Home»Analiza»INTERVISTA / Timoshenko: SHBA dhe BE “nënvlerësojnë rrezikun e vërtetë të situatës”

INTERVISTA / Timoshenko: SHBA dhe BE “nënvlerësojnë rrezikun e vërtetë të situatës”

Ukraine TymoshenkoJulia Timoshenko, udhëheqësja e opozitës në Ukrainë që doli nga burgu pasi presidenti Viktor Janukoviç u largua nga vendi në shkurt, ka dhënë këtë intervistë për gazetaren Lally Weymouth të të përditshmes amerikane “The Washington Post”.

Duhet të keni kaluar një periudhë shumë të vështirë në burg.

Eshtë e tmerrshme për t’u kujtuar. Ndodhesha në një qeli speciale, ku tortura psikologjike dhe presioni ishin qëllimi kryesor. Asnjë person normal nuk do u mbijetonte atyre kushteve.

Por ju mbijetuat.

Nuk kisha zgjedhje tjetër përveçse të jetoja dhe ta kaloja. Në fakt, gjatë atyre dy viteve nuk mu dha asnjëherë mundësia të dilja nga ajo qeli. Të gjithë dritaret ishin të mbyllura me letër jotransparente. Mbikëqyresha gjithmonë nga gardiane femra, dhe ato ishin udhëzuar të mos qëndronin më shumë se një metër larg meje. Kur shkoja të flija, i kisha tek jastëku. Kur haja, i kisha fare pranë. Dhe kur përgatisja dokumenta, ato shihnin çfarë shkruaja… Kishte dhe tre videokamera në qelinë time.

Si përfunduat në burg?

Që në ditët e para të ardhjes së Janukoviçit në detyrë, u bë e qartë se do të më shkatërronte si kundërshtaren e tij kryesore politike. Ai nuk ishte gati të kishte një opozitë të fortë dhe aktive në vend. Që në ditët e para nisën të hapin çështje qesharake kriminale kundër meje. Dy cështjet e para që ata fabrikuan dështuan, dhe as nuk arritën t’i sjellin në gjykatë. Më vonë ai gjeti një tjetër arsye për të hapur çështje kundër meje, që ishte “firmosja e marrëveshjeve për gazin me Rusinë”, të cilat unë nuk i kisha firmosur. E përdori si arsye për të më futur në burg për shtatë vjet. Jam e bindur që nëse Janukoviçi do të kishte qëndruar në pushtet, unë nuk do të isha liruar asnjëherë.

A kishit mundësi të largoheshit nga vendi para se të burgoseshit?

Po, e kisha këtë mundësi.

Përse nuk e bëtë?

Besoja që po ta bëja dhe të tregoja dobësinë time, kjo gjë do të dobësonte çdo ukrainas – secilin nga ata që donin t’i rezistonin diktaturës – dhe kështu nuk mund ta lija vendin tim. Ata, qeveria e Janukoviçit, donin që unë të arratisesha. Një javë para arrestimit, më paralajmëruan se do të më arrestonin në 5 gusht. Unë rregjistrova një mesazh drejtuar popullit ukrainas ku u kërkoja të gjithëve të bëheshin të fortë.

Si e shihni garën tuaj presidenciale në vend? Jeni prapa në sondazhe.

Eshtë e vërtetë. Kur hyra në fushatën elektorale, ajo kishte nisur tashmë dhe kisha shumë pak kohë t’u jepja njerëzve idetë e mia. Gjatë 15 viteve të fundit, një sistem i vjetër oligarkik klanesh dhe televizionet e tyre e kishin shkatërruar reputacionin tim.

Doni të thoni Z. Poroshenko?

Kemi klane që kanë punuar për shumë vite. Klani i Poroshenkos është një prej tyre. Ai ka një kanal televiziv. Fatkeqësisht, pas shembjes së BS, Ukraina nuk krijoi një ekonomi të hapur, por një sistem autoritar e të korruptuar. Kur erdha në pushtet për një kohë të shkurtër, u përpoqa të eleminoj sistemin e oligarkëve dhe të krijoja një ekonomi tregu dhe demokraci. Gjatë kohës së shkurtër që qëndrova në pushtet, oligarkët e humbën ndikimin. Por kur u rikthyen, ata më futën në burg. Kjo ishte hera e dytë që më fusnin në burg. Hera e parë ishte në vitin 2001. Atë kohë qëndrova 42 ditë.

Si e shihni situatën në kufirin ukrainas? A mendoni se Presidenti Putin do të ndalet?

Nuk mendoj që Putini do të ndalet. Mendoj që ai e sheh veten si udhëheqës të botës, që dikton rendin e ri botëror. Ai dëshiron të prishë stabilitetin që është krijuar në botë. Ai u përpoq të imponojë lidershipin e tij agresiv ndaj botës kur pushtoi Gjeorgjinë. Megjithatë, bota e interpretoi sikur të ishte një histori lokale. Më vonë, ai filloi të afrojë diktatorët e botës duke u ofruar atyre një tendë mbrojtëse. E rifitoi ndikimin ndaj Sirisë. Dhe më tej, vazhdoi planin e tij në Ukrainë.

Me aneksimin e Krimesë?

Krimea, dhe më pas kufijtë jugorë dhe lindorë. Mendoj se qëllimi i tij është të aneksojë të gjithë Ukrainën.

Mendoni se do ta marrë?

