Home»Ekonomi»EKONOMIA GLOBALE / Fluska e Pekinit

EKONOMIA GLOBALE / Fluska e Pekinit

Për të shmangur Recesionin e Madh, Kina akumuloi një borxh gjigand që po kërcënon tashmë rritjen ekonomike

Kina fluskaVendi, ekonomia e të cilit është jetësore për shëndetin e ekonomisë botërore, ka jetuar prej vitesh përtej mundësive që ka. Banka qendrore e tij e ka përmbytur sistemin financiar me para të lehta, dhe tashmë, edhe thjeshtë pëshpërime që kjo epokë mund të marrë fund, shkakton tronditje në tregjet financiarë.

Shumë ekonomistë thonë se nëse dicka nuk ndryshon, atëherë mund të shkojmë drejt një tjetër krize financiare globale, vetëm pesë vite pas asaj të fundit. Litania është kaq e dallueshme, saqë nuk mund të injorohet. Ekonomistë dhe kritikë të tjerë të botës së financës gjithmonë i bëjnë leksione SHBA se si të vërë rregull në “shtëpinë” e vet.

Por kjo shkon përtej Shteteve të Bashkuara.

Ajo që po fillojnë të kuptojnë shumë njerëz është se të njëjtët probleme po shfaqen jo vetëm në ekonominë më të madhe të botës, por edhe në ekonominë e dytë më të madhe: Republikën Popullore të Kinës.

Po, gjeneratori i “mrekullisë” më të fundit ekonomike të Azisë Lindore – një vend që për një dekadë kishte afërsisht 10 përqind rritje ekonomike të GDP-së për vit – mund të jetë tashmë në prag të krizës së tij të borxheve, dicka që vetëm një grup i vogël të ashtuquajturish arinj të Kinës e kanë thënë prej vitesh.

Atyre u bashkohen tashmë edhe njerëz me profil të lartë. Xhorxh Soros, investitori dhe miliarderi legjendar shkruajti kohët e fundit një editorial në të cilin përmendte Kinën si “pasiguria më e madhe ekonomike që has bota sot”. Modelit të rritjes ekonomike të Pekinit, thoshte Soros “i ka mbaruar avulli”. Dhe për të saktësuar pesimizmin e tij, ai shtonte: “Ka disa ngjashmëri shqetësuese me gjendjen financiare që mbizotëronte në SHBA në vitet para krizës së 2008-ës”.

Problemi është se ai ka të drejtë në të gjithë drejtimet. Harku i rritjes ekonomike të Kinës që nga hapja e saj në vitin 1978 ka qenë vërtetë mrekulli, një transformim ekonomik me rrënjë në reforma dhe treg të hapur – nisur nga Ten Hsiaopini dhe cuar përpara nga udhëheqësit më të lartë, që nga ajo kohë.

Por në fund të vitit 2008, natyra e rritjes ekonomike të Kinës ndryshoi. Kur SHBA u shemb dhe bota e zhvilluar ra shpejt në recesion, udhëheqësit kinezë u mbërthyen nga paniku. Të trembur dëshpërimisht prej papunësisë dhe trazirave potenciale që ajo mund të shkaktonte – sidomos në pjesët më të përparuara e të varura nga eksportet në juglindje të vendit – Pekini nisi të derdhë para në ekonominë e tij, me një ritëm epik.

Një shtet që po ndërtonte tashmë masivisht infrastrukturë – hekurudha të shpejtësisë së lartë, sisteme të metrove, ura – dyfishoi investimet. Borxhi total i ekonomisë u rrit nga 125% e GDP-së në vitin 2008, në 218 përqind në fund të vitit që kaloi, sipas një vlerësimi të Fitch Ratings.

Kreiadhënia u zgjerua me 15 trilionë dollarë – nga 9 trilionë në 24 – brenda vetëm pesë viteve. Patrik Shovanek, Drejtor i kompanisë së investimeve Silvercrest Asset Management thotë se 15 trilionë dollarë është përmasa e të gjithë sektorit të bankave tregtare në SHBA.

Kjo rritje e kredidhënies pati efektin e vet të dëshiruar. Kina jo vetëm e shmangu krizën globale, por edhe vazhdoi të rritet me shpejtësi. Ndryshe nga SHBA, ku Presidenti Obama dikur u ankua se “shumë prej atyre vendeve të punës “me lopatën gati” që doja të krijoja përmes shpenzimeve qeveritare nuk ishin aq të gatshme sa mendohej”, vendet e punës në ndërtimin e infrastrukturës në Kinë ishin më se të disponueshëm, duke qenë se aty nuk kish pengesa si përshembull studimet zvarritës mjedisorë.

Kriza u shmang – ose të paktën kështu u duk – dhe ishin të shumtë zyrtarët kinezë si dhe biznesmenët që nisën ta besojnë retorikën e fryrë për “mrekullinë kineze”, e që mburreshin se si Pekini kishte filluar të krijojë një model të ri rritjeje, superior ndaj cdo lloj modeli tjetër në Perëndim. Kujtimi i Japonisë dhe epokës së “ekonomisë së fluskës” në fundin e viteve tetëdhjetë ishte i pagabueshëm.

Sot ka një shqetësim në rritje se analogjia me Japoninë mund të jetë shumë e saktë. Fluska e ekonomisë së Japonisë, që shtyhej përpara prej borxhit, plasi në fillim të viteve ’90, dhe që atëherë ky vend as nuk ka rregjistruar ndonjë rrahje zemre, ekonomikisht. A është nisur edhe Kina drejt të njëjtës rrugë?

Shovanek vë theksin tek disa shenja shqetësuese, që tregojnë se përgjigja mund të jetë po. Ai argumenton se dy episode (njëri në qershor të vitit që kaloi dhe tjetri vetëm disa javë më parë) të rritjes së papritur të normave të interesit në tregun e brendshëm ndërbankar të Kinës sinjalizojnë se “themelet” e modelit kinez të orientuar nga investimet janë duke u lëkundur.

Sipas tij, por edhe disa kritikëve të tjerë, ata relfektojnë panikun që mbërthen tregjet financiarë të Kinës kur banka qendrore – Banka Popullore e Kinës – përpiqet të shtrëngojë likuiditetet, qoftë edhe pak. Kaq shumë të varura janë bankat kineze nga një ofertë gjithnjë në rritje e kredive, saqë ato i kap paniku dhe kërkojnë financime afatshkurtër në tregun e brendshëm ndërbankar, gjë që rrit normat e interesit.

Në të dy rastet, Bankës Popullore të Kinës iu desh të ndërhyjë dhe të injektojë shuma të mëdha në treg, me qëllim që të qetësonte nervat e gjithkujt dhe të ulte sërish normat e interesit. “Udhëheqësit e Kinës”, thotë Shovanek, “i kanë hipur një treni, tëcilin nuk dinë se si ta ndalin”.

Analistë më pak pesimistë thonë se sasia totale e borxhit kundrejt GDP-së nuk është në nivele të papërballueshëm – të paktën ende jo.

Në mendjen e shumë ekonomistëve, nëse Kina nuk bën lëvizje për të frenuar kreditë, faktet ekonomikë janë të pamohueshëm. Edhe nëse Kina arrin të shmangë krizën si ajo e vitit 2008, gjithësesi barra e fryrë e borxhit do të tkurrë aktivitetin ekonomik, pasi gjithnjë e më shumë burime do të orientohen drejt shlyerjes së borxhit.

Me fjalë të tjera, ditëve të mrekullisë kineze, po u vjen fundi.

Jim Impoco

Nuk ka komente

Vendos komentin tend

Your email address will not be published. Required fields are marked *