Home»Teknologji»FACEBOOK-WHATSAPP / Eshte revolucioni i ri teknologjik?

FACEBOOK-WHATSAPP / Eshte revolucioni i ri teknologjik?

facebook-whatsapp“What’s up? C’kemi ndonjë të re?” Eshtë pyetja më e përhapur mes adoleshentëve amerikanë. Cfarë ka të re? Një botë e tërë është e re. Më mirë se kushdo e ka kuptuar këtë gjë WhatsApp (shqiptohet njësoj). Eshtë një botë e re, ku kjo kompani me vetëm 55 punonjës kushton 19 miliardë dollarë amerikanë. Një botë ku kjo sipërmarrje e krijuar nga një inxhinier ukrainas në Silicon Valley arriti të ketë 450 milionë përdorues brenda vetëm 5 viteve jetë.

Themeluesi i facebook, Mark Zuckerberg është i bindur kur u përgjigjet atyre që thonë se ka shpenzuar shumë më tepër në këtë blerje të fundit: “WhatsApp arrin 1 milionë përdorues të rinj do 24 orë. Dhe me këtë ritëm, 1 miliardëshi nuk është shumë larg. Një shërbim që arrin dimensione të tillë, e ka vlerën të pabesueshme”. Sa për krahasim me konkurrencën: Twitter ka vetëm 240 milionë përdorues, e megjithatë vlen 30 miliardë dollarë në Bursë. Vetë Facebook, në 4 vitet e parë të jetës arriti vetëm 150 milionë persona, një e treta e publikut të WhatsApp-it.

Po cila është formula e suksesit të WhatsApp? Eshtë një aplikacion për celularë që lejon të dërgosh sms, të hapësh një bashkëbisedim të përhershëm, t’u bashkëngjitësh fotografi e filmime mesazheve. Nga pikëpamja teknologjike ka një avantazh ndaj programit iMessage të Apple: është i pajtueshëm me cfarëdolloj soft-i të të gjithë aparateve smartphone. Eshtë praktikisht falas.

Ajo që e vecon WhatsApp nga Facebook e Twitter, është fakti që aplikacioni është përthithur shumë më shpejt jashtë tregut amerikan. Ai është edhe më popullor në Europë, Indi dhe tregjet e tjerë në zhvillim. Ka edhe një tjetër vecanti, e që lidhet me origjinën e themeluesit, Jan Koum. Ky inxhinier 38-vjecar, punonjës i Yahoo në kohën kur e krijoi, është një hebre ukrainas i lindur në një fshat në periferi të Kievit. Koum ka jetuar në Ukrainë deri në vitin 1992. Në fëmijërinë dhe adoleshencën e tij nuk mund të mungonin gjurmët e komunizmit sovjetik. I rritur në një shtet policor, Koum ka një kulturë libertare. Për këtë arsye, teksa projektonte aplikacionin e tij, një vëmendje të madhe ia kushtoi ruajtjes së privatësisë së përdoruesve. Në epokën e Datagate, kjo i jep shumë avantazh në krahasim me kompani shumë më të mëdha. Për shembull, WhatsApp, pasi dërgon mesazhin tek marrësi, e eleminon nga memoria e server-ave të saj.

Eshtë shumë më e vështirë për NSA apo për ndonjë hacker dashakeq, që të gjurmojë këta komunikime. Por kjo lloj privatësie, mund të jetë edhe një lloj mbrojtjeje ndaj kuriozitetit të tepruar të prindërve, prandaj dhe aplikacioni ka patur si treg kryesor atë të adoleshentëve. WhatsApp ka ditur të shfrytëzojë një tendencë të re të komunikimit: po rritet gjithnjë e më shumë numri i atyre që preferojnë një sistem mesazhesh të “shënjestruar, konfidencial, në vend të përhapjes së informacioneve dhe mesazheve për t’u parë nga të gjithë, si në Facebook apo Twitter. Të gjithë këta ingredientë e kanë rritur joshjen e Facebook ndaj WhatsAppit. Sepse pikat e dobëta të rrjetit social të Zuckerbergut janë në fakt pikat e forta të WhatsAppit.