Mendoj se gjithçka do të varet nga ajo që do të bëjë bota demokratike perëndimore. Jam i bindur se Putini kupton vetëm gjuhën e forcës. A do të terrorizojë më tej botën perëndimore, kjo do të varet nga vullneti për të përdorur forcën kundër tij.

Pra sanksionet nuk do ta ndalin?

Mendoj se sanksionet duhet të jenë aq të fortë sa të rrezikojnë stabilitetin ekonomik dhe financiar të Rusisë. Kam përshtypjen se perëndimi nuk është gati për këtë nivel sanksionesh. Më duket se SHBA dhe BE e nënvlerësojnë rrezikun real të kësaj situate.

Cfarë menduat për takimin e Gjenevës?

Mendoj që Putini nuk do ta zbatojë marrëveshjen e Gjenevës. Putini duhet të besojë se po mashtron të gjithë botën e qytetëruar kur thotë se nuk ka trupa ushtarakë rusë në lindje, ashtu si më parë tha që nuk kishte trupa ruse në Krime. Jam e bindur se Putini do të shkojë aq larg sa do ta lejojë bota perëndimore.

Keni folur për brigada vetëmbrojtëse.

Gjatë 4 viteve të fundit, diktatura proruse që sundonte vendin bëri gjithçka për të shkatërruar ushtrinë tonë. Prandaj mora vendimin për të thirrur vullnetarë që kanë një farë përvoje ushtarake, për t’u bashkuar në njësi të mbrojtjes territoriale. Po bëj të pamundurën për të garantuar që të krijohet një ushtri e tillë vullnetarësh në Ukrainë – një ushtri që është patriote dhe e përkushtuar për Ukrainën, me njerëz që kanë një farë përvoje ushtarake. Veç kësaj, kam nisur negociatat me separatistët që mbështeten prej forcave speciale ruse. Këto forca speciale po përpiqen të marrin territoret tanë. Po përpiqem të ndaj separatistët nga njësitë ushtarake ruse.

Ju vetë keni shkuar në lindje?

Kam kaluar ditët e fundit në epiqendër të ngjarjeve. Shkova në ndërtesat administrative që ishin pushtuar, dhe pyeta njerëzit që kishin komunikim direkt me ata që kishin pushtuar ndërtesat që të dilnin jashtë. Dhe ata erdhën të negociojnë. Biseduam me ta dhe thamë se është koha për t’i dhënë më shumë pavarësi rajoneve të Ukrainës, por duhet të ruajmë integritetin territorial të Ukrainës dhe duhet të ndalim mbshtetjen për trupat ushtarake të Rusisë, sic kanë bërë disa qytetarë ukrainas. Për njerëzit që jetojnë në lindje, është shumë e rëndësishme që të kenë dialog me autoritetet, dhe unë dua të jem politikania që dialogon me ta. Eshtë çështje besimi. Unë vetë kam lindur në Ukrainën lindore. E gjithë familja ime është atje, dhe unë e di se si ndihen njerëzit që jetojnë në lindje.

Ndihen të neglizhuar?

Po, ndihen të neglizhuar.

Po a nuk janë edhe rusët atje në lindje, që edhe udhëheqin ngjarjet? Cfarë mund të bëni për këtë?

Nuk ka dyshime që operacionet kundër Ukrainës kryhen nga forcat speciale ruse.

Dhe ata janë në ndërtesa me separatistët, apo jo?

Kremlini ka organizuar gjithçka. Megjithatë, ata po përpiqen të sigurojnë mbështetje brenda Ukrainës nga grupe të vegjël njerëzish që kanë pikëpamje separatiste. Dua ta thyej këtë lidhje. Dua të siguroj që njerëzit në lindje me ide të tilla separatizmi të kenë më shumë pavarësi por të qëndrojnë brenda territorit ukrainas. Po përpiqem gjithashtu që Rusia të humbasë bazën e mbështetjes, mbi të cilën është ngritur ky mision. Do të jetë fitorja e parë dhe e pjesshme ndaj agresorit.

Kam pyetur Z. Poroshenko se sa shumë jeni grindur ju pas Revolucionit Portokalli, që është një arsye përse ai dështoi. A keni mësuar nga ajo përvojë? A do grindeni prapë?

Arsyeja përse Revolucioni Portokalli dështoi nuk ishte sepse liderët grindeshin mes tyre, por sepse presidenti që u zgjodh falë revolucionit, mori të gjithë skemat korruptive që ekzistonin gjatë presidencës paraardhëse. Brenda pak muajsh, oligarkët kishin vënë një president të ri. Natyrisht, me këtë sfond, unë dhe Poroshenko kishim një konflikt të qartë. Pak muaj më vonë, presidenti Jushenko bëri zgjedhjen e tij dhe qëndroi në kontakt me oligarkët, dhe duke më larguar mua nga pozicioni i kryeministres.

Ju doni që Ukraina të bëhet një vend modern, demokratik pa korrupsion?

Me integrimin europian.

Dhe ju nuk e dini nëse do fitoni, por do përpiqeni?

Kam një shans për të fituar. Nuk e di përse disa njerëz në perëndim mendojnë që Poroshenko është një person demokratik. Ky është gabim i madh. Tani në Ukrainë po krijohet një grup i ri i Kremlinit, dhe ne duhet t’i kundërvihemi sa të mundemi.

Nuk ka komente

Vendos komentin tend

Your email address will not be published. Required fields are marked *