Home»Teknologji»VARESIA DIGJITALE / Ne, robërit e teknologjisë

VARESIA DIGJITALE / Ne, robërit e teknologjisë

addictionTë përshkuar prej Delirit 2.0. Viktima dhe xhelatë, shpesh herë pa dallim rolesh. E quajnë “digital addiction”, është droga e Mijëvjecarit të Tretë. Ushqehet mbi të gjitha me smartphone dhe tablet, që nga ana e tyre gëlltisin qindra pilula të quajtura “App”. Ashtu si të gjithë drogërat, krijon varësi. Kriza e maturisë është klasifikuar tashmë dhe është ndarë në sindroma: nuk hyjnë në “DSM V”, manuali i fundit i diagnostikimit të shqetësimeve mendorë, por ndoshta është vetëm cështje kohe

Celulari i kudondodhur dridhet, bën zile, lajmëron, ndez dritën, ndërvepron. Mbi të gjitha, tingëllon. Gjithnjë dhe kudo. Bie zilja në teatër, dhe ka aktorë që pushojnë së recituari, aq shumë bezdisen. Bie në sallën e masazhit, ku ti kërkoje relaks total por i thua masazheres “më jep pak celularin të lutem, ndoshta është e rëndësishme”. Bie zilja në Savanë, pikërisht kur femra e leopardit po i afrohej jeep-it bashkë me të vegjlit e saj, pa e ditur që pikërisht aty do të binte një zile me volum diskoteke dhe… lamtumirë foto-trofeu…

Sikur të mos mjaftoni celularët, bie edhe zilja e tabletit. Mes Skype, Tango, Messenger, Facetime dhe sisteme të tjerë të videotelefonatave falas, tortura e telefonatave të marra pa mundësi shpëtimi nga ata që ndodhen në “rreth” ka arritur maja të reja të marrëzisë kolektive.

Të përshkuar prej Delirit 2.0. Viktima dhe xhelatë, shpesh herë pa dallim rolesh. E quajnë “digital addiction”, është droga e Mijëvjecarit të Tretë. Ushqehet mbi të gjitha me smartphone dhe tablet, që nga ana e tyre gëlltisin qindra pilula të quajtura “App”. Ashtu si të gjithë drogërat, krijon varësi. Kriza e maturisë është klasifikuar tashmë dhe është ndarë në sindroma: nuk hyjnë në “DSM V”, manuali i fundit i diagnostikimit të shqetësimeve mendorë, por ndoshta është vetëm cështje kohe.

 

Cila është sindroma jote?

 

Eshtë FOMO, “fear of missing out”, frika se mos të lënë përjashtë. Domethënë, ankthi i moslidhjes. Në Amerikës, sipas Mylife.com, vuajnë 56 përqind e përdoruesve. Mund të sëmuresh edhe nga “Nomophobia”, domethënë kur nisin e ju kapin rrahje të shpejta të zemrës nëse nuk e keni celularin me vete, apo kur nuk e gjeni dhe druheni se mos e keni humbur, apo kur kuptoni që nuk keni me vete karikuesin. Dhe cfarë mund të thuhet për “checking habit”, domethënë mania për të kontrolluar vazhdimisht celularin në kërkim të emaileve, lajmërimeve, mesazheve, telefonatave të humbura? Shqetësimet janë të llojeve dhe intensiteteve të ndryshëm: gjendje ankthi, migrenë, mungesë vëmendjeje, në ndonjë rast sulme paniku.

Sipas Google, vitin që kaloi, 80 përqind e zotëruesve amerikanë të një celulari nuk kanë dalë asnjëherë nga shtëpia duke e lënë pas krahëve. Euromonitor International vlerëson se celularët e brezit të fundit përbëjnë që sot 52 përqind të vëllimit tërësor të shitjeve në botë, me bumin kinez dhe surprizave prapa  SHBA dhe Japonisë: Rusia dhe Nigeria. Në Itali, telefonat celularë do të kalojnë nga 5 milionë shitje në 2011, në 11 milionë vitin që do të vijë. Pastaj, natyrisht, janë tabletët, që prej një viti e gjysmë janë duke shkaktuar ulje të madhe të shitjeve të kompjuterëve tradicionalë, mbi të gjitha në pjesën e ulët të tregut. Dhe mungon ende vala e vendeve në zhvillim. Deri në 2020, numri i kontratave të rrjeteve të lëvizshëm do të rritet me 23.5 përqind deri kur të arrijë shifrën e 4.8 miliardëve.

