Home»Analiza»Merkeli “qorton” carin. Lojë nervash në tryezën e dyshimeve

Merkeli “qorton” carin. Lojë nervash në tryezën e dyshimeve

lideret

Që në mëngjes, në tryezë me liderët europianë dhe në praninë e një Vladimir Putini shumë në formë, pavarësisht se kish qëndruar deri në tre të mëngjesit në shoqërinë e Silvio Berlusconit, Angela Merkel i bie “ziles së alarmit”. Fillon në anglisht, duke tundur një letër të mbushur me shënime, më pas i kthehet direkt në rusisht Putinit. “Kur do të vendosësh ta zbatosh këtë marrëveshje? Duhet të ndërpresësh mbështetjen për separatistët në Ukrainë…”.
“Një moment, një moment”, ndërhyn kryeministri italian, Matteo Renzi. “Sa kohë që flasim anglisht, dakord, por me rusishten vërtetë që nuk mundem”. Tensioni bie. Eshtë kancelarja që buzëqesh e para.
Në mungesë të amerikanëve, Putini kishte shpresuar so do të mundej ta dominonte dinamikën e takimit të Milanos. Ose më saktë, ishte përgatitur për “armiqësinë” e britanikut David Cameron. Shpresonte në sjelljen e hapur të Matteo Renzit, zotit të shtëpisë, si dhe mungesën e vendosmërisë të presidentit francez, François Hollande, si dhe të liderëve të BE-së.
Llogaritë e numrit një të Kremlinit kanë rezultuar pothuajse të sakta. Gjatë takimit në Prefekturë, Cameroni ishte i drejtpërdrejtë, në presing. Putini ka qëndruar i palëvizur, dhe menjëherë i ka kërkuar zëdhënësit të tij, Dmitry Peskov, që të “lajë hesapet” duke shpërndarë një deklaratë ku aludonte për “disa pjesëmarrës që kanë patur një qasje absoultisht të njëanshme, jo fleksibël, jo diplomatike”.
Në tryezë, German Van Rompuy president i Këshillit Europian dhe Jose Manuel Durao Barroso, të dy në largim, nuk kanë thënë asnjë fjalë. Por, Van Rompuy, para gazetarëve ka lëshuar një deklaratë duke përsëritur “implementation, implementation, implementation”, duke i bërë thirrje Rusisë që të zbatojë deri në fund marrëveshjen e armëpushimit, i ashtuquajtur “Protokolli i Minskut”.
Renzi është përpjekur të ndërhyjë. Kryeministri italian është përpjekur të kënaqë Putinin, duke thënë se “nuk mund të bëjmë pa Rusinë” në zgjidhjen e emergjencave botërore. Por që në batutat e ara u kuptua se si ishin shpërndarë kartat e peshës politike. Angela Merkel ka vënë menjëherë në zotërim përballjen, duke përmendur përmendësh nenet e marrëveshjeve të mëparshme, duke treguar se e njeh me themel problemin. Në atë pikë, Putini ka filluar të sprapset dalëngadalë. Në fillim ka sqaruar se Moska dëshiron të respektojë “integritetin territorial të Ukrainës”, më tej ka thënë se “nuk e di nëse në Donbass luftojnë edhe rusë” dhe në cdo rast ai nuk do të ishte në gjendje t’i “kontrollonte”.
Në orën e drekës dukej sikur gjithcka ishte mbyllur me kaq. Presidenti ukrainas, Petro Poroshenko përsëriste se Putini nuk kishte asnjë interes që ta zgjidhte vërtetë krizën. Udhëheqësit vendosin të vazhdojnë gjithësesi, duke e ndarë diskutimin dhe duke ua besuar ministrave të jashtëm. Një grup më i ngushtë do të merrej me problemin e zgjedhjeve lokale që do të mbahen në Donetsk dhe Lugansk. Grupi tjetër, i koordinuar nga Italia, për kontrollin e frontit duke përdorur avionët pa pilot.
Por edhe një herë kancelarja gjermane, absolutisht indiferente ndaj rregullave të diplomacisë, ka ngritur zërin duke ripropozuar katërshen e provuar në qershor në Normandi: Merkel, Hollande, Putin dhe Poroshenko. Këtu takimi bëhet pragmatist: flitet për gaz, për kontrata që duhen rishikuar.
Europianët kërkojnë garanci, Putini lëkundet, bën një lëshim të vogël që Poroshenko e merr për një marrëveshje të vërtetë.
Në fund të gjithë e kuptojnë që zgjidhja e krizës nuk është maturuar. Sigurisht, nuk ka patur grindje: askush nuk ka përmendur fjalën “sanksione”, as për të kërcënuar e as për t’u ankuar. Putini largohet nga Milano, duke u angazhuar se do të reflektojë për marrëveshjen e Minskut, që u firmos në 5 shtator. Kish bërë të njëjtën gjë në 17 prill, kur ishte nisur nga Gjeneva, pasi kishte firmosur një tekst të ngjashëm. /corriere della sera/
Përshtatur në shqip nga www.bota.al

Nuk ka komente

Vendos komentin tend

Your email address will not be published. Required fields are marked *