Home»Analiza»Katari (II) / Loja e madhe e Emiratit

Katari (II) / Loja e madhe e Emiratit

Vijay Prashad *

Doha QatarAskush nuk ecën në rrugët e Dohës. Në korsitë e gjera të makinave kalojnë automjete që shkëlqejnë, mes të cilëve një Rolls Royce me ngjyrë salmoni që e kam parë të kalojë disa herë. Të vetmit që shihen nëpër rrugë janë punëtorët e ndërtimit që, me kokën e mbuluar me një copë stofi, ndërtojnë rrugë dhe pallate nën djellin e nxehtë. Shëtitjet bëhen në qendrat tregtare, si tek City Center, ku turistët si unë mund të ndeshin familjet normale katariote. Burrat e veshur me të bardha, gratë me të zeza, fëmijët me veshje të firmave – një shëtitje e ngadaltë mes dyqaneve të markave nga më prestigjozet. Teksa ndalem të shoh njerëzit që patinojnë në akull në hollin e qendrës tregtare, një burrë më buzëqesh. E pyes përse askush nuk ecën në rrugë. Buzëqeshja e tij bëhet ironike. “Cfarë nevoje ka të ecësh, kur mund të ngasësh makinën?”

Banorët e Katarit mund t’ia lejojnë vetes të ecin me makina. Të ardhurat për frymë vlerësohen 103 mijë dollarë, dhe nëse i shtohen të gjithë avantazhet e rezeruar për afro 250 mijë personat me nënshtetësi katariote, arrijnë në 400 mijë dollarë. Qindarka, nëse mendon që vlera e rezervave të gazit natyror të Katarit rritet në një kohë që bota e industrisë përpiqet që të kalojë në lëndët djegëse alternative. Të ardhurat nga gazi natyror arrijnë në 30 miliardë dollarë në vit dhe norma e rritjes ekonomike të Katarit është afërsiht 20 përqind. Ndryshe nga Dubai, modernizmi shkretëtiror i Dohës bazohet më shumë në gazsjellësit se sa në spekulimin me ndërtimet. Mes Muzeut të artit islamik (projektuar nga arkitekti kino-amerikan Ieoh Ming Pei) dhe hotelit Four Seasons, bulevardi i gjatë përgjatë detit mban në distancë pallatet me xham dhe celik.

Por, jo shumë larg, kullat futuriste të kompanisë QatarGas dominojnë vijën qiellore të rrugës Omar al Mukhtar (ripagëzuar në 2011 për nder të heroit libian për rolin që Katari ka patur në luftën në Libi). Ky është një qytetërim i ndërtuar mbi gazin. Të ardhurat nga gazi i kanë lejuar emirit Hamad bin Khalifa al Thani që të blejë, në mars 2013, gjashtë ishuj grekë për 8.5 milionë euro. Shitësit i ofronin si vendin ideal për të hapur një rezort luksi. Ndërsa emiri, me tre gratë dhe 24 fëmijët e tij (me familjet dhe të afërmit relativë) do që t’i përdorë si vend privat për pushime. Kodet socialë klaustrofobikë të Gjirit Persik i shtyjnë mbretërorët që ta kërkojnë gjetkë argëtimin (në Monako apo në Londër). Askush nuk u vë faj nëse duan të relaksohen. Megjithatë do të ishte më mirë sikur ta kishin mundësinë jo vetëm të gjithë qytetarët e emiratit por, mbi të gjitha, edhe ata që punojnë për ta.

Katariotët bëjnë lloje të ndryshme punësh me kontratë për t’u pasuruar. Mbrohen prej 10 mijë ushtarëve amerikanë të vendosur në bazën ajrore Al Udeid, struktura më e madhe e SHBA në rajon. Nëse nuk dëshiron të udhëtosh një orë në shkretëtirë, këta ushtarë mbeten të padukshëm ndërkohë që i garantojnë Katarit një mbrojtje të përhershme më efikase se sa forcat mbrojtëse të gadishullit (trupat e Këshillit të bashkëpunimit të Gjirit) apo vetë ushtria e Katarit, e krijuar së fundmi. Irani ndodhet vetëm 480 kilometra larg.

