Home»Analiza»Lëvizja Occupy është ndërkombëtarizuar

Lëvizja Occupy është ndërkombëtarizuar

Manifestimet studentore në Hongkong janë vetëm mishërimi i fundit i një mobilizimi planetar, i cili është duke rikonfiguruar peisazhin politik. Mosbesimi ndaj shtetit i lë vend demokracisë direkte

Nga David Graeber dhe Yuk Hui

Occupy

Sa herë që deklarohet fundi i lëvizjes “Occupy”, shikojmë të lindë gjetkë: në Nigeri, në Turqi, në Brazil, në Bosnje… Kohët e fundit ka “zbritur” në Hongkong “Occupy Central”, e cila në vitin 2011 pushtoi selinë e bankës HSBC në solidaritet me zaptuesit e Zuccotti Park në New York, duke paralizuar qytetin më tepër se një javë.

Ky fenomen nuk kishte të bënte me një risi të thjeshtë semantike apo strategjike nga ana e militantëve. Viti 2011 e transformoi madje nocionin e revolucionit demokratik. Lëvizjet e vitit 2011 nuk kanë lindur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por në Afrikën e Veriut. Pre këtej, ato përshkuan Mesdheun për të mbërritur më pas në Greqi dhe në Spanjë. Do të ishte dashur që ato të godisnin epiqendrën e kapitalizmit amerikan, që ne t’i shihnim të rriteshin në shkallë botërore, nga Argjentina në Afrikën e Jugut. Gjatë një kohe, u besua në një parantezë revolucionare me nismën e një rinie amerikane, armiqësore ndaj sistemit politiko-ekonomik liberal. Brenda disa muajve, shumica e këtyre lëvizjeve u çmontuan. Në retrospektivë mund të themi se bëhej fjalë për një revolucion, por jo ai që besohej. Kur historianët do të merren me këtë vit, ato do ta krahasojnë atë padyshim me vitin 1848: kryengritje të ndodhura asokohe pothuaj në të njëjtën kohë, në të gjithë botën, nuk arritën në një marrje të pushtetit, por ato gjith pothuaj sesi tronditën gjithçka.

E VEÇANTA

Në ndryshim me vitin 1848, apo dhe me vitin 1968, kryengritësit e vitit 2011 nuk kishin ambicien të merrnin pushtetin. Ndofta kjo është ajo që shkakton veçantinë e tyre. Në qoftëse revolucioni përcaktohet me një transformim të sensit politik të përbashkët, ahere viti 2011 ishte revolucionar.

Në shikimin e parë, strategjitë dhe kërkesat mund të duken të ngjashme me ato të lëvizjeve të mëparshme, por nocionet e demokracisë dhe të qeverisë kanë qenë aq thellësisht të ndara, sa që edhe militantët që bënin thirrje për krijimin e instancave përfaqësuese shtetërore aprovuan strategji, ndjeshmëri dhe mënyra organizimi anarshiste. Occupy Central, në mishërimin e tij të parë, instaluar në Hongkong në tetorin e vitit 2011 deri në gusht të vitit 2012, përbën një nga mobilizimet më të gjatë. Kanë mjaftuar disa dhjetëra çadra dhe qindra zaptues për të inaguruar mënyrat e reja të organizimit dhe të shprehjes demokratike direkte, për të cilat zbulohen implikimet afatgjatë.

Në vitin 2013, dy univesitarë dhe një prift të dalë nga kjo lëvizje kanë vendosur të riorganizojnë një kamping, i quajtur “Occupy Central with Love and Peace (OCLP)”, për të kërkuar vendosjen e votimit të përgjithshëm për caktimin e shefit të ekzekutivit në Hongkong në vitin 2017. Gjatë më tepër se një vit e gjysmë, kjo nismë ka mbetur pezull. Më datë 31 gusht, qeveria njoftoi qytetarët se duhej të zgjidhnin ndërmjet kandidatëve të caktuar nga një kolegj prej 1 200 zgjedhësish të mëdhenj nga Partia Komuniste kineze.

