Home»Histori»Nga Eisenhoweri tek Nixoni, hakmarrjet e historisë

Nga Eisenhoweri tek Nixoni, hakmarrjet e historisë

Vittorio Zucconi

Da Eisenhower a Nixon tutte le vendette della storiaNë muajt e fundit të qëndrimit në fronin e Shteteve të Bashkuara, në shpatullat e presidentëve ngrihet, siç do ta vërejë shumë shpejt edhe Barack Obama, hija e një engjëlli hakmarrës, me krahët e historisë. Nuk do të jenë më zgjedhjet, ku nuk do të marrin më pjesë, që do t’i ngazëllejnë; ligjet dhe reformat që Parlamenti do ia refuzojë me vetëdijen që ata janë tashmë “rosa të çala”, jo në gjendje të fluturojnë, as edhe pasuritë, që me të drejtat për librat e kujtimeve dhe të ardhurat nga fjalimet dhe donacionet, do i kenë të garantuara përjetë. Eshtë pyetja që Richard Nixoni, tek hidhej nga një dopio uiski në tjetrën, ia bënte në orët e fundit të agonisë politike Kissingerit, ose Herr Doktorit: “Henry, si do të më gjykojnë pas tridhjetë vitesh?”

Edhe më keq në rastin e Tricky Dicky, që mbetet në vendin 34 në gjykimet e posterave, mes 44 presidentëve amerikanë nga George Washingtoni, tek Barack Obama, i njëjti vend pra që kishte kur u dëbua nga Shtëpia e Bardhë. Por jo për të gjithë engjëlli i historisë ka qenë kaq mizor. Ka patur presidentë, si Dwight “Ike” Eisenhower, të cilët tashmë kanë fluturuar nga injorimi, në vendin e tetë sot. Ose të tjerë, si Harry Trumani, jopopullor deri në pikën që pothuajse u mund nga kundërshtari Dewey në vitin 1948, por që sot është më i vlerësuar edhe se John Kennedy.

Popullariteti në shërbim dhe gjykimi i historisë janë tregues shumë johomogjenë mes tyre, për të matur trajektoren e presidentit. Askush, prej 150 vitesh, nuk e ka lavdinë “e paoksidueshme” të Abraham Lincolnit, por ekziston prirja për të harruar që urrejtja për të kur ishte gjallë kishte “shqyer” Unionin dhe kishte armatosur dorën e vrasësit. Kennedy, i nderuar në altarin e legjendës së Camelotit, ishte kaq shumë i zhytur në ankth për rizgjedhjen e tij në vitin 1964, saqë deshi të sfidonte me një çmim shumë të lartë urrejtjen që Teksasi ndiente për të. Dhe vetëm mediokrët me qëllime të mirë dhe suksese modestë, si Jimmy Carteri, lundrojnë pa qenë të turpëruar, por edhe pa elozhe, mes keqardhjes dhe refuzimit.

Shpallja e një presidenti në detyrë si më i miri apo më i keqi i historisë është një ushtrim i kotë, një lojë sondazhistësh të mërzitur, njësoj si të japësh vota për lojtarët kur ndeshja sapo ka filluar. Për disa, popullariteti mund të zhbëhet kollaj, siç ndodhi me triumfuesin e Luftës Civile, gjeneralin Ulysses Grant, i rritur në Shtëpinë e Bardhë prapa lavdisë së musketave të tij fitimtare, ndërkohë që sot gjykohet si një prej dhjetë krerëve më të këqinj të shtetit amerikan, për shkak të indiferencës së tij ndaj kutërbimit të korrupsionit, si dhe për famëkeqin “Urdhëri i shërbimit nr.11”, me të cilin kishte detyruar spastrimin e të gjithë hebrenjve në forcat e armatosura. Vendimet që presidentët marrin ndërkohë që qeverisin, përcaktojnë pasojat që vetëm me kalimin e kohës mund të gjykohen.