Kur isha në Doha morra një prej taksive blu të kudondodhura dhe i kërkova shoferit që të përshkonte rrugën që shkon drejt bazës amerikane. Por nuk u larguam shumë. Taksisti vendosi të më cojë në Omani suq, pranë tregut me shumicë. Taksisti im ishte nga Bangladeshi (të tjerë vijnë nga Egjipti, India dhe Filipinet). Ndërkohë që largoheshim nga rrugët më të rrahura të Dohës, më tregoi historinë e tij, që i ngjan asaj të shumë të tjerëve. Në Dhaka kish firmosur një kontratë në këmbim të një page, por me të mbërritur në Katar zbuloi se nuk ishte më e vlefshme. Kështu iu desh të firmosë një tjetër për gjysmën e pagës dhe iu desh t’ia japë dokumentat shefit/es (gruaja e parë e emirit). I kërkova të më flasë për punëtorë të tjerë, muratorë dhe shtëpiakë. Më konfirmoi atë që e kisha dëgjuar tashmë nga një shofer egjiptian, si dhe nga një shofer dhe punëtor indian: procedurat e rekrutimit jashtë vendit janë gjithmonë të njëjtat. “Mezi pres që kontrata ime të përfundojë”, më tha. Përpiqet që të kursejë gjithcka që fiton, i dedikon një shifër modeste shpenzimeve të përditshme dhe pak para ia dërgon familjes për nevojat më urgjente duke përdorur shërbimet e transferimit të të ardhurave që aplikojnë taksa të larta. Pjesa tjetër përfundon në një depozitë bankare për të cilën shqetësohet shumë: “Cfarë lloj sipërmarrje duhet të nis? Një dyqan, apo një shërbim taksish?”

 

Punëtorë në kurth

 

Sipas Human Rights Ëatch, në Katar më shumë se një milion punëtorë imigrantë janë të zënë në kurth në sistemin Kafala (sponsorizim). Në raportin e 2013 thuhet se kafala “lidh qëndrimin e ligjshëm të një punëtori migrant me punëdhënësin e tij, apo ‘sponsorin’. Të huajt nuk mund të ndryshojnë punë pa miratimin e garantit të tyre, përvec rasteve të jashtëzakonshëm dhe me lejën e ministrisë së brendshme. Nëse një punëtor lë sponsorin e tij, për shembull nëse pëson abuzime, ky i fundit mund ta denoncojë për ‘dezertim’ duke e dënuar me burgim apo me dëbim. Për të dalë nga Katari migrantët duhet të marrin një vizë daljeje nga sponsori i tyre por, sic denoncojnë disa punëtorë, ndonjëherë u mohohet. Në atë pikë migrantët nuk kanë si të bëjnë denoncim apo të marrin drejtësi. Vec kësaj, ligjet për punën nuk aplikohen për bashkëpunëtorët shtëpiakë, pjesa më e madhe gra, të cilave u mohohen të drejtat bazë si kufiri për orarin e punës dhe pushimi një ditë në javë”.

Me taksi kaluam pranë Barva al Baraha, një qytet i madh në ndërtim e sipër që do të presë punëtorët e Dohas. Taksisti im nuk parashikon të transferohet aty brenda një kohe të shkurtër. Nuk është e qartë se cilëve punëtorë shteti do u japë të drejtën e qëndrimit. Ashtu si shumë gjëra të tjera në Katar, gjendja e vështirë e jetesës e imigrantëve është e dukshme dhe shfrytëzohet në favorin e vet në strategjinë e promocionit të emiratit. Sheikha Mozah bint Nasser al Missned, gruaja e dytë e emirit dhe ideatorja kryesore e “markës Katar” ka krijuar Qatar foundation për luftimin e trafikut njerëzor dhe në vitin 2002 emiri inauguroi komisionin kombëtar për të drejtat e njeriut. Me një firmë të thjeshtë sovrani mund të nxjerrë jashtë ligji sistemin e kafala-s, por do të ishte shumë e lodhshme. Më mirë të mbahen të paprekura kushtet që u lejojnë katariotëve të bëjnë një jetë luksoze dhe të krijojnë organizata të buta joqeveritare, që kufizohen në qortime në rast të ndonjë incidenti shumë të rëndë si dhe të bindin hotelet që të organizojnë mbrëmje gala në favor të migrantëve – domethënë po për ata kamerierë dhe pastruese që punojnë në kësi eventesh.

Tv Al Jazzeera është padyshim një pjesë e rëndësishme e markës Katar. Dhe nuk janë vetëm kritikët e tij që denoncojnë kontrollin e autoriteteve katariotë mbi televizionin. Disa gazetarë që punojnë aty flasin për episode censure. Nuk mund të kritikoheshin rebelët libianë, dhe as tani ata sirianë, dhe nuk mund të flitet për kushtet e punëtorëve imigrantë. Në shtator të 2011, drejtori i respektuar i Al Jazeeras Vadah Khanfar dha dorëheqjen pasi kish kontribuar për ndërtimin e reputacionit të kanalit. Khanfar kish qenë mbështetësi i pozicionimit të kanalit në favor të lidershipit të ri libian dhe, në mënyrë të vecantë, ish kryeministrit të qeverisë së tranzicionit Mahmud Jibril Megjithatë, pallati donte të merrte kontrollin e plotë të kanalit dhe Khanfar u zëvendësua me Ahmed bin Jassim al Thani, një ish drejtues i QatarGas pa përvojë gazetareske.