Një prej prezantimeve më të mirë të zhurmës konstante në të cilën jemi zhytur është mikrokozmosi i vagonit të një treni. Zile celulari që nisin papritur, të forta apo të dbëta, me nota që të kujtojnë që nga alarmet bërthamorë, deri filmat horror. Bashkëbisedime me zë të lartë. E pamundur të pushosh, ndonjëherë edhe të lexosh i qetë. Dhe shyqyr që, të paktën përgjatë apenineve tosko-emiliane, tunelet e shumtë bëjnë të humbasi sinjali. “Gjatë një udhëtimi Milano-Romë, pranë meje ishte një zonjë e cila arriti të kaloi të tre orët e udhëtimit duke i shpjeguar një mikeshës së saj menunë e drekës së martesës së të bijës”, rrëfen zemërplasur një funksionar i Trenitalias.

Vagonët e heshtjes janë bërë për menaxherë që gjatë udhëtimit nuk duan të telefonojnë, as të përdorin kompjuterin, por vetëm të pushojnë: gjë shumë e rrallë. Tek Frecciarossa ekziston Business Silenzio, 67 poste nga 85 të përditshëm. “E kemi krijuar, shpjegojnë tek Trenitalia, “pas serisë së protestave të pasagjerëve të zemëruar prej zileve të celularëve, këtyre koncerteve absurdë. Tema është shumë e rrahur”. Vagonë relaksi edhe në trenat Italo, në klasin e parë dhe pa kosto shtesë. Rregulli i vetëm: “Asnjë shqetësim akustik, që do të thotë vendosja e celularëve në dridhje dhe biseda me zë të ulët”.

 

Kompjuteri? E kam me vete

 

Duket një betejë e humbur, sepse invazionin dixhital e kemi të gjithë para syve. Sidomos në qytetet e mëdhenj, me smartphone mund të bësh pothuajse gjithcka: porositet një picë, blihet një biletë fluturimi me avion (meqë ra fjala, parashikohet që brenda dhjetë vitesh avionët të kenë internet në avion), bëhet pazar, këmbehen tituj në bursë, prenotohen kinema apo teatër. Duket shumë, por nuk është pothuajse asgjë krahasuar me atë që na pret me brezin e ri të sensorëve dhe me të ashtuquajturat pajisje portabël, që nga syzet Google deri tek orat iWatch të Apple. E quajnë “everyëhere computing”, apo Rrjeti i Gjërave. Punë apo kohë e lirë, pak rëndësi ka: kufiri është holluar kaq shumë saqë pothuajse është zhdukur. Pra, edhe të mos duash të marrësh në konsideratë abuzimin e social media, mundësia që të mbetesh përgjithmonë i lidhur e të mos shkëputesh asnjëherë nga Rrjeti është vërtetë shumë e lartë.

Rreziku ekziston, komenton Gianguido Pagnini, drejtor marketingu i Sirmi, një kompani e specializuar në kërkimet e tregut në fushën e teknologjisë dixhitale. “Po shkojmë me nxitim drejt një logjistike të kudondodhjes, me rritjen relative të produktivitetit. Do ta favorizojë mbi të gjitha shpërthimi i aplikacineve të sektorit të biznesit, të prodhuara sipas nevojave specifike të cdo kompanie. Vetëm SAP, një kompani shumëkombëshe e menaxhimit të të dhënave të kompanive, ka prodhuar 200 aplikacine për klientët e vet”.

Megjithatë, të dorëzohesh pa luftuar nuk është një ide e mencur, dhe dizintoksikimi është i mundur. Ja pra, mantra e re: “Digital detox”. Dieta dixhitale. Fjala kyce është “unplug”, ose hiq prizën. Përgjithmonë, për gjashtë muaj, në pushime, madje edhe një pauzë tek pi kafenë: zgjedhja është e lirë, por e sigurtë është që po lind një lëvizje Slow Tech, në të njëjtën mënyrë si Slow Food promovon kulturën e ushqimit. Për cudi, invazioni dixhital ka gjeneruar një sërë ekspertësh të sektorit: blogger, shkrimtarë të manualistikës, psikologë dhe “Dietologë 2.0”. Sektori është i mbushur me paradokse: kryesori është që, nëse doni që të shkëputeni vërtetë nga interneti, pikërisht në internet e gjeni se si ta bëni. Fenomen i nisur nga Amerika, por që me shpejtësi ka prekur vendet më hi-tech.