Obamacare, ligji i ri për sigurimet shëndetësorë që nga republikanët konsiderohet një sakrilegj, shihet me të njëjtin zemërim hidrofob që rrethonte Marrëveshjen e Re të Rooseveltit në vitet tridhjetë, ndërkohë që sot, Roosevelt është në treshen e parë të presidentëve më të vlerësuar dhe Marrëveshja e Re e tij shpëtoi kombin. Askush nuk e kishte prekur rekordin e mbështetjes 90 përqind, si George W. Bushi kur foli që nga rrënojat e Kullave Binjake. Sot, kur pasojat e asaj “lufte kundër terrorizmit” janë të dukshme, vetëm një në tre amerikanë ia ndjen mungesën. Erërat ndryshojnë me shpejtësi, siç e zbuloi babai i tij në vitin 1992, duke humbur zgjedhjet kundër gjysmë të panjohurit Bill Clinton. Vetëm një vit më herët, pas çlirimit të Kuvaitit, mbështetja për të ishte më shumë se 70%. Krejt e kundërta e fatit të Ronald Reaganit, aq shumë i neveritur në fillimin e trajektores së tij presidenciale, por aq shumë i adhuruar në fundin e vitit të tetë.

Ekonomia është natyrisht karburanti që e fundos, apo e bën të fluturojë një president kur ndodhet në timon, sepse as edhe kompleksiteti i një kombi me prodhim 16 mijë e 500 miliardë dollarë në vit nuk i shpëton ligjit të “qeverisë hajdute”. Mungesa e përhershme e popullaritetit të personazheve të errët si John Tyler, i zgjedhur në vitin 1841 pas krizës financiare të radhës, vjen prej perceptimit që nuk kanë bërë sa duhet për të rikthyer qetësinë, dhe Tylerit iu ngjit një herë e përgjithmonë nofka “Aksidenca e Tij”. Sigurisht, nuk ishte faji i Herbet Hooverit që Wall Street-i pësoi krizën e rëndë të vitit 1929, por fraza e tij “prosperiteti është prapa qoshes”, e ka bërë padyshim objekt të talljes prej historisë.

Pasiguria dhe mos parashikueshmëria e gjykimit të ardhshëm konsumojnë muajt e fundit të presidentëve, në kërkim të dëshpëruar të një trashëgimie të përjetshme. Bushi i ri, pas katastrofës së “demokracisë për eksport”, tentoi privatizimin e pensioneve publikë, por u kundërshtua brutalisht. Dhe sot, pa një trashëgimi, i është dedikuar pikturimit të portreteve të udhëheqësve vendas e të huaj. Clintoni ka misionin e fundit për të kryer, të shtyjë bashkëshorten drejt asaj poltrone që ishte e tija dhe të shlyejë një herë e mirë borxhin politik që i ka asaj. Carteri sharronte dhe gdhendte karrike, duke ndihmuar në ndërtimin e shtëpive për të pastrehët, dhe Bushi i madh, në moshën 90 vjeç lëshohet me parashutë, i lidhur pas një instruktori.

Obama kultivon ëndrrën që të jetë ai që do të zgjidhë problemin jetik të Amerikës së të ardhmes, jo Bursën, jo borxhin, jo GDP-në, por imigrimin. Ky do të ishte monumenti më solemn i djalit të madh të një imigranti afrikan, por zgjedhjet parlamentare të nëntorit e errësojnë shpresën e reformës së madhe për natyralizimin dhe imigrimin. Urrejtja e fshehur në Amerikë kundër tij do të rishpërthejë pas daljes nga Shtëpia e Bardhë. Dhe ai nuk do të mund të ngushëllohet duke parë, siç bëri Hooveri, veprën inxhinierike më sensacionale të historisë së Amerikës, Digën Hoover, që “lagu” dhe populloi shkretëtirat e Perëndimit të Largët. /La Reppublica/

Pershtatur ne shqip nga bota.al

Nuk ka komente

Vendos komentin tend

Your email address will not be published. Required fields are marked *