Ndërkohë që ndodhesha në Doha, kryeministri (nga 2007) dhe ministri i jashtëm (nga 1992) Hamad bin Jassim al Thani tha se ishte i zhgënjyer nga heshtja perëndimore për përshtatjen e modelit të ndërhyrjes libiane edhe në Siri. Ai do të armatosë rebelët. Për këtë arsye Katari ka dëbuar personelin diplomatik sirian dhe ka krijuar lidhje të plota me opozitën. Në lagjen e Qutaifiya, jo shumë larg nga ambasada libiane, ngrihet ambasada e re siriane. Në hyrje nuk ka kontrolle sigurie. Hyj pa problem dhe kërkoj që të takoj Nizar al Haraki, ambasadori për Koalicionin kombëtar sirian të forcave revolucionare dhe të opozitës, ose një zëdhënës të tij. Burri tek recepsioni, Mohammed, më jep një fotokopje me një numër telefoni dhe një adresë emaili, dhe më kërkon t’i telefonoj Omar Adlabit, një poet, që ka krijuar reputacion të mirë kur ndodhej në Beirut.

Rebelët sirianë nuk shqetësohen për kontradiktën që marrin mbështetje nga një regjim autoritar (që në fund të 2012 ka futur në burg poetin Mohammad ibn al Dheeb al Ajami për faktin që ka kritikuar emirin). Duan revolucionin e tyre, pavarësisht se nga vijnë ndihmat. Natyrisht që Katari ka interesat e tij. Ka financuar Vëllazërinë Myslimane në të gjithë Afrikën e Veriut dhe në Siri. Vëllazëria është mjeti i preferuar i emiratit dhe për Vëllezërit myslimanë e vetmja nevojë demokratike është të mund të zhvillojnë një rol politik në vendet ku janë të pranishëm. Katari është përpjekur të jetë një ndërmjetës neutral në një seri të gjatë konfliktesh rajonalë (Jemen, Darfur, Palestinë), por pas luftës në Libi ka nisur të paraqitet si pjesë e një rendi të ri rajonal. Sot Doha është bërë një stacion qëndrimi për rebelët, pak a shumë si Londra e Tetëqindës, kur Karl Marksi dhe banda e tij e “mashtruesve” europianë u transferuan në kryeqytetin e perandorisë, ku u lanë të qetë me kushtin që të mos trazonin monarkinë dhe politikën e jashtme britanike.

Khaled Meshal, udhëheqësi i organizatës islamike palestineze Hamas, e ka lënë bunkerin e tij të fortifikuar në Damask për një vilë të zhytur mes jeshillëkut në periferi të Dohës. Edhe talebanët kanë përfaqësues në qytet, edhe pse nuk mund ta bëjnë të ditur (në një dyqan afgan më thanë që talebanët duan të shohin të shkruar në targën e tyre “Republika islamike e Afganistanit”, gjë që Katari, nën presionin e SHBA, nuk mund t’ua lejojë). Hamasi lëkundet me mjeshtëri mes Sirisë (të cilës i kritikon regjimin) dhe Iranit (që është mes mbështetësve të tij kryesorë), një ekuilibrizëm që nuk i ka ecur as Hezbollahut e as Katarit. Emiri nuk mund t’i lejojë vetes të jetë shumë agresiv me Iranin, jo vetëm për shkak të afërsisë, por edhe sepse dy vendet ndajnë një prej vendburimeve më të mëdhenj të gazit në botë. Një diplomat katariot më tha se jo të gjithë kolegët e tij janë të kënaqur me linjën e përshtatur mbi cështjen siriane. Dëmton sirianët, por edhe marrëdhëniet mes Katarit dhe Iranit.

Sipas gazetarit Paul McGeough, autor i librit Kill Khalid, Meshal stërvitet cdo ditë në palestrën e vilës së Hamasit, i veshur me tuta blu të markës Adidas dhe këpucë sportive. Meshal bën stërvitje ndërkohë që diskuton për kthesën e mungur në marrëdhëniet me Izraelin. “Jam mësuar të ec sepse jam një fshatar nga Silvad”, i ka thënë ai McGoughut, duke i folur për fshatin në Cisjordani prej ku familja e tij u dëbua në 1967. Ashtu si pjesa më e madhe e katariotëve, udhëheqësi palestinez bën shëtitje i mbyllur brenda. Jashtë dalin vetëm punëtorët migrantë, persona jetët e të cilëve sakrifikohen lehtësisht në aksidente në punë apo në luftëra të pamëshirshme.

* Vijay Prashad është historian dhe gazetar indian që jeton dhe jep mësim në Shtetet e Bashkuara. Libri i tij i fundit është “Historia e botës së tretë”.

Nuk ka komente

Vendos komentin tend

Your email address will not be published. Required fields are marked *