Home»Analiza»KOMENT / Sprapsja globale e Amerikës

KOMENT / Sprapsja globale e Amerikës

obamaNajell Ferguson

Që kur kreu i Federal Reserve, Ben Bernanke, përmendi fjalën “tkurrje” në qershor të vitit 2013, aksionet dhe monedhat në tregjet në zhvillim kanë marrë një goditje. Nuk është e qartë përse zërat për zvogëlime modeste në programin e FED për blerjen e aseteve, duhet të kishin kaq shumë pasoja jashtë Shteteve të Bashkuara. Shpjegimi më i mirë ekonomik është se kapitali është larguar nga vendet në zhvillim, në pritje të rritjes në të ardhmen të normave të interesit në SHBA. Por ky element, ndonëse i besueshëm, është vetëm një pjesë e të vërtetës.

Sepse nuk është vetëm politika monetare në SHBA që po “tkurret”. Edhe më domethënëse është “rënia gjeopolitike”. Me këtë, dua të them ai ndryshim themelor që po shohim në strategjinë e sigurisë kombëtare të SHBA. Për të parë në veprim tkurrjen gjeopolitike, mjafton të rishikojmë komentin e Presidentit Obama të mërkurën që kaloi, kur foli për vrasjet e tmerrshme të protestuesve në kryeqytetin e Ukrainës, Kiev. Presidenti tha: “Do të ketë pasoja, nëse njerëzit shkelin vijën”.

Askush nuk e mori seriozisht atë paralajmërim – pavarësisht atij, snajperët e qeverisë ukrainase vazhduan të vrasin njerëz në shesh. Bota mban mend vijën e kuqe që Obama hoqi dikur, tek fliste për përdorimin e armëve kimike në Siri… dhe pastaj e injoroi, kur kjo vijë u shkel.

Origjina e tkurrjes gjeopolitike të Amerikës si strategji, mund të gjendet tek vendimet konfuzë të politikës së jashtme që Presidenti mori gjatë mandatit të parë. Pjesa më e lehtë për t’u kuptuar është se Obama donte të largohej nga Iraku, dhe SHBA të ruante një angazhim minimal në rajon. Më pak e lehtë për t’u kuptuar ishte politika e tij në Afganistan. Pas një lufte të brendshme në administratë, rezultati në vitin 2009 ishte një kompromis klasik burokratik: Pati një shtim të trupave, shoqëruar me një premtim për të filluar tërheqjen përpara se të mbërrinte i fundmi prej këtyre trupave.

Pasi pa, në mënyrë krejt pasive, kur populli iranian u nrit kundër sunduesve teokratikë në fillim të 2009, presideni u zu në befasi nga “Pranvera Arabe”.

Lajkat e paqarta të fjalimit të tij në Kairo po atë vit, nuk ofruan asnjë ide se si do të reagonte Obama kur turmat mbushën sheshin Tahrir në vitin 2011, nën thirrjet për rrëzimin e një aleati të hershëm të SHBA, diktatorin egjiptian Hosni Mubarak.

Obama mbështeti qeverinë e udhëhequr nga Mohammed Morsi, pasi Vëllazëria Myslimane fitoi zgjedhjet e 2012-ës. Më pas, presidenti mbështeti grushtin ushtarak kundër Morsit vitin që kaloi. Në Libi, Obama u ul në ndenjësen e pasme, gjatë përpjekjes së ndërkombëtarëve për të rrëzuar Moamar Gedafin në vitin 2011. Ndërkohë, me sa duket as nuk ishte fare brenda “makinës”, kur misioni amerikan në Bengazi u sulmua në vitin 2012.

Siria ka qenë një prej fiaskove më të mëdha të politikës së jashtme amerikane, pas Luftës së Dytë Botërore. Kur presidenti Obama mundej të ndërhynte me efektivitet, ai hezitoi. Kur ndërhyri, nuk kishte efektivitet. Ushtrisë së Lirë Siriane të rebelëve që luftojnë kundër regjimit të Bashar Asadit nuk i është dhënë ndihma e duhur për të qëndruar të bashkuar, aq më pak për të mposhtur forcat e Asadit.

(Jo)kërcënimi i presidentit për të autorizuar sulmet ajrorë – nëse Kongresi do ta miratonte – ia dorëzoi iniciativën Rusisë. Marrëveshja e vitit që kaloi, e ndërmjetësuar prej Rusisë, për të detyruar Asadin të dorëzonte armët kimike, më shumë po shkelet se sa po respektohet, sic e pranoi edhe Sekretari i Shtetit, Xhon Kerri, javën që kaloi.

Rezultati i këtij mosveprimi të SHBA është një gjëmë. Minimumi 130 mijë civilë sirianë janë vrarë dhe 9 milionë janë dëbuar nga shtëpitë e tyre prej forcave besnike të tiranit. Të paktën 11 mijë vetë janë torturuar për vdekje. Qindra-mijëra janë të rrethuar, furnizimet me ushqim dhe ilace janë ndërprerë, ndërkohë që nga qielli bombat dhe raketat bien si shiu.