Premtimi “një vend, dy sisteme”, i bërë në kuadrin e marrëveshjes kino-britanike, ka mbetur letër e vdekur; shefi aktual i ekzekutivit, Leung Chun-Ying, është një marionetë e Pekinit. Më 28 shtator, dy shoqata studentësh, të lodhur duke pritur që organizatorët zyrtarë të OCLP të vendosnin të caktonin një datë, morën epërsinë duke grumbulluar 50 000 manifestues. Shumica prej tyre përballej për herë të parë në jetë me gazin lotësjellës.

Zaptimet nuk vonuan që të përhapeshin në lagje të tjera të biznesit: Admiralty, Causeway Bay, Mong Kok. Shtrirja e lëvizjes i habiti të gjithë përfshirë dhe nxitësit e OCLP. Shoferë kamionësh bllokuan rrugët, shoferë minibusesh i lëviznin pa pagesë studentët, qytetarët u dërgonin atyre ushqime. Policia, e tronditur, u bashkua në një front të përbashkët me organizatat kriminale për të shuar kryengritjen dhe terrorizuar manifestuesit. Dhe megjithatë zaptimi vazhdon.

TE MBROHET DEMOKRACIA

Cilat janë arsyet e saj? Manifestuesit hongkongas shprehën vullnetin e tyre për të mbrojtur demokracinë. Pakënaqësitë që i bënë ata të zbresin në rrugë janë të natyrës ekonomike. Hongkongu ka qenë një nga laboratorët e neoliberalizmit. Në vitin 1963, ekonomisti amerikan Milton Friedman (i cili tetë vite më herët e përshkruante Hongkongun si një “qytet i varfër dhe i mjerë”) i propozonte Sir John J. Cowperthwaite, asokohe sekretar i financave i kësaj kolonie britanike, të ndërmerrte një përvojë të guximshme: që Hongkongu të hidhej në kundërsulm ndaj Britanisë së Madhe socialiste, duke aprovuar shkëmbimin e lirë.

Në vitet 1970-1980, reformat në dukje arritën në një mrekulli të vërtetë ekonomike, me një GDP për banor shumë më të lartë se ajo e britanikëve. Në një konferencë të mbajtur në Çikago në vitin 1997, Friedman konstatonte: “Ne jemi më produktivë se Hongkongu. Por ne kemi zgjedhur të papriturat e politikës, t’i kushtonim afro gjysmën e burimeve tona për aktivitete për të cilat Hongkongu i kushton vetëm 15 % apo 20 %”. Ai i referohej buxhetit të alokuar për kulturën, arsimin dhe shërbime të tjera publike, të sakrifikuar nga Hongkongu.

VARIANTE HIBRIDE DHE TE NDRYSHUESHME

Modeli neoliberal u vendos qysh me kthimin Kinës në vitin 1997 dhe Hongkongu përpunoi variantin e tij hibrid dhe të ndryshueshëm të autoritarizmit të tregut. Faktorët vendimtarë ishin që t’i lejonin turistët e Kinës kontinentale të shkonin në Hongkong. Skema e vizitës individuale (Individual Visit Scheme), e ka bërë këtë qytet një supermerkato të produkteve të luksit. Borgjezimi precipitoi në falimentimin e tregtive vendase, vdekjen e lagjeve popullore dhe rritjen e tregut të pasurive të paluajtshme.

Promotorët imobiliarë, manjatët e rinj të Hongkongut, u panë të shkelin në zonat rurale për të bashkuar qytetin me Shenzhenin në kontinent, pa parashikuar as më të voglin investim në favor të banesave sociale. Të rinjtë kështu kanë qenë të dënuar të jetojnë në mjerim. Nga viti 2013 deri në vitin 2014, qeraja e apartamenteve me një sipërfaqe më pak se 40 m2 u rrit me 28,3%.