 

Ana e errët e dixhitales

 

“Situata na ka shpëtuar nga duart. Besonim se falë teknologjisë do të kishim më shumë kohë për ne, por nuk ndodhi aspak kështu”, sintetizon Andrea Grannelli, president i Kanso dhe ish administrator i tin.it. Ai, për “Anën e errët të dixhitales” ka shkruajtur prej pak kohësh një libër me nëntitullin: “Si të mbijetosh në epokën e internetit”. Si për fillim, Granelli lexon të gjithë sms-të, por i devijon telefonatat në sekretarinë e tij. “Cdo tre apo katër minuta ka dicka që të shqetëson apo të shpërqëndron. Kjo e ul produktivitetin, në vend që ta rrisë”.

Për t’i mbijetuar mbingarkesës, janë të paktën tre gjëra që duhen bërë. Këshilla e parë: riorganizimi i menaxhimit të postës elektronike të kompanisë. Mjaft me gjithë ato lista emailesh apo bombardimin me “kompje të korrespondencës”. Sepse rezultati i sistemit “sa më shumë gjëra që dërgon, aq më mirë është”, është që në shkëmbimin e përditshëm të komunikimeve të brendshëm tashmë është bërë e pamundur të dallosh mes një mesazhi banal dhe indirekt dhe një tjetri të drejtpërdrejtë dhe të rëndësishëm. Posta elektronike është bërë një instrument ineficient? Kolosi informatik Atos (80 mijë të punësuar) e ka zëvendësuar tashmë me një chat të kompanisë, pasi ka parë këto shifra: menaxherët e vet kalojnë nga 5 në 20 orë në javë për të kontrolluar dhe për t’iu përgjigjur emaileve të kompanisë; të punësuarit marrin 200 emaile në dotë dhe prej këtyre 18 përqind janë mesazhe të padobishëm, Spam.

Këshilla e dytë: përdorimi i të ashtuquajturve “sisteme të hartimit të përbashkët” për të menaxhuar ( pa u cmendur) tekstet që duhen modifikuar, zgjeruar dhe integruar. Qëllimi është që të shmanget “copy-paste” i të gjithë rishikimeve të kryer nga më shumë se një punonjës, përmes emailit: secili me fshirjet, shënimet dhe nënvizimet e vet. Për këtë qëllim ekzistojnë programe dhe aplikacione si Google Drive.

Këshilla e tretë: ndërtimi i arkivit në internet. Granelli, që ka braktisur prej kohësh dosjet dhe nëndosjet, sugjeron ndërtimin e një faqeje personale me një pjesë të saj të rezervuar ku të mund të krijosh në html arkivin tënd në cloud. Materialet në internet janë “që prishen”: një artikull që sot gjendet me lehtësi rrezikon që me kalimin e kohës të zbresë shpejt “në renditjen” e motorrëve të kërkimit, deri sa të bëhet i pagjurmueshëm: kështu që volit që t’i ruash tekstet apo pjesë të tyre dhe jo linqet përkatës. Arkivimi në faqen tënde në internet të mundëson që të mos jesh i varur prej kapricove të internetit dhe të mos transformoheni në lexues të përhumbur: “kërkim” i brendshëm, modifikim i lehtë i cdo dokumenti (i pranishëm në internet, jo më i kufizuar në diskun e një kompjuteri), mundësi konsultimi nga cdo vend. Sipas Granellit, faqet personale të internetit do të njohin shumë shpejt nëj bum.

 

Me këmbën e duhur

 

“Dieta” mesatare e një njeriu dixhital, thuhet në relacionin më të fundit vjetor të Agcom, është katër orë e gjysmë në ditë mes përdorimit të rrjeteve socialë, telefonatave, dërgimit të sms, leximit dhe dërgimit të emaileve, televizorit dhe leximit të librave elektronikë. Jeni tek mesatarja? Testet e bërë vetë ndihmojnë për të buzëqeshur me vetveten dhe për t’u parë në pasqyrë: nëse kontrolloni Tëitterin para se të shkoni të flini, dërgoni mesazhe ndërkohë që ecni në rrugë apo më keq akoma, kur ngisni makinën, nëse postoni në Facebook fotografinë e maces tuaj apo të një pjate që po hani, nëse fshiheni në banjë për të kontrolluar lajmërimet në celular, do të thotë që keni patjetër nevojë të ndaleni një moment dhe të reflektoni. Dhe ndërkohë që reflektoni, mund të bëni edhe një lloj tjetër quiz-i: të zbuloni se cilit profil përdoruesi i përkisni. Univesiteti britanik i Winchester ka identifikuar 12 kategori, që nga ultra përdoruesit deri tek “gjezdisësit” rastësorë. Në mes ka një gamë “tribush” që rrijnë në Twitter dhe Facebook në mënyra të ndryshme: që nga “negacionistët” që këmbëngulin se janë në gjendje të kontrollojnë maninë e tyre dixhitale deri tek përgjuesit që spiunojnë të tjerët pa ndërvepruar, e deri tek “pallonjtë” që koleksionojnë – ndonjëherë duke i blerë – miq dhe ndjekës.

