Home»Analiza»Fundi i shtetit-komb

Fundi i shtetit-komb

Kryebashkiakët, dhe jo presidentët apo mbretërit, do të jenë udhëheqësit e rinj globalëglobalization

Parag Khanna

Cdo pesë vite, Këshilli i Shërbimeve të Fshehtë i SHBA, që këshillon drejtorin e CIA-s, boton një raport në të cilin parashikon pasojat afatgjata të tendencave globale. Në fillim të këtij viti, Këshilli botoi raportin më të fundit, “Botë Alternative”, i cili përfshin skenarë se si do të jetë bota pas një breznie.
Njëri skenar, i quajtur “Botë pa shtete”, imagjinonte një planet në të cilin urbanizimi, teknologjia dhe akumulimi i kapitalit sjellin një panoramë ku qeveritë heqin dorë prej reformave reale dhe shumë prej përgjegjësive të tyre ua nënkontraktojnë palëve të huaja, të cilat më pas krijojnë enklava që veprojnë më vete.
Periudha e imagjinuar për këtë skenar është viti 2030, por të paktën për “Botën pa shtete”, fare mirë mund të jetë edhe viti 2010: ndonëse shumica prej nesh mund të mos e kuptojnë, “bota pa shtete” përshkruan shumë mirë se si operon tashmë shoqëria globale. Kjo nuk do të thotë që shtetet janë zhdukur, apo do të zhduken. Por ata po kthehen në thjeshtë një formë qeverisjeje, mes shumë të tjerave.
Një skanim i shpejtë përreth botës zbulon se atje ku rritja ekonomike dhe inovacioni kanë qenë më të suksesshëm, në themel të mrekullisë qëndron një model hibrid publik-privat, i brendshëm-i jashtëm. Këta nuk janë shtete. Ata janë “para-shtete”, ose sic thuhet në gjuhën e përditshme, “zona të vecanta ekonomike”.
Nëpër Afrikë, Lindjen e Mesme dhe Azi, me qindra zona të tilla janë ngritur gjatë dekadave të fundit. Në vitin 1980, Shenzhen u bë e para në Kinë; sot i gjen kudo nëpër Kinë, një shtet që është shndërruar në ekonominë e dytë më të madhe të botës.
Bota arabe ka më shumë se 300 të tilla, ndonëse më shumë se gjysma janë të përqëndruara në vetëm një qytet: Dubai. Duke filluar me Zonën e Lirë “Jebel Ali”, që është sot një prej porteve më të mëdhenj dhe eficientë të botës, e që tani përfshin edhe financën, mediat, arsimin, kujdesin shëndetësor dhe logjistikën, Dubai është njëkohësisht, edhe një bashkësi e ngjeshur nyjash ndërkombëtare tregtare, por edhe emirati me popullsi më të dendur i një federate arabe sovrane.
Ky shtresëzim kompleks i autoriteteve territorial, ligjor dhe tregtar shkon paralel me tendencën e dytë të madhe politike të kohës që jetojmë: Transferimi i kompetencave.
Në dritën e këtij urbanizimi të shpejtë, cdo qytet, shtet apo provincë dëshiron që të marrë vetë vendimet. Dhe munden, pasi kombet varen më shumë prej qyteteve të tyre të mëdhenj, se sa e anasjellta. Kryetarit të bashkisë së Nju JOrkut, Majkëll Blumberg, i pëlqen të thotë: “Unë nuk e dëgjoj shumë Uashingtonin”. POr është e qartë që Uashingtoni e dëgjon atë. E njëjta gjë është e vërtetë për kryebashkiakë të tjerë nëpër botë. Kjo është edhe arsyeja përse të paktën tetë ish kryebashkiakë, janë sot kryetarë shtetesh.
Skocia dhe Uellsi në Mbretërinë e Bashkuar, Rajoni Bask dhe Katalonja në Spanjë, Kolumbia Britanike në Kanada, Australia Perëndimore dhe pothuajse cdo shtet indian – të gjithë janë vende që kërkojnë autonomi maksimale fiskale dhe politikëbërjeje nga kryeqytetet e shteteve të tyre. Transferimi i kompetencave po ndodh edhe në Kinë madje. Qyteteve u është dhënë shumë liri për të zhvilluar modele ekonomikë të rinj, dhe Pekini është i varur nga rritja ekonomike e tyre. Një prej shprehjeve më të përdorura nga vëzhguesit e Kinës sot është: “Kodrat janë të larta dhe Perandori është shumë larg”. Hartat tona na tregojnë një botë me afro 200 shtete, por numri i autoriteteve efektivë është disa qindra më shumë.
