Home»Teknologji»TEKNOLOGJI / Provoje tani, të më spiunosh emailin!

TEKNOLOGJI / Provoje tani, të më spiunosh emailin!

email spyPas skandalit të NSA, po shumëfishohen shërbimet që lejojnë mbrojtjen e të dhënave, mesazheve të postës elektronike dhe shkëmbimeve privatë në rrjetet socialë. Ja cilët janë dhe si funksionojnë

Si Davidë të vegjël, kundër Goliathëve të mëdhenj të përgjimeve në masë, po lindin dhe zhvillohen në internet iniciativa për mbrojtjen e privatësisë. Shumë prej tyre, në fakt, e shohin si një mjet për një qëllim më të madh. Dhe në të njëjtën kohë, shumë rritje kanë edhe shërbimet dhe projektet e aktivistëve që synojnë t’i rikthejnë internetit vlerën që kishte në fillesat e tij: atë të një instrumenti demokratik, lindur nga poshtë, që kish si ambicie të riekuilibronte raportet e forcës mes të pushtetshmëve (kompani dhe qeveri) dhe qytetarëve.

Pra, më në fund, po shohim një aktivizim të antikorpeve të rrjetit, si reagim kundër përgjimeve qeveritarë të Datagate. Por jo vetëm kaq. Në të njëjtën kohë po shumëfishohen shërbimet për të na mbrojtur nga mbledhja e informacioneve tanë, prej më të mëdhenjve të internetit (Google apo Facebook) si dhe nga shumë aplikacione që mbushin celularët tanë. Dy temat – mbrojtja e privatësisë dhe kundërshtimi i qeverive dhe kompanive të internetit si arbitra – janë në fakt një e tërë, sipas Bruce Schneier, një ndër ekspertët më të mëdhenj të sigurisë informatike në botë. “Jemi në një fazë historike, ku ka një konvergjencë të përsosur të interesave të kompanive dhe të qeverive. Të gjithë duan të bëjnë gjithnjë e më transparente jetët tona online”, thotë ai.

Risia e vërtetë është që njerëzit kanë nisur të ndërgjegjësohen, pas shumë vitesh, kohë gjatë të cilës privatësia konsiderohej një argument i mërzitshëm. E thotë këtë edhe një studim i kohëve të fundit i Peë Internet, një prej vëzhguesve më të famshëm të fenomeneve socialë, mbi mediat e reja. Vlerëson se 86 përqind e përdoruesve amerikanë të internetit kanë bërë përpjekje për të fshehur apo hequr të dhënat e tyre personale në internet. 55 përqind është përpjekur të mbrohet edhe nga përgjimet.

Një tjetër tregues është se për të arritur këto qëllime, po mbërrijnë shërbime, shumë prej të cilëve përdorin kriptografinë për të mbrojtur dosjet, mesazhet apo telefonatat. Programe kompjuterikë apo pajisje kriptografike i konvertojnë fjalët në komunikimet tanë në të dhëna, që mund të kuptohen vetëm nga ata që ne autorizojmë për t’i lexuar apo dëgjuar. Për shembull, në fund të vitit që kaloi, lindi Perzo, që ofron një shërbim kriptografie në gjendje të mbrojë në mënyrë të thjeshtë dhe automatike gjithcka që ne bëjmë në internet. Vetë Schneier përdor programin Silent Circle për të bërë telefonata të sigurta nëpërmjet internetit, si dhe sistemin operativ Tails (bazuar në Linuxin), i cili është i gjithi i kriptuar.

Një tjetër konfirmim që siguria dhe privatësia po kthehen në modë, e demonstron fakti që kolektivi Autistici/Inventati thotë se ka patur një bum kërkesash për emaile të sigurtë gjatë javëve të fundit. Bëhet fjalë për një grup italian të krijuar nga përdorues anonimë (hacker-a, liberalë, të apasionuar pas informatikë), i cili nga viti 2001 menaxhon dy faqe interneti (Autistici.org dhe Inventanti.org) që ofrojnë shërbime për të naviguar në privatësi të plotë. Emailet që ata menaxhojnë nuk lënë gjurmë të përhershme në internet (ndryshe nga sa ndodh me shërbimet e operatorëve telefonikë, apo kompanive si Google). Pra, mund të spiunohen, por vetëm me vështirësi të madhe.

Këtë vit është prezantuar edhe DarkMail, i cili mendohet të jetë sistemi i postës elektronike më i sigurtë që është krijuar ndonjëherë, frut i bashkëpunimit mes Silent Circle dhe Lavabit (një tjetër furnizues i famshëm i shërbimeve që mbrojnë privatësinë).

“Nuk ka dyshim që kriptografia na ndihmon të mbrohemi prej përgjimeve”, thotë Schneier. “Sigurisht, asnjëherë nuk mund të kemi siguri totale, por nëse shumë prej nesh do të shfrytëzonim kriptografinë, atëherë do të detyronim qeveritë të lodheshin shumë për të na spiunuar. Pra, do të pengonim atë gjë që e kërcënon më shumë aparatin tonë demokratik: përgjimin në masë. Falë kriptografisë, do të bëhej shumë i kushtueshëm për t’u praktikuar”.

