njerëz në anijet e tyre.
Numrin në rritje të migrantëve e shkaktojnë krizat humanitare, jo iluzioni i një kalimi më të lehtë. Të ballafaquar me perspektivën e torturës, sëmundjeve dhe vdekjes, llogaritja e probabilitetit për t’ia dalë mbanë dhe kaluar Mesdheun, ka shumë pak ndikim në vendimin për t’ia mbathur. Komisioneri i Lartë për Refugjatët i Kombeve të Bashkuara, Antonio Gutierres me të drejtë ka thënë se këta njerëz janë të shtyrë nga dëshpërimi dhe shpresa. Në dritën e gjithë këtyre detajeve, prioriteti evropian duhet të jetë shpëtimi i emigrantëve në rrezik. Duhet rikthyer operacioni Mare nostrum, por këtë herë nën përgjegjësinë e Bashkimit Evropian.
Në lartësinë e një ideali
Vende të tilla si Italia dhe Greqia kanë nevojë të mbështeten dhe partnerët evropianë duhet të angazhohen për të pranuar më shumë refugjatë. Për më tepër, vendet e origjinës së emigrantëve duhet të ndihmohen për të identifikuar dhe ndëshkuar trafikantët.
Luksi i migrimit do të ulet vetëm kur konfliktet të shuhen në Mesdhe. Evropa nuk mund të bëjë shumë për të shpejtuar këtë proces, por ajo mund të zvogëlojë koston në jetë njerëzore. Sidomos të trajtohen refugjatët si viktima dhe jo si një kërcënim. Ardhja e të rinjve nga vendet e tjera do të mund të zgjidhte krizën demografike të kontinentit. Problemi i emigrantëve është përshkruar si një dilemë e madhe. Por ajo nuk ekziston. Respekti që Evropa ka për të drejtat e njeriut pjesërisht shpjegon pse janë të shumtë ata që kërkojnë strehë brenda kufijve të saj. Evropa nuk duhet të ketë dyshime mbi mundësinë për të provuar lartësinë e idealeve të saj./Financial Times/

Nuk ka komente

Vendos komentin tend

Your email address will not be published. Required fields are marked *