Shkalla e këtij dështimi strategjik të SHBA shihet më së miri në statistikat për numrin total të viktimave, në rajonin që administrata Bush e quante “Lindja e Mesme e Madhe” – në thelb, ai brez shtetesh myslimanë që shtrihen, nga Maroku në Pakistan. Në vitin 2013, sipas Institutit Ndërkombëtar të Studimeve Strategjikë, më shumë se 75 mijë vetë gjetën vdekjen si rezultat i konflikteve të armatosur në këtë rajon, ose si rezultat i terrorizmit me origjinë pikërisht aty. Eshtë shifra më e lartë që kur Instituti nisi të mbajë bazën e të dhënave për konfliktet e armatosur, në vitin 1998.

Mbështetësve të Obamës nuk u pëlqen asgjë më shumë, se sa ta paraqesin atë si paqebërësin, përballë Bushit luftëdashës. Por tani është pothuajse e sigurtë se më shumë njerëz kanë vdekur prej konflikteve në Lindjen e Mesme të Madhe gjatë kësaj presidence, se sa gjatë asaj të parafundit.

Në një revistë të muajit janar për revistën Nju Jorkër, presidenti tha dicka vërtetë shushatëse: “Në fakt, tani as nuk më duhet Xhorxh Kenan”, duke iu referuar diplomatit dhe historianit të ndjerë amerikan, mprehtësia e të cilit ndikoi në hartimin e politikave të jashtme të presidentëve, që nga Frenklin Rusvelt. E megjithatë, ajo cfarë Obama vazhdoi të thotë në lidhje me strategjinë e tij për Lindjen e Mesme, bën të qartë se presidenti ka nevojë pikërisht për Xhorxh Kenanin: dikë me ekspertizë në rajon, dhe eksperiencën e nevojshme për të hartuar një strategji të besueshme për SHBA, sic bëri Kenan kur propozoi “frenimin” e BS në fundin e viteve 1940.

Atëherë, cila është strategjia e presidentit? “Do të ishte thellësisht në interesin e qytetarëve të të gjithë rajonit, që sunitët dhe shiitët të mos kishin për qëllim të vrisnin njëri tjetrin”, shpjegoi Obama për Nju Jorkër. “Dhe ndonëse nuk do të zgjidhte të gjithë problemin, nëse do të mundnim të nxisnim Iranin të vepronte në mënyrë të përgjegjshme… mund të shihnim një ekuilibër mes sunitëve, shteteve të Gjirit dhe Iranit”.

Vec kësaj, vazhdoi ai, nëse “cështja palestineze do të shpështjellohej, atëherë do të mund të krijohej një ekuilibër i ri, që do i lejonte Izraelit të hynte qoftë edhe në një aleancë informale me marrëdhënie diplomatike të paktën të normalizuara me shtetet sunitë”. Me sa duket, presidenti ka nisur të lexojë për marrëdhëniet ndërkombëtare, dhe duhet të ketë mbërritur tek kapitulli i “ekuilibrit të fuqive”. Problemi me analizën e tij është se, ajo nuk shpjegon përse palët e interesuara duhet të firmosin këtë akt të tijin ekuilibrues.

 

 

 

 

 

 

Sekretari i Shtetit në kohën e Niksonit, Henri Kisinger argumentonte më shumë se gjysmë shekulli më parë, se ekuilibri nuk është një fenomen që ndodh natyrshëm. “Ekuilibri i fuqive vetëm sa kufizon fushëveprimin e agresionit, por nuk e parandalon atë”, shkruante Kisinger. “Ekuilibri i fuqive është shprehja klasike e leksionit që jep historia, se asnjë rend nuk është i sigurtë pa masat mbrojtëse fizike kundër agresionit”.

Në shekullin 19, kjo nënkuptonte që Britania ishte “ekuilibruesi” – superfuqia që kishte opsionin për të ndërhyrë në Europë për të ruajtur ekuilibrin. Problemi me tkurrjen aktuale gjeopolitike të SHBA, është se Presidenti Obama nuk ka gatishmërinë ta luajë këtë rol në Lindjen e Mesme sot. Në thirrjen e tij të turpshme për mosveprim në Siri, në muajin shtator, ai tha tekstualisht: “Amerika nuk është polici i botës”.

Por ekuilibri pa dikë që ta ruajë është pothuajse i pakonceptueshëm. Irani mbetet një fuqi revolucionare, ai nuk ka ndërmend të heqë dorë nga programi i armëve bërthamore. Bisedimet në Vienë janë thjeshtë një shtirje. Të dy palët në “Përplasjen e Sekteve” në rajon – shiitët dhe sunitët – kanë një nxitje për të rritur agresionin, pasi e shohin hegjemoninë në Lindjen e Mesme postamerikane si një objektiv të arritshëm.

Ndoshta, po ta rimendosh, Obama nuk ka nevojë për një Kenan, por për një Kisinger. “Arritja e paqes nuk është aq e lehtë sa dëshira për të”, shkruante Kisinger. “Ato epoka që në retrospektivë duken më paqësore, ishin më pak në kërkim të paqes… Sa herë që paqja – e konceptuar si shmangie e luftës – ka qenë objektiv primar… sistemi ndërkombëtar ka qenë në mëshirë të anëtarit të vet më të pamëshirshëm”.

Janë fjalë që ky president, në një kohë kur ka shumë të pamëshirshëm në botë, do të bënte mirë t’i mendonte.

 

Ferguson është profesor historie në Harvard dhe autor i shumë librave historikë

Uoll Strit Xhërnëll

Nuk ka komente

Vendos komentin tend

Your email address will not be published. Required fields are marked *