Houard Rheingold, një prej guruve më të njohur të internetit, është në një mendje. “Kemi arritur në një fazë survejimi kibernetik sistematik, një rrezik që unë e kam denoncuar në librat e mi qysh prej vitit 1993. Për t’u mbrojtur, kriptografia është një mënyrë e mirë, por është e nevojshme që ta përdorin pjesa më e madhe e përdoruesve të internetit. Në fakt, tani e përdor vetëm një pakicë”, thotë ai. “Duhet të mësojmë fëmijët tanë se si të përdorin mediat e reja, duke mbrojtur privatësinë e tyre”, sugjeron ai.

Shërbimet e reja, si DarkMail, do të përpiqen ta kapërcejnë këtë pengesë duke qenë më të thjeshta se sa sistemet e mëparshëm të kriptimit (shumë të ndërlikuar për përdoruesin mesatar).

E njëjta gjë vlen për sistemet e rinj që na lejojnë të mos gjurmohemi për qëllime reklamash nga Google, Facebook apo të tjerët. Ky është rasti i Disconnect.me, që na tregon në broëser se cilat faqe interneti po na “gjurmojnë” (pra që po mbajnë “shënime” për faqet që vizitojmë). Na lejon edhe t’i bllokojmë. Kohët e fundit ka shtuar edhe mundësinë që të bëjmë kërkime anonimë në motorrët kryesorë të kërkimit në internet. “Kemi patur një bum të menjëhershëm: një milion e gjysmë përdorues në javë, afro 50 përqind më shumë në krahasim me janarin 2013”, shpjegon Casey Oppenheim, një prej themeluesve të Disconnect.me, me një të kaluar në organizatat jofitimprurëse. “Falë Datagate, njerëzit po vetëdijësohen se e kanë humbur pak si shumë kontrollin mbi të dhënat e tyre personale”, vazhdon ai. “Eshtë e mundur që qeveria të skedojë përgjithmonë, në ndonjë server, gjithcka që ne kemi vendosur në Facebook. Dhe ndoshta prej aty, një ditë mund të bëhen të dhëna publike, duke përfshirë madje edhe ato që ne duam të na i shohin vetëm miqtë më të ngushtë”. Sipas tij, “duhet të ruhemi edhe nga reklamat në internet, nga mënyra si bëhen sot. Gërmojnë shumë në të dhënat tona personale, për të ofruar më pas spote të personalizuar”. Disconnect.me financohet vetëm prej donacioneve të përdoruesve.

Të tjerë shërbime të rinj janë MyPermissions Cleaner dhe Privacy Fix të “Avg”, që na ndihmojnë të menaxhojmë të gjithë opsionet e privatësisë në rrjetet socialë dhe në aplikacionet për celularë. Mund të bëjë ndryshimin e madh edhe shërbimi i Mozilla Foundation: Lightbeam. Zbulon në mënyrë shumë të thjeshtë dhe në formë grafike, në broëserin tonë, se cila faqe janë duke na gjurmuar në aktivitetin tonë online. “Qëllimi është për ta bërë internetin më transparent për të gjithë. Vetëm kështu njerëzit mund të vendosin, me vetëdije, nëse duan t’u bëjnë të ditura kompanive sjelljet e tyre gjatë navigimit në internet”, thotë Alex Fouler, drejtues tek Mozilla. Nëse këto shërbime të rinj do të na mbronin, atëherë do të ishte shkatërrim për biznesin e reklamave të të mëdhenjve të internetit, që bazohet në kontrollin e të dhënave tona personale. Ja përse Tëitter, Google, Microsoft, Yahoo! në fund të vitit 2013 shpallën iniciativa për t’i mbrojtur më mirë, nga interceptime të mundshëm, duke përdorur kriptografinë. Ideja është kjo: ti, përdorues, duhet të kesh besim tek ne. Nuk ke nevojë të përdorësh shërbimet e kriptografisë, sepse i përshtasim ne për ty (dhe kështu mund të vazhdojmë të përdorim të dhënat e tua për reklamat).

Emergjenca për privatësinë ka mbërritur deri në atë pikë sa gjithnjë e më shumë persona kërkojnë zgjidhje radikale për problemin: krijimi i një rrjeti jokabllor personal, për të komunikuar në mënyrë private dhe të sigurtë me njerëz që kanë bërë të njëjtën zgjedhje. Pra, një lloj interneti paralel dhe i ndarë, me telefonata, emaile, faqe.

Po lind kështu, me rrjete specialë apo falë kriptografisë, një territor i mbrojtur për të rikthyer parimet bazë të internetit dhe të privatësisë. Deri kur? Kush e di, më mirë të mos kemi iluzione. Ata, të pushtetshmit, do të gjejnë shpejt mënyra për të na përgjuar edhe në këta territore të rinj. Ka nisur kështu, gara mes forcave të privatësisë dhe atyre të gjurmimit global në masë. Dhe në lojë nuk është vetëm e ardhmja e internetit.

Espresso

Nuk ka komente

Vendos komentin tend

Your email address will not be published. Required fields are marked *