Home»Teknologji»TEKNOLOGJI / Filma, muzikë, libra: Jeta jonë në “streaming”

TEKNOLOGJI / Filma, muzikë, libra: Jeta jonë në “streaming”

Rechner, Bildschirm, Blau 3:4Bota e televizionit tradicional po tronditet, sic u trondit dhe më pas u shemb industria diskografike për shkak të Napsterit, iTunesit, Spotify-it, Deezerit, Rhapsodyt, Beats-it dhe shërbimeve të tjerë si këta. Këtë herë, ajo që shkakton frikë është sipërmarrja e radhës e Netflix, parashikuar për fundin e këtij viti ose fillimin e 2015-ës

Një shtëpi pa libra, pa disqe, pa kartona, pa dvd dhe pa cd. Një shtëpi, për herë të parë në histori, bosh. Aq sa të vjen të pyesësh se edhe për sa kohë do të mbijetojnë raftet, duke qenë nuk dihet a do të shërbejnë më për të ekspozuar ndonjë kujtim apo ndonjë objekt mobilimi. Jeta e përditshme në kohërat e streaming (transmetimet online të të dhënave), nëse do të bazoheshim vetëm tek gjërat që zotërojmë, do të jetë e vështirë për t’u interpretuar nga ndonjë arkeolog në të ardhmen. Madje edhe në hard disk-ët e kompjuterëve, do të gjenin pak ose aspak. Kultura më sedentare dhe materialiste, kjo e jona pra, është duke prodhuar një “torbë” për të mbajtur gjërat, të denjë për një nomad shiit të shekullit IV p.e.s. Vetëm se në vend të veshjeve, stolive dhe armëve, ne kemi smartphone, iPad, kufje pa kabëll dhe televizorë të lidhur në internet.

Kush ka një minimum familjariteti me teknologjinë, e di mirë këtë gjë. Librat mbeten nëpër rafte, dhe gjithë të tjerat po kështu. Por nuk shërbejnë. Një lidhje në internet me shpejtësi të mirë, si dhe një seri abonimesh mjaftojnë dhe teprojnë për të mbushur të gjithë ditën në një shumëllojshmëri formash argëtimi, të cilat për nga vëllimi dhe intensiteti, nuk kanë të krahasuar me asgjë të së kaluarës.

Për të patur akses në katalogë me përmbajtje të pafundme, të vetmet gjëra të domosdoshme janë dritaret: telefoni, tableti, kompjuteri personal, televizori i lidhur në rrjet. Në mëngjes është radio digjitale, në punë interneti dhe shërbimet muzikorë si Sony, Apple, Google, Microsoft etj. Pastaj, para se të shkojmë të flejmë, libra artistikë dhe me figura. Janë të mbërriturit e rinj, por edhe ata me abonim, me kompaninë amerikane Harper Collins si pionere të fushës.

Asgjë nuk blihet, gjithcka merret, huazohet, konsultohet. “Në epokën moderne, tregjet janë duke i lënë hapësirë rrjeteve dhe aksesi i pronësisë po zëvendësohet me shpejtësi”, shkruante Jeremy Rifkin në librin “Epoka e aksesit”. E të mendosh që 14 vjet më parë, kur doli libri i tij, të shumtë ishin ata që e gjykuan si ekstrem dhe pa gjasa të ndodhë.

Të gjithë po nxitojnë që të kapin atë lloj publiku, i cili nuk do të abonohet asnjëherë në formë tradicionale. Pikërisht ata që konsumojnë pa zotëruar dhe që pas pak kohësh, as nuk do të kuptojnë se cfarë do të thotë të blesh një CD. Ndërkohë që, sipas një studimi të botuar disa ditë më parë nga shoqëria e analizave, Music Ally, mjafton që një këngë të dëgjohet 134 herë në Spotify, për të gjeneruar të njëjtat të ardhura me një blerje prej më pak se një Euro në Itunes. Sepse parashikimet flasin qartë dhe janë unanimë: brenda katër vitesh, trafiku i të dhënave do të dhjetëfishohet, dhe pjesën dërrmuese do ta zënë shërbimet streaming, pra për filma dhe këngë. Vetëm pajisjet e lëvizshme, kompjuetri si tablet apo smartphone, do të përcjellin një fluks të dhënash prej afro 87 milionë dvd-sh në vit, nga afro 9.1 milionë që transmetohen sot.

Dhe kështu, bota e televizionit tradicional po tronditet, sic u trondit dhe më pas u shemb industria diskografike për shkak të Napsterit, iTunesit, Spotify-it, Deezerit, Rhapsodyt, Beats-it dhe shërbimeve të tjerë si këta. Këtë herë, ajo që shkakton frikë është sipërmarrja e radhës e Netflix, parashikuar për fundin e këtij viti ose fillimin e 2015-ës. Në Amerikë, Angli, vendet skandinavë dhe shumë shpejt në Gjermani, për 9.99 Euro në muaj, ai që dikur ishte thjeshtë një shërbim në internet për huadhënie dvd-sh do të ofrojë një katalog prej 50 mijë titujsh, mes klasikëve dhe serive televizive të kohëve të shkuara. Vetëm në SHBA, gjatë vitit që kaloi, të abonuarit në këtë kompani të themeluar në vitin 1997 nga një ish marins, Reed Hastings, zinin 32 përqind të trafiklut në internet. Që nga viti 2013, nisën të prodhojnë telefilmat e tyre, gjashtë gjithsej deri më sot, mes të cilëve “House of cards” me Kevin Spaceyn, që fitoi tre cmime “Emmy” dhe një “Golden Globe”. Amazon është duke bërë të njëjtën gjë: ka hapur studiot e saj të prodhimit, me seritë pilot që votohen në internet nga vetë publiku, dhe madje ka blerë programe kompjuterikë për prodhimin e lojërave elektronike. Thuhet se po përpiqet të zbresë në terren edhe për streaming muzikor, por mendohet që është në negociata për të siguruar një cmim më të ulët se sa konkurrenca.

Janë pikërisht kompani të këtij lloji që po diktojnë rregullat e lojës. Ndërkohë, “Sony” është duke eksperimentuarnë SHBA dhe në Japoni me “Gaikai”-n: zakonisht, mjafton të abonohesh dhe nëse lidhja në internet është e shpejtë mund të luash në televizorin smart apo në tablet me cfarëdolloj loje elektronike, edhe ato të gjeneratës së fundit, edhe nëse nuk e zotëron një të tillë.

Sinjalet ishin dhënë që në vitin 2008. Në Angli, kur BBC lancoi aplikacionin e saj iPlayer, për të parë programet përmes iPadit, pati një rritje me 20 përqind të trafikut. Kudo e njëjta këngë.

Cfarë do të ndodhë në vitet që do të vijnë? Sepse ky i streming-ut është një progresion, por eksponencial dhe jo gradual. Dhe nesër, kushedi, edhe atyre që nuk janë të apasionuar pas teknologjisë, mund “t’u vijnë mendtë” dhe të fillojnë të shkarkojnë, në vend që të blejnë dhe zotërojnë. Kur e ke të gjithë botën në dispozicion për vetëm 9.99 Euro në muaj, është një mendim që të vjen kollaj.

Nuk ka komente

Vendos komentin tend

Your email address will not be published. Required fields are marked *