Më pas, përplasja midis funksionarëve të lartë dhe investitorëve, burim i shumë skandaleve të korrupsionit, nuk kurseu as dhe komisionin e pavarur të luftës kundra korrupsionit. Një drejtues i shërbimeve policore, Tao Siju, ka shkuar të përshëndesë si patriotë shefat e gangsterëve të organizatave kriminale, që kontrollojnë industrinë e famshme honkongase të lojërave të fatit.
Kapitalizmi i korruptuar, përvetësimet imobiliare dhe shembja e përgjithësuar e modelit neoliberal në vitin 2008 patën pasoja dramatike. Në vitin 2013, në 7 milion banorë që numëron Hongkongu, 1,31 milionë jetonin në pragun e varfërisë. Kolektivi i “Occupy Central” lindi nga një ndërgjegjësim popullor: qeveria kukull e regjimit komunist dhe mjediset e bizneseve hongkongase formojnë vetëm një klikë e cila duhet të shporret. Pikërisht këtë lloj shmangie që manifestuesit e “Occupy” në Shtetet e Bashkuara donin ta denonconin në emër të “ 99%”. Duke inkriminuar 1 %, nuk ishte thjeshtë çështja e ndarjes së pasurive, as madje e drejtësisë sociale, por pushteti i klasës. 1 % është pjesa e popullatës e cila përdor pasuritë e saj për të fituar një influencë politike, duke i lejuar asaj më pas të grumbullojë më shumë pasuri.

ASNJE LLOGARI PER TE KTHYER

Lëvizjet e ngjashme që lindën në Stamboll, në Sao Paulo, në Tuzla (Bosnje-Hercegovinë) dhe në shumë qytete të tjera janë të gjitha të bazuara në të njëjtin konstatim. Qeveria, e zgjedhur apo e imponuar është perceptuar si e distancuar apo më mirë, jo e efektshme: instancat juridike, administrative dhe sidomos “të sigurisë” së shtetit nuk kanë në fakt asnjë llogari për të kthyer siç mund ta quajë atë “populli” dhe i shërbejnë vetëm interesave të tjera, atyre të financave botërore.

Ja çka u arrit me reformat neoliberale të nisura në Hongkong midis viteve 1950 dhe 1970. Ata që duan të sfidojnë sistemin botëror të pushtetit nuk synojnë më mundësinë që të kërkojnë as edhe ta pushtojnë shtetin.

Pushtetet në vend mund të tronditen veçse nga jashtë. Bëhet fjalë pra të krijohet një diçka jashtë, qoftë në mënyrë të përkohshme, në favor të asambleve demokratike të improvizuara, siç e pamë në sheshin Tahrir në Kajro, sheshin Syntagma në Athinë dhe në sheshin Zuccotti në Nju Jork, apo në mënyrë të përhershme, si në komunat zapatiste të Chiapas apo lagjen boliviane të El Altos.

Në këtë peisazh politik dhe plotësisht i konfiguruar përsëri, rezultatet shpesh varen nga reshtimet komplekse të forcave të dëshpëruara: anëtarë të aparatit të sigurisë të shtetit, organizatat punëtore, studentët, mafiozët, nacionalistët e ekstremit të djathtë të cilët në mënyrë të paevitueshme kërkojnë të provokojnë dhunë në rrugë dhe të shkojnë nganjëherë me mafian, nganjëherë me forcat e rendit, për të shpënë lëvizjen në termat e shtetit. Shumë aktorë janë ndeshur njëri me tjetrin në mënyra të ndryshme në Greqi, në Egjipt apo në Ukrainë kanë prodhuar rezultate shumë të ndryshme. Në dukje, i njëjti skenar luhet në Hongkong. Por cili do të jetë konkluzioni i tij?
Për momentin ka gjasa që të kenë arritur një qorrsokak. Partia Komuniste ka frikë se mos një kompromis do inkurajojë ngjarje të ngjashme në Kinën kontinentale. Manifestuesit i frikësohen një përsëritjeje të masakrës të sheshit Tienanmen dhe kërkojnë të mobilizojnë komunitetin ndërkombëtar. Vullneti për të vendosur një demokraci elektorale është vetëm fillimi i një lëvizje rezistence më të gjerë, kundra qeverisjes neoliberale autoritare.

Një popullsi që ka shijuar demokracinë e drejtpërdrejtë, në formimin e konsensusit për vetë organizimin do të jetë ankthi më i keq i qeverisë së ardhshme. Hongkongu rrezikon ndofta të bëhet më pak “produktive”, për t’iu referuar termave të Milton Friedmanit, por mundet që ai të sjellë një kuptim të ri të demokracisë në Kinë.

PERGATITUR NGA S.METANI – www.bota.al

Nuk ka komente

Vendos komentin tend

Your email address will not be published. Required fields are marked *