Home»Teknologji»Paisjet elektronike të teknologjisë moderne

Paisjet elektronike të teknologjisë moderne

pajisjetÇdo vit, panairet e paisjeve të teknologjisë së lartë tërheqin konsumatorë të shumtë në Shtetet e Bashkuara, Japoni, Evropë dhe në gadishullin arabik.
Megjithëse shumica e njerëzve janë tashmë të rrethuar nga pajisje elektronike inteligjente të të gjitha llojeve, gjithmonë disa dëshirojnë edhe një më shumë, e cila të jetë më e mirë dhe më inteligjente se pajisja e mëparshme.
Në panairet e elektronikës, vizitorët mblidhen rrotull versioneve më të rinj të tabletëve, kompjuterave, ekraneve televizive tre-dimensionale, madje edhe rrotull robotëve të vegjël, duke ëndërruar që të marrin një me vete në shtëpinë e tyre.
Konsumatorët presin me orë të tëra në radhë dhe harxhojnë qindra dollarë për të qenë të parët që do të marrin telefonin më të ri inteligjent.
Bota moderne duket se është e dashuruar me objekte të kushtueshme plot shkëlqim, të cilat na mbajnë në lidhje me njëri-tjetrin, na ndihmojmë të orientohemi, të regjistrojmë mendimet tona dhe ngjarjet domethënëse, madje edhe bashkëbisedojnë me ne.
Aq jemi të magjepsur, saqë tashmë paisjet elektronike nuk i zotërojmë thjesht, por kemi madje edhe një marrëdhënie me to, thotë psikologia dhe specialiste për tranzicionet në jetë, Francine Lederer.
“Është shumë më e lehtë të mbash një marrëdhënie të njëanshme me kompjuterin tënd, me telefonin, se sa me një qenie të gjallë. Kështu që, në fund të ditës, nuk të duhet të vrasësh mendjen nëse dikush është i inatosur me ty, ose nëse do të të ngelet faji për diçka.”
Megjithëse të kesh njëmijë miq në Facebook mund të perceptohet si e barazvlefshme me të paturit e njëmijë miqësive të vërteta, znj. Lederer thotë se në realitet nuk është kështu.
“Ka të bëjë në një masë të madhe me proçeset tona të brendshme. Si ndjehemi për veten; çfarë mase vetëbesimi dhe vetëvlerësimi kemi, dhe shumë gjëra të tilla të ngjashme.”
Paisjet tona elektronike janë magjike. Na magjepsin në të njëjtën mënyrë siç intrigohemi nga truket e një magjistari, thotë profesori i psikologjisë në Universitetin South Pacific, Robert Epstein.
“Ajo çka shohim deri tani janë fillimet e të ashtuquajturës teknologji që vishet në trup, gjëra që mund t’i mbash tek kyçi i dorës, ose në vend të syzeve. Por, me ose pa dijeninë e publikut, ne po zhvendosemi drejt një platforme ndërveprimi të vërtetë biologjik, që në njëfarë mase do t’i konceptojë paisjet si pjesë e trupit tonë.”
Psikologia Francine Lederer thotë se rreziku qëndron tek fakti se varësia jonë tek paisjet elektronike po perceptohet gjithnjë e më shumë si diçka normale.
“Mendoj se në njëfarë mënyre, shoqëria jonë dhe mediat, shpesh e paraqesin si normal nivelin e përdorimit nga ana jonë të këtyre pajisjeve dhe celularëve, por e vërteta është se ato nuk janë të mira për shëndetin tonë.”
Shkencëtarët parashikojnë se paisjet elektronike me ndërveprim biologjik mund të bëhen të disponueshme brenda 20 viteve të ardhshme, dhe të gërshetuara me një inteligjencë të fortë artificiale, ato do të jenë shumë më të zgjuara se pajisjet e sotme.

Nuk ka komente

Vendos komentin tend

Your email address will not be published. Required fields are marked *