Nga përtej oqeanit, Kimberly Young, themeluese e Center for Internet Addiction Recovery sugjeron hapin e parë të dietës dixhitale: të hartohet një listë e asaj që bën përditë. E bën më të lehtë të kuptosh se nga se duhet të heqësh dorë. Për shembull: Eshtë e vërtetë e domosdoshme që të bombardohesh me lajmërime? Caktivizimi nuk është një ide e keqe. Dhe përdorimi prej maniaku i Google Maps: nuk mund të rikthehesh tek e vjetra dhe të pyesësh një kalimtar për informacione? Dhe gjërat që ndahen: kufizimi do të ishte një dhunim i shoqërisë online? A keni dëshirë të postoni një foto në Facebook, Instagram apo Twitter kur jeni me pushime? Mos e bëni, sugjeron revista “FastCompaby” në guidën e saj Unplug, më mirë këmbeni disa fjalë me një mik, personalisht ose në telefon.

Deri edhe personazhe të njohur e menaxherë të lartë bëjnë garë për të kërkuar rrugën më të mirë të shkëputjes. Ivanka Trump thotë se e fik iPhone-n kur është në mbledhje: “Vëmendja ime duhet të rezervohet ekekluzivisht për kolegët dhe partnerët, dhe të njëjtën gjë pretendoj prej tyre”. Arianna Huffington, që me dixhitalen ka bërë pasuri, ka një rregull të vogël: asnjë celular gjatë ngrënies. Dolf van den Brink, president i Heineken USA, ka vendosur një rregull të hekurt në kompaninë e tij: asnjë email pune pas orës 19.30 dhe gjatë fundjavave. Kelly McGonigal, autore e manualeve për vetëkontrollin, sugjeron një paralelizëm efikas: “Nëse i do linjat dhe shëndetin, mos ha ushqim-hedhurinë. Nëse e do shëndetin mendor, mos u merr me aktivitetet jothelbësorë online, janë të dëmshme”.

Këshilla, por jo vetëm: në Navarro, në veri të San Franciskos, një kompani e sapohapur e Silicon Valley ka ideuar “Camp Grounded”, një vend qëndrimi spiritual për menaxherë të stresuar. Në Anderson Valley bëjnë dietë dixhitale absolute. Ndalohen madje edhe orat e dorës. 300 pjesëmarrës për një fundjavë dizintoksikimi total që vendos kthimin në vlerat e dikurshme: të bësh njohje, të biesh në kontakt me natyrën, të shkruash dhe lexosh vetëm në letër, apo edhe thjeshtë të shkarravitësh. Një veprimtari e konsideruar shumë kreative dhe paraprirëse e ideve.

 

Në pushime… i thënçin

 

Prova më e fortë e “digital detox” janë megjithatë pushimet: ç’rast më të mirë mund të keni për t’i demonstruar vetvetes se nuk jeni skllevër? Por letra e lakmusit na thotë që shpesh gjërat nuk shkojnë kështu. Ankthi parësor është i lidhur me leximin e emaileve: duket esencial, kudo ku ndodhesh. Mund të vendosni një mesazh përgjigjeje automatike, të tipit “kontaktojmë kur të kthehem”. Mund të shtyni marrjen e emaileve. Mund të devijoni mesazhet për tek një koleg. Mund të përdorësh aplikacione si Boomerang që menaxhon “rikthimin” e emaileve tek ai që jua ka dërguar, me apo pa shpjegimin tuaj. Ose, mund të vendosni që të lidheni rregullisht për një orë në ditë, e pastaj të harroni fare ekzistencën e tabletëve apo smartphonëve. Në frontin e rrjeteve socialë, sugjerimi është që të vendosni në krye të faqes së Facebook shkrimin “Mbyllur për pushime”. Ose të përpiqeni të ndiqni filozofikisht sloganin e Summit, një kompani në Utah: “Nuk ka internet në pyll. Por të premtojmë që këtu do të gjesh një lidhje më të mirë”.