Pasoja më e gjerë e këtij fenomeni është se ne duhet të mendojmë përtej shteteve të përcaktuar qartë me kufij si edhe “shtetndërtimit”, e të kalojmë tek integrimi i drejtpërdrejtë në tregjet rajonalë dhe ndërkombëtarë të një bote në urbanizim të shpejtë. Eshtë rruga më e sigurtë për të siguruar aksesin në mallrat dhe shërbimet bazë, për reduktimin e varfërisë, stimulimin e rritjes ekonomike dhe rritjen e cilësisë së jetës në përgjithësi.
Shoqëritë e lidhura mes tyre kanë më shumë avantazhe se sa ato të izoluara. Teksa bie numri i konflikteve ndërkombëtarë, gjithnjë e më shumë shtete po ndërtojnë rrugë, hekurudha, naftësjellës dhe gazsjellës, ura dhe kabllo interneti ndërmjet kufijve, duke krijuar kështu rrjete qendrash urbane që varen nga njëra tjetra për tregtinë, investimet dhe krijimin e vendeve të punës.
Burundi, Kenia, Ruanda, Tanzania dhe Uganda kanë krijuar Komunitetin Afrikano Lindor për të bashkërenduar gjithcka, që nga doganat, tek nxitja e investimeve dhe paqebërja. Nëse do të arrijnë të shfrytëzojnë infrastrukturën e financuar nga kinezët për të kapërcyer kufijtë arbitrarë politikë (vijat e drejta, të kudogjendura e të dyshimta në hartë), atëherë mund të shndërrohen në një Bashkim Europian për Afrikën.
Një “rishikim” i shtetit nuk është askund më i nevojshëm se sa në Lindjen e Mesme. Ka një kotësi të analizave të ditës mbi Sirinë dhe Irakun, që nuk arrijnë të rrokin idenë që asnjë shtet nuk ka të drejtën hyjnore të ekzistojë. Një shekull pasi diplomatët francezë dhe anglezë ndanë territoret lindorë të Perandorisë Osmane në mandate të pafuqishëm (dhe jetëshkurtër), shtetet që rezultuan prej asaj ndarjeje po shemben, pa asnjë shans për t’u ringritur.
Bota arabe nuk do të ringjallet në lavdinë e dikurshme deri kur harta të ribëhet, për t’i ngjarë më shumë një koleksioni oazesh autonomë që lidhen mes tyre prej Rrugëve të Mëndafshta të tregtisë. Komunitetet etnikë, gjuhësorë dhe sektarë mund të vazhdojnë të shtyjnë për pavarësi, dhe nuk ka dyshim që palestinezët dhe kurdët e meritojnë. E megjithatë, fragmentimi dhe ndarja e mëtejshme, madje edhe shtetet e rinj sovranë, janë një hap shumë i rëndësishëm në një proces më të gjatë drejt ndërtimit të stabilitetit transnacional mes fqinjëve.
Edhe pse ka një numër në rritje mikro-shtetesh dhe para-shtetesh, një formë e lashtë shteti ka mbetur më e palëkundur se asnjëherë: perandoria. Njëzetë vjet më parë, politologu Samuel Hantington botoi esenë e famshme “Përplasja e Qytetërimeve”. Fjala “perandori” shfaqej vetëm dy herë. Megjithatë, perandori thellësisht të shumëllojshme, dhe jo qytetërime të qartë kulturalisht, kanë qenë gjithmonë forca shtytëse e gjeopolitikës.
Sot, perandori me përmasa kontinentale si Shtetet e Bashkuara, Kina dhe Brazili kombinojnë popullsi të mëdha me burimet financiarë si dhe ambicien për të ndryshuar strukturat e huaja, me qëllim që t’u shkojnë për shtat objektivave të tyre ekonomike dhe strategjike. Ato janë në vetvete para-shtete publik-privat, strategjitë e mëdha të të cilëve kanë të bëjnë më shumë me kontrollin e zinxhirëve të furnizimit me energji dhe në teknologji, se sa pushtimin e territoreve të rinj. Ata mendojnë në terma të prurjes, fërkimit dhe aftësisë manovruese. Prandaj shtete më të dobët duhet të bashkohen në grupime rajonalë, ose do të rrezikojnë të fundosen prej parimit po kaq të lashtë të “përca-dhe-sundo”. Hegeli pohonte dy shekuj më parë se shteti ishte një vepër arti; nuk kishte dy të ngjashëm. Vëzhgimi i tij është sot më i vërtetë se asnjëherë. Megjithatë, pavarësisht formës së tyre, gjeografisë apo regjimit, shtetet janë gjithashtu më të ndërlidhur se kurrë – dhe me shumë gjasa, të tillë do të mbeten.

PARAG KHANNA është autor i ‘‘The Second World: How Emerging Powers Are Redefining Global Competition in the 21st Century’’

Nuk ka komente

Vendos komentin tend

Your email address will not be published. Required fields are marked *