Pasi ka arritur 1.2 miliardë përdorues brenda dhjetë viteve, tashmë Facebook me shumë gjasa parashikon një ngadalësim fiziologjik të ekspansionit të tij. Dhe Zuckerberghu i trembet më shumë një ftohjeje të publikut më të ri në moshë. Pastaj, në frontin e teknologjisë, WhatsApp lind për celularët “smart”. Ndërkohë që, edhe përdoruesit aktualë të Facebook po zhvendosen gjithnjë e më shumë drejt këtij mjeti, duke përdorur gjithnjë e më pak kompjuterin personal.

Në cdo rast, mbeten të forta pikëpyetjet sa i përket modelit të biznesit, qëndrueshmërisë ekonomike. Prej nga mund të burojë fitimi, nëse WhatsAp është praktikisht falas? Por kjo është një pikëpyetje “gjenetike” me të cilën Silicon Valley në fakt është mësuar tashmë. Edhe Facebook e Tëitter në fillim dukeshin biznese pa fitim, edhe ata falas. Përpara tyre, Google ofronte një motorr kërkimi me shanse të pafundme, në dukje falas edhe ai. Në pothuajse të gjithë këta precedentë, në fund biznesi mbërriti në formën e reklamave, si dhe gjithë marketingu që lidhet me informacionin mbi përdoruesit. Vitin që kaloi, të ardhurat e Facebook ishin 8 miliardë, kryesisht nga reklamat. Koum e ka përjashtuar gjithmon mundësinë e futjes së reklamave në WhatsApp. Deri dje ai këmbëngulte se modeli aktual, i bazuar tek një pagesë 99 cent në vit i mjaftonte. “Monetizimin nuk e kemi përparësi”, thoshte. Por kjo është në vetvete një déjà-vu: Edhe Google, edhe Facebook, në fillimet e tyre betoheshin që nuk do bënin reklama… Vetë Koum deri disa muaj më parë e përjashtonte mundësinë e shitjes së kompanisë. E qartë që ata 19 miliardë dollarët e Zuckerbergut i mjaftuan për të ndryshuar mendje.

Zërat skeptikë nuk mungojnë, edhe pse të mësuar me shitblerje me cmime stratosferikë. Pas 8.5 miliardëve që Microsoft pagoi për Skype, cmimi i dyfishtë që Zuckerberg hodhi në tryezë për WhatsApp bën të dyshosh se jemi përpara një fluske të re spekulimesh. Por fluskat janë pjesë e ADN-së së Silicon Valleyt dhe sado të rrezikshme, janë lubrifikuesi i kulturës së inovacionit. Dhe prapa kësaj martese Facebook-WhatsApp janë duke u shfaqur konturet e atyre lloj revolucioneve teknologjikë që Silicon Valley zakonisht ia imponon gjithë botës. Jemi duke parë, me një shpejtësi mbresëlënëse, ndryshime të platformave teknologjike që shenjojnë fundin e zakoneve të konsoliduar e bashkë me ta edhe rënien e industrive të tëra. Kompanitë e telekomunikacionit, dikur gjigandë që rregulloheshin apo ishin edhe në pronësi të shteteve, tashmë janë zhvendosur në skaje, thjeshtë si menaxhues të komunikimeve. E gjithë bota po kalon në mënyra dhe sisteme të tjerë. Një kompani e sapolindur si WhatsApp, me vetëm 55 punonjës dhe një zyrë të vogël në Kaliforni, ka më shumë përdorues se sa të gjithë kompanitë telefonike të Europës perëndimore të marra së bashku. Dhe cmimi që ka paguar Zuckerberg mund të tingëllojë më pak ekstravagant nëse e sheh nga ky këndvështrim.

Nuk ka komente

Vendos komentin tend

Your email address will not be published. Required fields are marked *