 

Ushtrimet e dobishëm

 

Nëse ende nuk keni gjithçka se si të nisni dietën dixhitale, veproni kështu. Mos e merrni në shtrat celularin: vendoseni në karikim në një tjetër dhomë, për të shmangur përgjumjen e më pas zgjimin brenda “fluksit dixhital”. Mos i kontrolloni emailet e punës, nëse ende nuk keni shkuar në punë: kompania juaj, punëdhënësi, institucioni, do të mbijetojë gjithësesi. Fikeni celularin kur hani drekë, për t’i shpëtuar tundimit që ta shihni vazhdimisht apo të dialogoni me të, dhe jo me personin që drekoni. Bëni një lojë me miqtë tuaj: i pari që përgjigjet në celular paguan për të gjithë. Përjetoni një eksperiencë pa u shpërqëndruar prej ankthit që ta ndani menjëherë me të tjerët. Bëjeni më vonë, me qetësi. Në fakt askush nuk do e kuptojë vërtetë.

Lëreni celularin në shtëpi kur dilni shëtitje apo për vrap.

Shkëputuni nga rrjetet socialë sa herë që mbyllni një faqe: nëse ju duhet të rilidheni, mund të kuptoni që në fakt nuk është kaq e rëndësishme të hyni sërish.

Në Facebook, modifikoni pjesën e privacisë për të kufizuar ushqimin me ajme, ortekun e postimeve të miqve tuaj që shfaqet tek “Home”. Mund të caktivizoni lajmërimet, të bllokoni Spam-et e tj.

Të tjera që mund të bëni: thërrisni një mik, lexoni një libër, vizatoni, luani me fëmijët, nxirrni qenin. Filloni të përdorni sërish një bllok shënimesh shumë banal për të hedhur aty idetë, programet, oraret e takimeve etj. Do të jetë një mënyrë për t’ju mbajtur larg celularëve dhe tabletëve.

Dhe mos u mrekulloni pas “multitasking” (shumë detyra në një kohë): bota, sado që mund t’ju duket e pamundur, do të vazhdojë të rreotullohet edhe nëse ju i bëni gjërat me radhë.

 

Fëmijët tanë “dixhitalë”

 

Në moshën 4 vjeç luajnë me iPadin e babait. Në moshën 6 vjec përgjigjen në celular. Cfarë do të dijnë të bëjnë kur të mbushin 10 vjec? Janë vogëlushët 2.0, dixhitalët e lindur. Se si do të rriten, ende askush nuk e di: mungojnë precedentët. Prindërit bëjnë si bëjnë vetë, me shumë dyshime; shkolla, në pritje të udhëzimeve nga institucionet i beson vullnetit të mësuesve të vecantë. Rezultati? Eksperimente të nxitura nga njëra anë, sprapsje apo dhe kritika nga tjetra. “Përdorimi i teknologjive dixhitale në arsim ka nxitur më shumë injorancën se sa dijen”, ka deklaruar duke shkaktuar shumë zhurmë profesori Doug Mann i Universitetit të Ëestern Ontario, në Kanada. Duke sugjeruar që të fiken ëi-fi në klasa dhe të mos lejohen të rinjtë të kenë celularë me vete gjatë leksioneve.

Në Itali, debati është i ndezur. Dhe ka nga ata që shkojnë përpara: Digital Accademia ka organizuar një “Digital Native Summer Camp” në një fermë jo shumë larg Venecias, ku treqind fëmijë dhe të rinj mes 5 dhe 18 vjec janë udhëzuar “për përdorimin dhe kuptimin e pajisjeve të reja”. Deri në atë pikë sa grupi i vogëlushëve, nga 5 në 10 vjec prodhuan madje një program, që shumë shpejt do të jetë i disponueshëm në Apple store. “Asgjë ekstreme’, qetëson Maurizio Milan, administrator i kompanisë, “mjafton të mos jemi integralistë. Punimet me dorë mbeten. Vogëlushët përdorën plastelinë për të krijuar personazhet që më pas do të përdoren në aplikacionin e tyre. Përdorimi i dixhitales lehtëson kërkimin dhe bashkëpunimin: me ekuilibrin e duhur mund të bëhen shumë gjëra”. Po cili është ekuilibri i duhur? “Po krijojmë fëmijë shumë ekspertë, por jo shumë të rëndë”, sintetizon Giovanna Maria Mazzoncini, presidente e Shoqatës së psikoterapisë psikanalitike të fëmijëve: “Dixhitalja nuk është e keqja absolute, ashtu sikurse nuk ishte në kohën e tij televizioni. Ofron mundësi të reja eksplorimi, që duhen zbutur. Fakti është që jetojmë në një epokë mendjelehtësie dhe pasigurie në të cilën fëmijët lihen të vetëm, por nuk mësojnë që ta organizojnë në mënyrë krijuese këtë vetminë e tyre”.

espresso

Nuk ka komente

Vendos komentin tend

Your email address will not be published. Required fields are marked *