Home»Histori»1914-2014 / Europa, nga barbarizmi në qytetërim

1914-2014 / Europa, nga barbarizmi në qytetërim

Earth at night EuropeJean-Pierre Lehmann

Plot 100 vjet më parë, në 28 qershor 1914, nacionalisti serb Gavrilo Princip vrau Dukën e Austrisë Franz Ferdinand dhe bashkëshorten e tij, Sophie, në rrugët e Sarajevës. Këtë vit, në 27 qershor, pas një procesi të brendshëm shumë të rrëmujshëm, luksemburgasi Jean-Claude Juncker u emërua President i Komisionit Europian. Në shumë drejtime, ai është një figurë e pangjyrë, jofrymëzuese dhe disi e pashije.

Junckeri pason portugezin Jose Manuel Barroso, një njeri që kishte vendosur tashmë një standart të lartë për sa i përket mungesës së ngjyrës, mungesës së frymëzimit dhe mungesës së shijes. Kjo gjë tregon mbi të gjitha se sa larg ka udhëtuar Europa, nga barbarizmi në qytetërim gjatë një shekulli.

Pax Europa

28 qershori 1914 e precipitoi Europën drejt asaj që historiani i ndjerë Eric Hobsbaum e ka quajtur “Epoka e Ekstremeve”, ekstreme në dhunën e luftërave (ndërkufitare dhe civile), në revolucione, në racizëm dhe në ideologjira.

Skenari “më i keq” që gjithësecili prej nesh mund të parashikojmë pas ngjarjeve të 27 qershorit 2014, është që Britania e Madhe të dalë nga BE-ja. Nuk do të ketë luftë, nuk do të ketë dhunë dhe gjakderdhje.

Distanca që ka përshkuar Europa na u bë e qartë edhe prej festimeve të fuqishme të 6 qershorit 2014, në përkujtim të zbarkimit në Normandi 70 vjet më parë. Aty ishte Angela Merkel, ashtu sikurse dhe veteranë francezë, britanikë dhe gjermanë, që u përqafuan me njëri-tjetrin. Për çdokënd që ka dijeni për historinë, ishte një gjë shumë prekëse.

Shumica e europianëve sot fatkeqësisht kanë harruar faktin se ajo që ne kemi sot do të kishte qenë krejtësisht e paimagjinueshme në ëndrrat më të guximshme të “Kantianit” më idealist, vetëm pak dekada më parë. Në të vërtetë, 1 maji 2014 shënoi përvjetorin e dhjetë të anëtarësimit të tetë shteteve ish satelitë të sovjetikëve në Bashkimin Europian – Republika Ceke, Sllovakia, Sllovenia, Hungaria, Polonia, Letonia, Estonia dhe Lituania. Kush do ta kishte imagjinuar?

Kriza e Ukrainës ka shkaktuar një tronditje, por ajo nuk do e vërë në rrezik paqen e Europës. Por marrëveshja e asociimit me BE që Ukraina dhe Gjeorgjia sapo e firmosën, nxjerrin në pah joshjen që ka përkatësia në Europë për shumë, në mos për të gjithë shtetet që dikur kanë qenë në sferën sovjetike të influencës. Të gjendur përballë një zgjedhjeje mes Rusisë dhe Europës, shumica e popujve do të zgjedhin Europën.

“Rënia” e Europës

Kështu nëse Europa është në rënie, siç argumenton shumëkush, atëherë “mirësevjen rënie”. Le të jetë. Cfarëdo që të ndodhë, dhe pa qenë të vetëkënaqur, është e arsyeshme të pranojmë se Europa do të jetë një vend shumë më i mirë në shekullin 21, se sa ishte në shekullin 20.

Frustrimi edhe i euro-idealistëve më të moderuar, si unë, është se mund të jetë një vend shumë më i mirë. Përgjatë gjithë shekullit 19 dhe pjesës më të madhe të shekullit 20, Europa ka shkaktuar shkatërrim, varfërim dhe shfrytëzim në të gjithë planetin. Influenca e Europës mund të matet edhe prej “eksportueshmërisë” së ideologjive të saj ekstremiste, si komunizmi në Kinë dhe fashizmi në Japoni. Një shekull më parë, centrizmi universal i Europës mund të shihej nga fakti që vrasja e një Duke europian nga një separatist europian, mund të shkaktonte luftë botërore.

Ndonëse pjesa më e madhe e luftimeve ndodhi në Europë, në të u përfshinë 30 vende nga të gjithë kontinentet, për të mos përmendur kolonitë europiane në Afrikë dhe Azi.

Ndërkohë që Europa shkaktonte apo kanoste se do të sillte shkatërrim, në atë kohë ajo ishte qendra e globit. Kjo gjë vazhdoi edhe shumë kohë pas Luftës së Dytë Botërore, në kuptimin që “lufta e ftohtë” ishte në thelb për kontrollin e Europës, në rivalitetin mes dy superfuqive, ndonëse disa prej “luftërave të nxehta” u luftuan gjetkë, kryesisht në Azi (Korea dhe Vietnami).

Me fundin e luftës së ftohtë, erdhi edhe fundi i epokës europiane, ndërkohë që nisi epoka aziatike, me ngjitjen e Kinës. Një Europë e vetësigurtë dhe luftëdashëse shkaktoi frikë dhe tronditje në të gjithë planetin. Një Europë e pasluftës, postmoderne, dhe e qytetëruar shkakton mërzi në të gjithë planetin (përveç se për tifozët e futbollit).

Ndërkohë që disa europianë mund të jenë futbollistë në Kupën e Botës, ka shumë pak (në mos fare) europianë në skenën globale. Tani, më në fund Europa është bërë një model global – sigurisht, krahasuar me të kaluarën. Ne europianët jemi bërë globalisht të parëndësishëm, teksa ngrohemi në mediokritetin e Komisionit tonë europian, si dhe të liderëve tanë kombëtarë.

Ne europianët ndoshta kemi liderët që meritojmë. Bota do të kishte të drejtë të thoshte se mund të kishim bërë më mirë! /The Globalist/

Nuk ka komente

Vendos komentin tend

Your email address will not be published. Required fields are marked *